Ndërlidhjet

Panetta paralajmëron për përhapjen e konfliktit sirian


Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Leon Panetta.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Leon Panetta.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Leon Panetta, ka paralajmëruar për rrezikun e përhapjes së konfliktit përtej kufijve të Sirisë. Komentet e tij vijnë pas incidenteve të ditëve të fundit ndërmjet Sirisë dhe Turqisë.

“Nëse konflikti fillon të zgjerohet në vendet fqinje si Turqia, mbetet për t’u parë. Por, është fakt që ka shkëmbime zjarri midis këtyre dy vendeve dhe kjo ngre shqetësime për zgjerimin e konfliktit”, ka thënë Panetta.

Duke folur gjatë vizitës në Peru, ai ka thënë se Uashingtoni është duke përdorur kanalet diplomatike për të paralajmëuar Turqinë dhe Sirinë kundër përshkallëzimit të mëtejshëm të situatës.

Tensionet e fundit ndërmjet Turqisë dhe Sirisë kanë nisur të mërkurën, kur një predhë nga Siria ka goditur në një qytet kufitar të Turqisë, duke vrarë pesë civilë.

Ministri i Jashtëm turk, Ahmet Davutogllu, ka thënë se është politikë e Turqisë të hakmerret ndaj çdo sulmi të Sirisë në territorin e shtetit turk.

Ai ka deklaruar se autorizimi i Parlamentit të Turqisë për aksione ushtarake përtej kufirit, ka për qëllim të parandalojë përhapjen e dhunës në Turqi.
XS
SM
MD
LG