Ndërlidhjet

logo-print

Jahjaga hap punimet e Samitit Ndërkombëtar të Gruas në Prishtinë


Atifete Jahjaga - Presidente e Republikës së Kosovës (foto nga arkivi)

Atifete Jahjaga - Presidente e Republikës së Kosovës (foto nga arkivi)

Në hapje të Samitit Ndërkombëtar të Gruas në Prishtinë, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka bërë prezantimin e disa prej pjesëmarrëseve më të rëndësishme në këtë samit 3 ditor.

“Kemi nderin që të jemi të shoqëruara nga ish-sekretarja amerikane e shtetit Albright, gruaja që është një mikeshë e Kosovës, e cila ka qenë pjesë e përbashkët e pavarësimit tonë por edhe e paqes kudo në botë gjatë angazhimit të saj në diplomaci”, ka thënë Jahjaga, duke i uruar mirëseardhje ish-sekretares Albright dhe të ftuarave të tjera.

Gjatë këtij samiti, sipas Jahjagës, do të zhvillohen partneritete të reja, në drejtim të zhvillimit të demokracisë.

“Përkushtimi juaj ka dëshmuar se lidershipi është i domosdoshëm në këtë kohë. Ne kemi nevojë të jemi më të zëshme në përfaqësimin politik, por të kemi edhe një rol më të madh në vendimmarrje, në vendosjen e themeleve të demokracisë”, ka thënë Jahjaga.

Sipas presidentes së Kosovës, gra si sekretarja Clinton dhe Albright kanë shfrytëzuar fuqitë e tyre për t’i ndihmuar vendet në nevojë, përfshirë edhe Kosovën, dhe për këtë arsye edhe gëzojnë respektin e popullit dhe institucioneve të Kosovës.

Jahjaga i ka falënderuar pjesëmarrëset për shprehjen e dëshirës për të qenë pjesëmarrëse në këtë samit, me idenë e shkëmbimit të ideve dhe ndarjes së vizionit të përbashkët për Evropën Juglindore.

Më tutje ajo ka treguar se në rajon është shtuar numri i grave në përfaqësimin politik në nivel qendror. Sipas saj, këto gra nga Evropa Juglindore kanë tejkaluar vijat partiake, duke u përkushtuar në nevojat e vendeve në tranzicion.

Jahjaga ka përmendur nivelin e kënaqshëm të përfaqësimit të gruas në nivel qendror në Kosovë, por ka kritikuar nga ana tjetër mospërfaqësimin e barabartë gjinor në nivelet komunale, gjë që, sipas saj, kërkon angazhim më të madh të institucioneve të vendit dhe njëkohësisht ka kërkuar edhe sugjerimet e pjesëmarrëseve ndërkombëtare në samit, për t'i tejkaluar këto sfida.

Në fund të fjalimit të saj, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka shprehur mirënjohjen e saj për mijëra gra në rajon që kanë sakrifikuar për një jetë më të mirë, të cilat, sipas saj, do të shërbejnë si frymëzim për gjithë shoqërinë.

"Duke u bashkuar në një agjendë të përbashkët , gratë, si bartëset kryesore të ndryshimeve në shoqëri, do të ndikojnë në krijimin e paqes së përhershme në rajon”, ka thënë në fund Jahjaga.
XS
SM
MD
LG