Ndërlidhjet

logo-print

WP: Siria, pykë ndërmjet SHBA-së dhe Turqisë


Siri...

Siri...

Raportet e afërta, që presidenti Obama i ka ndërtuar me kryeministrin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, u kanë mundësuar Shteteve të Bashkuara, që ta kenë një aleat kryesor mysliman në Lindjen e Mesme. Uashingtoni dhe Ankaraja kanë punuar për së afërti për ta stabilizuar Irakun. Por tash, ata i presin stuhitë në Siri, shkruan në fillim të artikullit e përditshmja “Washington Post”.

Duke përkujtuar se Turqia të enjten ka shpallur se i ka autorizuar operacionet ushtarake në Siri, pas sulmit me bombë nga Siria në Turqi, këtë javë, gazeta konstaton se derisa kriza në Siri po thellohet, Shtëpia e Bardhë duket se është treguar e gatshme për ta pritur dorëheqjen e presidentit të Sirisë, Bashar al-Assad.

Për Ankaranë, kriza është shndërruar në emergjencë.

Derisa trazira në Siri është rritur gjatë 18 muajve të kaluar, Ankaraja ka supozuar se Shtetet e Bashkuara dhe Turqia ishin në anën e njëjtë, sa i përket ndryshimit të regjimit. Megjithatë, tash po paraqiten dallimet, shkruan “Washington Post”.

Administrata Obama është hezituese në raport me Sirinë për disa arsye, përfshirë përmbajtjen për të vepruar para zgjedhjeve të nëntorit dhe lodhjen nga lufta në mesin e amerikanëve.

Erdogani duket se shqetësimet e këtilla i sheh si mbulesë për indiferencë të përgjithshme të problemeve të Turqisë me Sirinë.

Një shenjë e ndjenjës së këtillë, u paraqit më 5 shtator, kur Erdogani e kritikoi Obamën në rrjetin CNN për mungesë të iniciativës për Sirinë, që ishte vërejtje e rrallë nga një mik i fortë, shkruan “Washington Post”.

Për Shtëpinë e Bardhë, kriza e Sirisë duket e menaxhueshme.

Por, derisa konflikti ashpërsohet, disa kanë shqetësime në rritje se Siria do të radikalizohet sikur Bosnja në vitet ‘90, kur bota nuk kishte vepruar për ta ndalur vrasjen e myslimanëve në këtë vend ballkanik. Rrjedhimisht, xhihadistët ishin futur brenda në luftë, dhe patën sukses në bindjen e myslimanëve të Bosnjës, që ishin me ndjenja të forta sekulare, se bota i ka braktisur ata dhe se ata e kanë më mirë me xhihadistët.

Politika e Shteteve të Bashkuara mban qëndrimin se do të jetë i mundshëm një aterim i butë gradual në Siri, shkruan “Washington Post”.

Shpresohet se grupet opozitare do të bashkohen dhe do ta përmbysin regjimin e Assadit, duke e eliminuar nevojën e intervenimit të shpejtë, një opsion për të cilin Washingtoni ka frikë se mund të shkaktojë kaos.

Por, Ankaraja, megjithatë, dëshiron një aterim të butë të përshpejtuar. Veçanërisht me sulmet e kësaj jave, Turqia e ndjen të nxehtit e krizës afër dyerve të veta.

Gazeta konstaton se Erdogani ka arsye të besojë se koha nuk është në anën e tij.

Natyra sektare e konfliktit në Siri po reflektohet edhe në Turqi.

Më se 100 mijë vetë, shumica prej tyre arabë sunitë të Sirisë, janë refugjatë në Turqi, duke ikur nga persekutimi i Assadit dhe milicitë e tij alavite.

Arabët alavitë në pjesën jugore të Turqisë, nuk i durojnë refugjatët sunitë, duke e pasqyruar ndarjen alavite - sunite në Siri.

Alavitët e zemëruar në provincën jugore turke Hatay, e kundërshtojnë politikën e vendit të tyre ndaj regjimit të Asadit, dhe prej verës, ata kanë mbajtur demonstrata të rregullta pro-Damaskut dhe kundër Ankarasë.

Ky është problem i Ankarasë dhe mund të përkeqësohet nëse Siria zhytet në luftë të plotë sektare.

Duke i pasur parasysh dallimet e politikave të Obamës dhe Erdoganit për Sirinë, ende duket se stuhia ndërmjet tyre është pothuajse e paevitueshme, shkruan “Washington Post”.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG