Ndërlidhjet

logo-print

(S’)Zbatohet Ligji i punës?!


Punëtorë ndërtimtarie në Kosovë (Foto nga arkivi)

Punëtorë ndërtimtarie në Kosovë (Foto nga arkivi)

Të drejtat e punëtorëve në Kosovë nuk po respektohen, pavarësisht faktit se tashmë ekziston Ligji i punës, i cili obligon punëmarrësit që t’i mbrojnë punëtorët, thonë përfaqësues të shoqërisë civile.

Sipas Qendrës për Politikë dhe Avokim, shkeljet e të drejtave të punëtorëve janë të ndryshme, por kryesisht kanë të bëjnë me mungesë të kontratave dhe orarin e stërzgjatur të punës në sektorin privat.

Shqipe Pantina, drejtoreshë ekzekutive në këtë qendër, thotë se sektori i ndërtimtarisë dhe hotelerisë nuk e zbaton Ligjin e punës.
...pothuajse të gjithë personat që i kemi intervistuar, kanë pohuar se ata pjesërisht ose fare nuk i përdorin mjetet e sigurisë, pasi në shumicën e rasteve kompanitë nuk i posedojnë fare.

“Më shqetësuese mbetet siguria në punë. Profesionet që i përmenda më herët, sidomos ai i ndërtimtarisë, kërkon me ligj që punëtorët të kenë masa sigurie në punë - të përdorin mjete të sigurisë për vetëmbrojtje. Në fakt, pothuajse të gjithë personat që i kemi intervistuar, kanë pohuar se ata pjesërisht ose fare nuk i përdorin mjetet e sigurisë, pasi në shumicën e rasteve kompanitë nuk i posedojnë fare”, thotë Pantina.

Edhe anëtarë të Këshillit Ekonomik Social pohojnë se nuk janë të kënaqur me zbatimin e Ligjit të punës. Ky këshill përbëhet nga punëdhënësit, punëmarrësit dhe nga ekzekutivi.

Ali Dragusha, nga ky këshill, thotë se edhe në sektorin publik, ka shkelje të të drejtave të punëtorëve, konkretisht në moszbatimin e kritereve ligjore, pas shpalljes së konkursit për një vend pune.

“Shkelje ka në çështjen e orarit të punës, pasi është një orar i stërngarkuar; në çështjen e rangimit të kompensimit të pagave të tyre mujore, por edhe në çështjen e lëndimeve. Do të thotë, nuk kemi një kompensim të mirëfilltë, që ai mendon se e meriton, pasi përkohësisht është i paaftë për kryerjen e detyrave, për të cilat është përcaktuar”, pohon Dragusha.

Në nën tjetër, zyrtarë të Qeverisë thonë se Ligji i punës po zbatohet, por që ende nevojitet kohë për t’i vetëdijesuar punëdhënësit dhe punëmarrësit për efektet e këtij ligji.


Basri Ibrahimi, kryeinspektor i Inspektoratit të Punës, pranon se ka mosrespektim të të drejtave të punëtorëve, konkretisht në sektorin e ndërtimtarisë, por përpjekjet që kjo çështje të përmirësohet, nuk mungojnë.

Kryeinspektori Ibrahimi tregon se vetëm gjatë këtij viti kanë pasur mbi 3000 inspektime, janë shqiptuar 100 gjoba - 20 prej të cilave janë kompani ndërtimore.

“Gjatë këtij viti ne kemi pasur mbi 3000 inspektime, nga këto, në 1100 raste kemi dhënë vërejtje me shkrim, do të thotë se është një procedurë që nee zbatojmë kur shkojmë në inspektim dhe kur evidentojmë se ka ndonjë parregullsi, japim një afat kohor që ai të eliminohet. Për fat të mirë prej këtyre rasteve, vetëm në 100 raste kemi pasur shqiptim të gjobave”, bën të ditur Ibrahimi.

Gjoba më e lartë që është shqiptuar deri më tani, sipas Ibrahimit, ka vlerën 118 mijë euro, ndërsa ajo më e ulëta 500 euro.

Por, Ali Dragusha thekson se nuk është i kënaqur me inspektimin e Inspektoratit të Punës.

“Në këtë drejtim nuk jemi të kënaqur me Inspektoratin e Punës, duke pasur parasysh se kapaciteti i tyre, nuk mund të përballojë situatën e krijuar në shumë ndërmarrje që të kenë kontrollin e duhur”, shprehet Dragusha.

Ligji i punës është miratuar nga Kuvendi i Kosovës në muajin nëntor të vitit 2010, ndërsa zbatimi i tij ka filluar që nga 1 janari i vitit 2011.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG