Ndërlidhjet

Psikoterapi për ata që duan ndarjen e Kosovës


Republika e Kosovës
Republika e Kosovës
Ndarja e Kosovës - një opsion që përgjatë viteve të fundit ka mbizotëruar qëndrimin politik të Beogradit karshi veriut të vendit, e që është zhdukur më pas për një kohë të caktuar nga tryeza e mundësive për zgjidhjen e kësaj çështjeje- është shfaqur sërish.

Me gjithë kundërshtimin kategorik të Prishtinës zyrtare dhe bashkësisë ndërkombëtare, bindjen se ndarja është opsioni më i mirë për zgjidhjen e problemit të veriut e ritheksoi një ditë më parë, kryeministri serb, Ivica Daçiq.

Por, njohësit e rrethanave politike në Serbi e Kosovë hedhin poshtë mundësinë për jetësimin e kësaj ideje. Ata konsiderojnë se me realizimin e saj, Serbia do të njihte shtetësinë e Kosovës duke ia ndryshuar tërësinë territoriale - gjë që bie ndesh me politikën aktuale se “nuk do të njihet kurrë pavarësia e Kosovës”.

Drejtori i Forumit për Marrëdhënie Etnike në Beograd, Dushan Janjiq, thotë se një pjese të politikanëve serbë dhe atyre që e mbështesin idenë për ndarje, u nevojitet, siç shprehet ai, një psikoterapi për t’ua bërë të qartë pamundësinë e zbatimit të këtij opsioni në realitetin ekzistues.

Dushan Janjiq
Dushan Janjiq
“Mendoj se do të ishte shumë e nevojshme që të organizohet një lloj terapie psikologjike - ose psikoterapi, dhe një diskutim joformal lidhur me ndarjen. Nuk është vetëm Daçiq ai që flet për këtë gjë, por i kemi edhe disa ish-zyrtarë, si për shembull Steven Meyer, apo ish-zyrtari i Kombeve të Bashkuara Gallucci, që mbajnë të gjalla shpresat se ndarja është zgjidhje”, shprehet Janjiq, për të shtuar se pjesa dërrmuese e njerëzve në Serbi janë në kërkim të një zgjidhjeje të shpejtë në raport me Kosovën.

Analisti serb shfaq rëndësinë për zbatimin e marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut të deritashëm ndërmjet Prishtinës e Beogradit, ndërsa thotë se duhet të punohet fuqishëm në normalizimin e raporteve ndërmjet palëve dhe gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme për problemin e veriut të Kosovës.

Hulumtuesi i Institutit Kosovar për Kërkime dhe Zhvillimin e Politikave-KIPRED, Shpend Kursani, thotë se heshtja aktuale dhe mungesa e ofrimit të ideve nga pala kosovare, flasin për mungesën e vizionit që ka Kosova për zgjidhjen e problemit të veriut.
Ne po kemi frikë ta themi qëndrimin tonë, ndërsa po presim të na e thonë.

“Ne po kemi frikë ta themi qëndrimin tonë, ndërsa po presim të na e thonë. Serbia po e tregon veten si një aktor - një palë serioze në dialog dhe kjo tregon se më shumë do t’i dëgjohen Serbisë dëshirat në dialog se sa delegacionit apo pozicionit të Kosovës”, thotë Kursani.

Ai thekson se viktimë e qëndrimit të Beogradit ndaj problemit për veriun e Kosovës janë bërë serbët lokalë të asaj pjese, të cilët vazhdojnë të jetojnë në një status-quo.

Integrimi i këtyre të fundit, ndërkaq, shihet si e vetmja mundësi, të cilën Prishtina zyrtare është zotuar se do ta zbatojë në javët dhe muajt e ardhshëm.

Problemi kryesor në këtë drejtim thuhet se mbetet funksionimi i strukturave paralele serbe në zonat përtej lumit Ibër në Mitrovicë dhe mungesa e sundimit të ligjit atje.

Problemi i veriut pritet të jetë temë boshte e një dialogu më politik ndërmjet Kosovës e Serbisë, që është paralajmëruar të ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
XS
SM
MD
LG