Ndërlidhjet

Kosovë: Rënie e madhe e eksportit


Ilustrim
Ilustrim
Kosova vazhdon të ketë deficit të lartë tregtarë. Sipas të dhënave të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, në periudhën janar - korrik të këtij viti, shkëmbimet tregtare kanë arritur vlerën prej 1 miliard e 500 milionë euro, ku kontributi i eksporteve në volumin tregtar është rreth 160 milionë euro, kurse importi 1 miliardë e 537 milionë.

Këto shifra, të cilat janë në favor të importit, sipas njohësve të çështjeve ekonomike, po e dërgojnë vendin në një deficit të lartë tregtar. Ata thonë se autoritetet e Kosovës duhet të marrin masa konkrete për favorizimin e prodhuesve vendorë, në të kundërtën eksporti do të shënojë edhe më shumë rënie në një periudhë të afërt.



Njohësi i çështjeve ekonomike, Mejdi Bektashi, thotë për Radion Evropa e Lirë se konkurrenca e madhe në tregjet rajonale dhe evropiane ka bërë që eksporti i Kosovës të pësojë rënie.

“Duhet sa më parë të kemi një strategji gjithëkombëtare në bashkëpunim me Shqipërinë që disa produkteve t’iu jepet prioritet ose edhe të subvencionohen nga buxheti i shtetit, që të bëjmë edhe rritjen e eksporteve, por edhe në anën tjetër, të bëjmë zëvendësimin e importeve me produkteve vendore”, vlerëson Bektashi.

Vazhdimisht është theksuar nga ekspertët se pa përmirësimin e politikave fiskale produktet kosovare nuk do të mund të jenë konkurruese, dhe në këtë mënyrë nuk do të mund të eksportohen.

Profesor Bektashi thekson se edhe kriza ekonomike në Eurozonë, ka bërë që eksporti i Kosovës të bjerë.
Tendenca e rënies së eksporteve ka të bëjë me konkurrencën e madhe në tregjet rajonale dhe evropiane.

“Tendenca e rënies së eksporteve ka të bëjë me konkurrencën e madhe në tregjet rajonale dhe evropiane, por në anën tjetër, kemi të bëjmë edhe me rënien e çmimeve të disa produkteve të metaleve në bursat botërore, që automatikisht reflektohet në uljen e vlerës së eksporteve”, thekson Bektashi.

Kosova kryesisht eksporton metale dhe minerale. Dy eksportuesit më të mëdhenj të Kosovës që eksportojnë metale janë “Ferronikeli” dhe “Trepça”.

Përfaqësuesit e këtyre dy kompanive kishin deklaruar se ka pasur rënie të eksportit. Kjo rënie, sipas tyre, kishte ndodhur për shkak të krizës ekonomike botërore, e cila ka goditur industrinë e metaleve.

Zëdhënësja e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Arta Istrefi, thotë se Kosova ka deficit të lartë tregtar tash e sa vjet.

“Në periudhën janar - korrik të këtij viti, shkëmbimet tregtare kanë arritur vlerën prej 1 miliard e 500 milionë euro, ku kontributi i eksporteve në volumin tregtar është rreth 160 milionë euro, kurse importi 1 miliard e 537 milionë. Këtu vërehet se kemi një disbalanc tregtar”, thotë Istrefi.

Për të përmirësuar këtë gjendje,zëdhënësja Istrefi thotë se Ministria e Tregtisë dhe Industrisë është duke bërë reforma në përmirësimin i ambientit për të bërë biznes, si dhe në lehtësirat tregtare, në mënyrë që, siç thekson ajo, bizneset kosovare të fokusohen më tepër në prodhim.

Ndryshe, shkëmbimet tregtare gjatë vitit të kaluar kanë qenë në vlerë prej 2 miliardë e 800 milionë euro, ku eksporti ka qenë 319 milionë, përderisa importi rreth 2 miliardë e 492 milionë euro.

Ndërkaq, në vitin 2010 shkëmbimet arrinin vlerën 2 miliardë e 450 milionë, ku eksportet ishin vetëm 296 milionë, kurse importet 2 miliardë e 100 milionë euro.
XS
SM
MD
LG