Ndërlidhjet

Si nuk u prek Kosova nga kriza?


Banka në Prishtinë
Banka në Prishtinë
Sistemi bankar në Kosovë mbetet i qëndrueshëm dhe i fuqishëm përballë krizave ekonomike në vendet e Evropës dhe më gjerë, thonë përfaqësues të autoriteteve në Kosovë. Për t’iu shmangur krizave ekonomike të mundshme, që kishin prekur vendet evropiane, ata thonë se Kosova bëri reforma në sistemin tatimor.

Këto vlerësime dolën gjatë konferencës të titulluar “Konkurrenca kundrejt marrjes së rrezikut në sektorët bankarë të vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore”, e cila u organizua nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës.

Një numër i shteteve në botë në veçanti në shtetet e eurozonës, u ballafaquan me vështirësi serioze të natyrës fiskale ekonomike dhe financiare. Si pasojë e këtyre turbulencave, këto vende janë detyruar të marrin një sërë veprimesh të reformave strukturore, që, shikuar nga këndvështrimi afatshkurtër, këto reforma rezultuan me rënie drastike të rritjes ekonomike, me recesione dhe rritje të konsiderueshme të papunësisë.

Nisur nga këto vështirësi që patën disa shtete të botës, përfaqësuesit e institucioneve bankare dhe financiare në Kosovë, thonë se Kosova nuk ishte prekur nga ndonjë krizë ekonomike financiare.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Gani Gërguri, tha se për të pasur një sistem bankar efikas nevojitet, gjithashtu, të ketë një ekonomi stabile dhe efikase në atë shtet. Dhe Kosova, sipas tij, ka sistemin bankar mjaft profitabil, mirë të kapitalizuar dhe likuid.

“Ne sapo kemi përfunduar programin e vlerësimit të sektorit financiar nga ana e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar. Unë kam kënaqësinë të ju them se vlerësimet, rezultatet dhe konkludimet e përgjithshme janë pozitive nga ky program, dhe aq më tepër kur kemi parasysh moshën e sektorit financiar, dhe kur kemi parasysh që ky sektor ka filluar të zhvillohet nga zeroja”, theksoi Gërguri.

Kriza e fundit financiare vuri në pah rritjen e rreziqeve për sektorët bankar në nivel ndërkombëtar dhe nevojën për një qasje më të kujdesshme në menaxhimin e rrezikut.

Sipas ministrit të Financave, Bedri Hamza, pavarësisht krizës në eurozonë, sistemi bankar në Kosovë ka vazhduar me aktivitete, duke qenë një mbështetës mjaft serioz i rritjes ekonomike të vendit.

“Edhe pse me një rritje të ngadalësuar, bankat kanë vazhduar me kreditimin e bizneseve dhe ekonomive familjare duke ofruar një gamë të larmishme të produkteve kreditore. Burimet e financimit, që në vendin tonë janë kryesisht depozitat, kanë vazhduar të rriten edhe në vitet e fundit, dhe kjo dëshmon se besimi i qytetarëve në sistemin bankar të vendit është stabil dhe në rritje”, u shpreh Hamza, duke shtuar se sistemi bankar në Kosovë vazhdon të jetë mjaft profitabil, mirë i kapitalizuar dhe likuid.

Këta tre indikatorë, sipas Hamzës, janë bazë për një sistem të qëndrueshëm bankar.

Hamza tregoi reformat që Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë kundrejt rreziqeve që mund t’i ketë sistemi bankar i Kosovës nga kriza ekonomike, e cila kishte prekur shumë shtete të botës.

“Duke ditur se Banka Qendrore e Kosovës nuk disponon më nga instrumentet e politikës monetare, pasi që ne përdorim euron. Fokusi i Qeverisë ka qenë në ndërtimin e një sistemi tatimor që është i thjeshtë me bazë të gjerë tatimore dhe norma relativisht të ulëta”.

“Ky sistem tatimor i ka mundësuar qeverisë gjenerim të të hyrave për t’i mbuluar shpenzimet e saj buxhetore. Në anën tjetër, politikat e shpenzuese të qeverisë, kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë drejt atyre fushave që në mënyrë direkte përmirësojnë ambientin për veprimin e sektorit privat”
, theksoi Hamza.

Në anën tjetër, guvernatori i Bankës Qendrore të Shqipërisë, Ardian Fullani, tha se qeveritë dhe bankat qendrore të rajonit kanë qenë më të kujdesshme, dhe këto strategji, siç theksoi guvernatori Fullani, mund të përdoren si përvojë edhe nga vendet e tjera evropiane.

“Qeveritë dhe bankat qendrore tona kanë qenë më të kujdesshme për të përdorur instrument më të qëndrueshëm tradicional në përshtatje me zhvillimet ekonomike dhe natyrën e këtyre zhvillimeve në Evropë dhe në vendet tona në përgjithësi. Dhe, unë mendoj se kjo është një vlerë e shtuar që mund të futet si eksperiencë edhe në vendet e tjera, të cilat kanë probleme të ngjashme, që ne i kemi pasur në vitet ‘90”, theksoi Fullani.
XS
SM
MD
LG