Ndërlidhjet

logo-print

Qeveria “privatizon” emërimin e bordeve në ndërmarrjet publike


Qeveria e Kosovës...

Qeveria e Kosovës...

Qeveria e Kosovës ka privatizuar mënyrën e emërimit të drejtorëve të bordeve të ndërmarrjeve publike, dhe kjo është arsye e performancës së dobët të këtyre kompanive, thonë përfaqësues të punëtorëve, shoqërisë civile dhe ekspertë për çështje ekonomike.

Avni Zogiani, nga Organizata joqeveritare “ ÇOHU”, thotë se drejtorët në bordet e këtyre ndërmarrjeve po emërohen në bazë të lidhjeve politike, çka po rezulton, sipas tij, me shkatërrimin e aseteve shtetërore.

“Anëtarët e bordeve janë përfaqësues politikë të partive në pushtet dhe praktikisht gjithë çka që bëjnë, është në funksion të përmbushjeve së obligimeve të marra nga politika”, thotë Zogiani.

Edhe Ibrahim Rexhepi, drejtor ekzekutiv në Qendrën për Hulumtime Strategjike dhe Sociale, ( STRAS), vlerëson se bordet e ndërmarrjeve publike, më tepër kanë qëllim zhvillimin e aktiviteteve politike, se sa menaxhimin dhe përcaktimin e politikave strategjike, veprimtari ekonomike në ndërmarrje.

“Qeveria thuajse ka ‘privatizuar’ edhe mënyrën e emërimit të kandidatëve të këtyre bordeve, prandaj, nuk është befasuese pse performanca e tyre, bashkë me kompanitë, në të cilat janë, është në rënie”, vlerëson Rexhepi.

Nuk ka mundësi të jesh anëtar i ndonjë bordi të kompanive publike, si në nivelin qendror po ashtu edhe në atë komunal, nëse nuk je i pozicionuar nga ndonjë parti politike, pohon edhe Ali Dragusha, anëtar i Këshillit Ekonomik Social.

Ky këshill përbëhet nga punëdhënësit, punëmarrësit dhe nga Qeveria.

Ai shprehet se gjatë shpalljes së konkurseve për këtë vend pune, nuk respektohen kriteret e kërkuara në bazë ligjore.

“Për këtë çështje duhet një rregullativë më e fuqishme dhe një përgjegjësi më e madhe e anëtarëve të bordit, që fatkeqësisht nuk e kanë. Ata e kanë një realizim të interesit të vet material. Unë mendoj se ata duhet të jenë të inkuadruar drejtpërdrejt në këto ndërmarrje dhe ta kenë situatën në kontroll në menaxhmentin e ndërmarrjeve dhe të kenë parasysh llogaridhënien dhe obligimin për çka janë zgjedhur”, shprehet Dragusha.

Në anën tjetër, Avni Zogiani, nga organizata “Çohu” përmend disa kompani publike, bordet politike të të cilave, sipas tij, kanë ndikuar në mos funksionimin e duhur të tyre.

“PTK-ja është indikator i qasjes në këtë fushë, do të thotë është shembulli që kemi në dorë. PTK-ja ka ekspozuar se si politika përdor sektorin publik”.

“Në anën tjetër KEK-u, është duke vazhduar dështimet përmes bordeve dhe ndikimeve njëjta”
, konsideron Zogiani.

Sipas Ligjit për ndërmarrjet publike, bordi i drejtorëve të një ndërmarrjeje përbëhet nga pesë ose shtatë drejtorë, ku një nga ta duhet të jetë nga komuniteti pakicë.

Të gjithë drejtorët, përveç njërit, do të zgjidhen nga Qeveria dhe secili drejtor i zgjedhur në këtë mënyrë shërben me mandat prej tre vjetësh.

Ndryshe, në konkurset e shpallura për drejtorë të bordeve të ndërmarrjeve publike, gjithmonë konkurrenca ka qenë shumë e madhe. Kjo, sipas përfaqësuesve të OJQ-ve, është dëshmia më e mirë, për siç, thuhet “luftën” e zhvilluar për këtë pozitë.

Ata thonë se pagat në këtë sektor janë shumë më të mëdha sesa mesatarja e pagave në vend, ndërsa shtohen edhe mundësitë për punësim të anëtarëve të familjeve të tyre në ndërmarrjet e caktuara.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG