Ndërlidhjet

logo-print

Daçiq insiston: Ndarja e Kosovës, zgjidhja e vetme


Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq.

Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq.

Ndarja e Kosovës është zgjidhja e vetme reale, ka thënë kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, në një intervistë për sllovenen “Delo”.

Kryeministri serb ka thënë se bëhet fjalë për qëndrimin e tij personal dhe se pikëpamjet e tij nuk mund t’ia imponojë gjithë Serbisë dhe bashkësisë ndërkombëtare.

“Vazhdoj të mendoj se kjo është zgjidhja më e shpejtë, më e mirë dhe më e drejtë, e cila është e pranueshme edhe për shqiptarët, edhe për serbët, sepse merr parasysh interesat e tyre legjitimë”, ka thënë Daçiq.

Ai ka vënë në pah këtë ide edhe disa ditë më parë, duke nxitur reagimin e autoriteteve kosovare.

Përfaqësues të Qeverisë së Kosovës kanë thënë se Serbia po tenton të krijojë telashe të reja dhe se ndarja do të shkaktonte “lëvizje tektonike” në rajon.

Duke folur për gazetën “Delo”, Daçiq ka thënë se Qeveria e tij, megjithatë, është e interesuar për zgjidhje paqësore dhe për vazhdim të dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

“Ky dialog, sipas mendimit tonë, duhet të përfshijë edhe çështjet politike dhe jo vetëm ato teknike”, ka thënë Daçiq.

Si autoritetet në Prishtinë, ashtu edhe ato në Beograd po bëjnë përpjekje për të arritur konsensus ndërpartiak për shndërrimin e bisedimeve nga teknike në politike.

Daçiq po ashtu ka thënë se pavarësia e Kosovës “nuk mund të jetë e plotë, përderisa nuk ka pajtim dhe marrëveshje me Serbinë”.

Më 10 shtator, Grupi Drejtues Ndërkombëtar, në përbërje të 23 shteteve evropiane, Shteteve të Bashkuara dhe Turqisë, i ka dhënë fund mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës.
XS
SM
MD
LG