Ndërlidhjet

SHBA: Panetta kërkon mirënjohje nga Karzai

  • RFE /RL

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Leon Panetta, i ka bërë thirrje presidentit të Afganistanit, Hamid Karzai, të ndalojë së kritikuari ushtarët e huaj, të cilët kanë vdekur duke luftuar militantët në Afganistan.

Ditë më parë, Karzai ka thënë se forcat e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara kanë dështuar të ndjekin militantët, të cilët kryejnë sulme në Afganistan dhe kthehen në strehë të sigurta në Pakistan.

Paneta ka thënë se Karzai, në vend të kësaj, duhet të shprehë falënderim për sakrificat e trupave të NATO-s.

“Ne kemi bërë përparim në Afganistan, sepse ka burra dhe gra në uniformë, të gatshëm për të luftuar dhe vdekur për sovranitetin e Afganistanit dhe të drejtën e tij për të qeverisur dhe siguruar veten. Kemi humbur mbi 2,000 burra dhe gra”.

“Mendoj se do të ishte e dobishme nëse presidenti afgan shpreh falënderimet e tij për sakrificat e atyre që kanë luftuar dhe vdekur për Afganistanin”
, ka thënë Panetta.

Tensionet ndërmjet qeverive të Shteteve të Bashkuara dhe Afganistanit janë rritur së fundmi për shkak të “sulmeve të brendshme”, në të cilat forcat afgane të sigurisë ose kryengritësit e veshur me uniformë sulmojnë trupat e huaja.

Mbi 50 ushtarë të NATO-s kanë vdekur në sulme të tilla gjatë këtij viti. Kryengritësit talibanë kanë marrë përgjegjësinë për shumicën e tyre, duke thënë se militantët kanë infiltruar forcat e udhëhequra nga NATO-ja.

Zyrtarët e NATO-s kanë thënë se infiltrimi mund të jetë arsye për sulmet, por kanë sugjeruar po ashtu se tensionet dhe marrëdhëniet e varfra personale ndërmjet aleatëve të NATO-s dhe atyre afganë mund të jenë faktorë.(v.t.)
XS
SM
MD
LG