Ndërlidhjet

Serbët e Bosnjës u frikësohen investimeve turke


Ilustrim
Ilustrim
Xhenana Halimoviq, & Robert Coalson

Kryeministri turk, Recep Tayyip Erdogan, ishte në Bosnjë dhe Hercegovinë në javën e kaluar ku dha disa tone optimiste mbi përmirësimin e lidhjeve ekonomike.

Ai i bëri thirrje kryesuesit të Këshillit të Ministrave të Bosnjës, Vjekoslav Bevandas, që të sjellë një delegacion biznesi në Ankara për një konferencë bilaterale në shkallë të gjerë mbi investimet dhe bashkëpunimin ekonomik.

Shteti i vogël ballkanik është ende duke u rimëkëmbur nga kriza globale financiare - e cila goditi ekonominë edhe ashtu të dobët të vendit, kryesisht nga kriza ekonomike në vendet partnere, si Itali, Kroaci dhe Greqi. Kështu që, dikush mund të presë që një inkurajim i tillë nga një fuqi e madhe rajonale ekonomike- ekonomia e Turqisë u rrit 8.4 për qind në vitin 2011 - do të jetë i mirëpritur nga të gjithë.

Por, në Bosnje, çdo gjë është e politizuar, shpesh në një shkallë paralize. Vendi është i fragmentizuar nga ndarjet etnike, fetare dhe tensionet, që pos tjerash garanton, se çdo gjë që njëri fraksion e sheh si ndihmë, të tjerët e shohin si një kërcënim. Dhe, në mendjet e shumë serbëve të Bosnjës dhe kroatëve, Turqia është e lidhur ngushtë me myslimanët e vendit.

Kryeministri turk Recep Tayyip Erdogan, dhe kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnjes ,Vjekoslav Bevanda.
Kryeministri turk Recep Tayyip Erdogan, dhe kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnjes ,Vjekoslav Bevanda.

Dhe, me ndarjen e vendit mes Republikës Serbe dhe Federatës Myslimano-Kroate, arritja e konsensusit është pothuaj e pamundur.

Serbët e Bosnjës, në veçanti, e shohin me rezerva Turqinë kryesisht për shkak të sundimit shekullor të Perandorisë Osmane.

Dushanka Majkiq është një deputete serbe në Parlament dhe anëtare e grupit punues për marrëdhëniet me Evropën Qendrore dhe Lindore.

“Unë nuk kam parë asnjë argument që tregon interesin e Turqisë për ekonominë e Republikës Serbe të Bosnjës. Për të folur politikisht, Turqia nuk ka treguar një gatishmëri për të kuptuar dy anët e tjera (serbët dhe kroatët). Përkundrazi, ajo ekskluzivisht mbështet vetëm boshnjakët”, thotë Majkiq.

Paraliza politike po i kushton shtrenjtë Bosnjës.

Investimet e huaja vështirë janë derdhur në Bosnje, kryesisht pasi që kriza financiare globale e kaploi atë në vitin 2008. Sipas statistikave të qeverisë, investimet e përgjithshme direkte nga jashtë në vitin 2011 ishin vetëm 313 milionë euro. Ndërsa, që nga viti 1994 deri në vitin 2010 investimet e tërësishme të jashtme kanë qenë 4.9 miliardë euro.

Sipas Bankës Qendrore të Bosnjës, investitori kryesor i huaj në Bosnjë në vitin 2011ishte Rusia (me 73 milionë euro), e pasuar nga Austria dhe Serbia.

Ndarjet e Bosnjës e kanë penguar zhvillimin e saj politik dhe ekonomik ende pa u tharë boja e nënshkrimeve të Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit në vitin 1995, që i dha fund luftës së viteve 1992-95.

Qeverisë i është ndarë një kredi në kuadër të programit “Stand-by” të FMN-së në vlerë prej405 milionë eurosh më 27 shtator.

Por, që të sigurohet kredia, duhet të rishikohet buxheti dhe reformat strukturore në dy entitetet gjysmë-autonome të vendit.

Këto vonesa erdhën pas bisedimeve me FMN-në, që rifilluan në qershorin e kaluar, pas një krize politike 16-mujore, në të cilën Bosnja nuk që në gjendje ta formojnë qeverinë qendrore.

Tani kur, është formuar qeveria, Sarajeva po përpiqet ta nxjerrë vendin nga recesioni. Në të njëjtën kohë, Ankaraja është në kërkim të rritjes së rolit të saj si fuqi rajonale, që kur Erdogan dhe Partia e tij për Drejtësi dhe Zhvillim erdhi në pushtet në vitin 2003.

Megjithatë, rritja e Turqisë në rajon është shënuar me pragmatizëm. Ankaraja ka kaluar një rrugë të gjatë drejt përmirësimit të marrëdhënieve me rivalen historike, Rusinë, e cila konsiderohet si një aleate nga shumë serbë në të gjithë Ballkanin.

Të dy vendet zhvilluan bashkërisht tubacionin e gazit natyror të njohur si Rrjedha e Kaltër (Blue Stream).

Kur, presidenti i atëhershëm rus, Dimitri Medvedev, vizitoi Ankaranë në vitin 2010, dy vendet nënshkruan 17 marrëveshje bilaterale dhe Medvedev tha se marrëdhëniet kishin arritur nivelin e “partneritetit strategjik shumëdimensional.”

Ish-ambasadori boshnjak në Turqi, Hajrudin Somun, thekson se qëllimi i Ankarasë është zhvillimi i mëtejshëm ekonomik dhe jo ngatërresa në konfliktet e brendshme të Bosnjës.

“Edhe pse nganjëherë ka ekzagjerime, politika e Turqisë është mjaft pragmatike, sidomos ajo që Erdogan e tha në Bosnje. Gjithçka që Qeveria turke po bën nën udhëheqjen e partisë së tij, ka një qëllim - forcimin e ekonomisë së Turqisë, e cila aktualisht është një fuqi rajonale dhe së shpejti do të bëhet një fuqi globale”, shprehet Somun.

Turqia përmes kompanive të ndryshme në sektorin e minierave dhe ushqimit deri tash ka investuar rreth 7 milionë euro.

Bakira Izetbegoviq, përfaqësues boshnjak i Presidencës trepalëshe thotë se serbët e Bosnjës gabohen kur alarmohen për interesimin e Turqisë në Bosnje, duke thënë se Ankaraja ka ndihmuar në uljen e tensioneve me Serbinë.

“Po qe se (ish-presidenti kroat) Franjo Tugjman, ushtria e të cilit ka prishur urën në Mostar, e ka emrin në rrugë dhe ura dhe mund të konsiderohet si lider, pse të mos themi të njëjtën gjë edhe për Recep Tayyip Erdoganin, liderin e Turqisë moderne, që e ka rindërtuar të njëjtën urë dhe ndihmon në rindërtimin e raporteve ndërmjet njerëzve në Ballkan. Ata, (Turqia) ishin ndërmjetës në arritjen e marrëdhënieve më të mira Ndërmjet nesh dhe Beogradit”, thotë Izetbegoviq.

Ambasadori Somun pajtohet se problemi i vërtetë i Bosnjës nuk është përzgjedhja se prej kujt të pranohen investimet, por zgjidhja e ngërçit politik, që e ka bërë vendin një cak jo atraktiv për investime. Somun thotë se nëse dështon në Sarajevë për ta bërë këtë, Ankaraja pragmatike do ta kthejë vëmendjen e saj diku tjetër - madje edhe në Serbi.

"Për shkak të ndarjeve politike, ekonomia e Bosnje-Hercegovinës nuk është duke u përmirësuar dhe kjo është arsyeja pse investitorët e huaj janë të frikësuar për të investuar në Bosnje. Është rasti i njëjtë me Turqinë. Për shkak të kësaj, ajo që mund të ndodhë është që Serbia, Maqedonia, dhe - ndoshta - Mali i Zi, do të jenë në gjendje ta joshin Turqinë për të investuar në këto vende para se këtë ta bëjë Bosnja”, thotë Somun. (a.i.)
XS
SM
MD
LG