Ndërlidhjet

Shqipëri: Marrja e statusit të kandidatit - shans për përfitime?


Ilustrim
Ilustrim
Kur po afrohet gjithnjë e më shumë vendimmarrja e Komisionit Evropian për statusin e Shqipërisë si vend kandidat i BE-së, politika flet pak ose aspak për atë çfarë do të përfitojnë konkretisht qytetarët.

Debati është kryesisht politik me akuza të ndërsjella jo pa tension.

Përfaqësuesit e disa organizatave të pavarura që operojnë në Tiranë, që përcjellin zhvillimin e proceseve integruese, thonë se një përgjigje pozitive për statusin do të krijojë kushte favorizuese për vendin.

Gjergji Filipi, drejtor i kërkimit në Institutin “Agenda”, ndalet fillimisht te shanset e reja për investime të huaja. Shqipëria, në krahasim me disa vende të tjera të rajonit, është dhe anëtare e NATO-s. Sipas Filipit, statusi do t’i forconte pozitën garantuese për investime të huaja.

“Pra, anëtarësimi në NATO e kuptuar me një status të marrë si vend kandidat do të na jepte një avantazh konkurrues ndaj vendeve të tjera të Ballkanit në sytë e një investitori global, që e përkthyer për interesin apo xhepat e qytetarëve, do të thoshte potencialisht më shumë vende pune, potencialisht më shumë kapital ndërkombëtar të investuar në Shqipëri”, thotë Filipi.

Por, sipas Filipit, kjo tërheqje investimesh nuk do të ndodhte thjesht dhe vetëm për shkak të statusit, pa u mbështetur nga një klimë e brendshme tërheqëse për biznesin.

“Sigurisht që kjo do të ishte një situatë kur ne do ta konsideronim për të mirëqenë faktin që në Shqipëri klima investuese është pozitive, kemi një gjyqësor të paanshëm, kemi një sistem tatimor të programueshëm, e shumta një sistem tatimor dhe fiskal tërheqës në krahasim me vendet e tjera të rajonit”.

“Ka dhe një listë gjërash që ne do të vazhdojmë t’i bëjmë për së brendshmi, përpos këtyre zhvillimeve për së jashtmi. Por, përgjithësisht një shpërndarje e poleve apo e epiqendrave tërheqëse ndaj investimeve të huaja në Ballkan ndodh menjëherë pas marrjes së këtyre vendimeve politike për statusin”
, vlerëson Filipi.

Si fakt, marrja e statusit do të krijonte shanse për të përfituar financime nga tri burime fondesh të Bashkimit Evropian.

Por, Gledis Gjipali, drejtor ekzekutiv i Lëvizjes Evropiane, thotë se krijimi i shansit duhet të shoqërohet me ngritjen e institucioneve që do t’i bëjnë këto fonde të disbursueshme.

“Këta komponentë janë të rëndësishëm se kanë të bëjnë me fermerët, biznesin, punësimin, trajnimet, rritjen e aftësive profesionale. Ndonëse ligjërisht hap mundësinë për të përfituar nga fondet e BE-së, jo automatikisht këto fonde bëhen të aksesueshme, sepse ka dhe kushte të tjera që kanë të bëjnë me ngritjen e institucioneve shtetërore të afta për t’i menaxhuar këto fonde, të afta për t’i disbursuar ato”.

“Po të marrim shembuj të vendeve të tjera të rajonit që e kanë kaluar këtë fazë, siç është Maqedonia, mund të themi që i është dashur një periudhë 3 deri 4 vjeçare pas marrjes së statusit, për të përfituar drejtpërdrejt nga ndihma e BE-së”
, shprehet Gjipali.

Në garë për të përfituar prej tre komponentëve të ndihmës së Bashkimit Evropian janë të gjitha vendet e unionit. Ky fakt e bën sfidën për Shqipërinë për të përfituar nga ndihma shumë më të vështirë, sikurse ka qenë apo është për disa vende rishtare anëtare të BE-së.

“Kjo është një problematikë që është e përhapur jo vetëm në Maqedoni, por në të gjitha vendet e Ballkanit, apo dhe Rumani e Bullgari, të cilat edhe pas anëtarësimit kanë pasur probleme në përfitimin e fondeve, pikërisht për shkak të mungesës së kapaciteteve administrative. Ky është një nga problemet më të mëdha për vendet pak të zhvilluara, duke ditur që Bashkimi Evropian funksionon në kushtet e konkurrencës së ndershme, e hapur për të gjithë”, sqaron Gjipali.

Procesi i integrimit parashikon në vazhdim edhe çmimin, që do të ndikojnë direkt jetën e qytetarëve. Siç thotë Filipi, integrimi nënkupton një mënyrë funksionimi sipas rregullave të unionit, çfarë do të jetë e paevitueshme herët a vonë.

“Në mënyrë që vendi të bëhet anëtar i mirëfilltë i Bashkimit Evropian, duhet të plotësojë ca kushte. Këto kushte vijnë me kosto, për shembull duhet të plotësojmë kushtin që të mos kemi më në qarkullim makina të vjetra. Ky lloj kushti që nuk ndot ambientin, do të thotë që ata shqiptarë që s’mund të përballojnë makinat e reja, do të mbesin pa makinë apo kushti që duhet të respektohet Ligji për mospirje të duhanit në vende publike”.

“Ky kusht do të vijë me kosto ndaj klubeve. Klubet do të humbasin biznesin që ta respektojnë këtë kusht. Pra, sigurisht që është mirë që të anëtarësohesh në familjen evropiane, sigurisht që është mirë të kesh një model jetese të ngjashëm me vendet më të zhvilluara të globit, por ky nivel jetese vjen me një kosto të caktuar që do ta përballojnë në një moment të caktuar qytetarët”, thekson Filipi.

Vendimi i tetorit qartësisht do të hapë një perspektivë të re mundësish, të cilën sërish politika e ka në dorë të përfitojë herët ose vonë prej saj. Filipi thotë se deri tani, pa dallim të majtë e të djathtë ia kanë dalë me sukses ta vonojnë integrimin, duke privuar shqiptarët nga një e drejtë e merituar.

“Gjërat nuk kanë ecur aq shpejt sa ç’do të meritonim ne. Nga ana tjetër, a e kemi ne gjenetikën e të qenët evropian apo anëtarë të BE-së?! Unë mendoj që po! Çështja është që sistemin, të cilin e kemi ngritur ne - jo individin, por sistemin - e kemi me gropa. Për mendimin tim, për këtë, fajin na e kanë politikanët që kanë drejtuar vendin gjatë viteve të tranzicionit. Do të kenë një mallkim brezash me vete këta, sepse i kanë prishur punë Shqipërisë në një gjë që Shqipëria e shqiptarët e meritonin”, përfundon Filipi.
XS
SM
MD
LG