Ndërlidhjet

Mbi 1 milion euro pasuri e paligjshme


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Edhe pse në Kosovë ende nuk janë krijuar mekanizmat ligjorë për konfiskimin e pasurisë, në vend ekzistojnë agjenci të cilat administrojnë pasurinë e fituar në mënyrë ilegale.

Një agjenci e tillë është krijuar në vitin 2010, që sipas udhëheqësve të saj, vetëm për gjashtëmujorin e parë të këtij viti, kanë nën administrim mbi 1 milion e 100 mijë euro.

Kryeshefi i Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar, Rrahim Rama, thotë se rastet e sekuestrimeve dhe konfiskimeve gjatë vitit 2012 kanë shënuar rritje.

Rama tregon se pas marrjes së ndonjë vendimi përfundimtar nga institucionet gjegjëse, pasuritë i mban Banka Qendrore e Kosovës dhe objektet tjera të ndërtuara pikërisht për këto çështje.

Vetëm në gjashtëmujorin e parë të këtij viti ne kemi në administrim 1 milion e 100 mijë euro. Ne për momentin administrojmë makineri të rëndë, bizhuteri, ari dhe vetura. Në momentin kur merret një vendim, ne i deponojmë në Bankën Qendrore të Kosovës, gjithashtu edhe arin ne e deponojmë në Bankën Qendrore të Kosovës. Ndërsa makineritë e rënda dhe veturat, i kemi depot ku i administrojmë”, thotë Rama.

Ai bën të ditur për Radion Evropa e Lirë se gjatë nëntëmujorit të këtij viti, nga gjykata për në agjenci janë proceduar 61 raste të konfiskimit dhe sekuestrimit të pasurisë së paligjshme.

“Nga prokuroria i kemi 11 raste, prej agjencisë se ushqimit dhe veterinarisë 11 raste, dogana 27 raste, Këshilli i Pavarur për Miniera dhe Minerale 12 raste, pra këto raste janë në procedurë, disa janë konfiskuar dhe sekuestruar”, shprehet Rama.


"Shumë simbolike"


Nga ana tjetër, përfaqësuesit e Institutit Demokratik të Kosovës, konsiderojnë se Kosova ende nuk ka kapacitet për ta luftuar krimin e organizuar.

Merita Mustafa, menaxhere e programit Transparenca dhe Anti- Korrupsioni në KDI thotë se Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar, nuk mund të luajë rolin e saj nëse nuk punojnë institucionet tjera të cilat e kanë për detyrë luftimin e krimit ekonomik.

Mustafa konsideron se administrimi i mbi 1 milion e 100 mijë euro është një shumë simbolike, pasi që, siç thotë ajo, krimi ekonomik në Kosovë është shumë i madh.

Defektet janë se nuk kemi kapaciteti si shtet për ta luftuar krimin e organizuar, apo luftimin e dukurisë për shpëlarjen e parave. Prandaj edhe është kjo shumë kaq e vogël, duke e marrë parasysh nivelin e krimit të organizuar apo krimit ekonomik që bëhet, kjo është një shumë simbolike. Duhet të ngrihet kapaciteti i institucioneve përgjegjëse, të cilat mund t’i luftojnë keto dukuri”, thekson Mustafa.

Por, Rrahim Rama sqaron se vlera milionëshe e përmendur tregon vetëm shumën e administrimit nga agjencia dhe jo sekuestrimet apo konfiskimet.

Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar, ka një depo në Lipjan dhe një tjetër në burgun e Smrekovnicës, afër qytetit të Mitrovicës, ku i mban pasuritë, që janë automjete udhëtarësh, kamionë dhe pajisje të tjera ndërtimore.

Pasuria e konfiskuar shitet përmes ankandeve publike dhe paratë dërgohen në buxhetin e Kosovës, derisa produktet me afat të shkurtër skadimi kërkohet nga autoritetet kompetente, që të lejohet shitja e atij malli, në mënyrë që shuma e tij të kthehet në vlerë monetare.

Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar ishte themeluar më 1 janar 2010.

Ajo funksionon në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, dhe ka për detyrë të ruajë dhe administrojë pasurinë e sekuestruar ose të konfiskuar në bashkëpunim me prokuroritë, gjykatat, Këshillin e Pavarur për Miniera e Minerale si dhe Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës në Kosovë, përfshirë shitjen e kësaj pasurie dhe vlerësimin e saj.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG