Ndërlidhjet

Qeveria e Turqisë e ka marrë miratimin e parlamentit për operacione ushtarake jashtë kufijve të vet, që nënkupton në Siri.

Tensionet ndërmjet Turqisë dhe Sirisë po vazhdojnë të rriten. Tash e pesë ditë të dy vendet kanë shkëmbyer të shtëna artilerike ndërkufitare.

Por, analisti Sinan Ulgen, nga Qendra për Studime Ekonomike dhe Politike në Stamboll, konsideron se ekziston shpresa se luftë nuk do të ketë.

Qeveria e Turqisë dëshiron t’i parandaloj agresionet e ardhshme të Sirisë dhe për këtë arsye po i ndërmerr të gjithë këta hapa. Prandaj, nëse parandalimi funksionon në këtë rast dhe porosia shkon në vend, ekziston shpresa se kjo do të ndihmoj në uljen e tensioneve dhe të përshkallëzimit”, thotë analisti Sinan Ulgen.

Megjithatë, ai thekson se dhënia e lejes nga ana e Parlamentit të Turqisë, që për një vit të mund të dërgohen trupat në Siri, e vë Turqinë në binarë të luftës, fakt ky që Siria nuk mund ta injorojë.

Por, kjo nuk do të thotë se i vetmi interes i Turqisë në krizën e Sirisë, thjesht, është parandalimi i incidenteve të ardhshme kufitare.

Ankaraja ishte në mesin e shteteve më të zëshme, në thirrjen për ndryshim të regjimit në Siri, dhe për intervenim ndërkombëtar për ta ndalur vrasjen e civilëve.

Për këtë Turqia ka edhe arsye.

Njëra arsye është arritja e refugjatëve sirianë në Turqi. Zyrtarisht, atje janë më se 93 mijë refugjatë në kampet përgjatë kufirit të Turqisë me Sirinë. Raportohet se më se 50 mijë refugjatë sirianë të tjerë jetojnë jashtë kampeve.

Por, njësoj brengosëse për Ankaranë është edhe shqetësimi se kaosi në Siri po e ndihmon luftën e kryengritësve separatistë kurdë kundër forcave të Turqisë.

Zëvendëskryeministri i Turqisë, Besir Atalay, e ka akuzuar Sirinë se direkt po e ndihmon Partinë Punëtore të Kurdistanit (PPK). “Siria e përdorë organizatën terroriste PPK kundër Turqisë me të gjitha qasjet dhe politikat e saj negative”.

Por, sa i përket intervenimit eventual ndërkombëtar në Siri, analisti Sinan Ulgen, thotë se ka pak mbështetje në mesin e opinionit në Turqi.

Shumica e popullatës turke konsideron se politika e qeverisë për Sirinë është shumë e ashpër dhe shumë njerëz mendojnë se ajo që po ndodhë në Siri është shqetësim për sirianët dhe komuniteti ndërkombëtar nuk duhet të intervenojë”, thotë Ulgen.

Kjo ndikon në atë që Ankaraja eventualisht do të duhej të mendonte për një koalicion të gjërë ndërkombëtar.

Turqia ishte në mesin e vendeve më të zëshme të grupit Miqtë e Sirisë, që synon shtim të presionit ndaj presidentit sirian Bashar al-Assad, derisa Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, mbetet i bllokuar për shkak të kundërshtimeve nga Rusia dhe Kina.

Duket se Turqia është më tepër e interesuar për involvimin e aleatëve në NATO. Pas çdo përleshjeje me Sirinë ka kërkuar takime të jashtëzakonshme në aleancë, jo vetëm lidhur me hedhjen reciproke ndërkufitare të predhave, por edhe lidhur me rrëzimin e aeroplanit ushtarak turk nga ana e Sirisë, me ç’rast janë vrarë dy pilotë, në muajin qershor.

Ekspertët për NATO-n theksojnë se thirrja eventuale, që aleanca mbrojtëse të intervenojë në Siri, në bazë të asaj se shteti anëtar i NATO-s, Turqia, ishte sulmuar, nuk do të thotë domosdoshmërish se NATO-ja do të veproj.

Në këtë aspekt Barbara Zanchetta, nga Qendra për Politikë të Sigurisë në Gjenevë të Zvicrës, thotë:

Kjo nuk është automatike. Këshilli i NATO-s duhet të vendos se a do ta mbështesë apo jo vendin, që ishte sulmuar dhe zakonisht duhet të mbështetet në mënyrë unanime, pa asnjë vërejtje”, thotë ekspertja Barbara Zanchetti.

Pas të shtënave artilerike kufitare, të javës së kaluar, aleanca tha vetëm se “vazhdon të qëndroj me Turqinë dhe kërkon ndalje të menjëhershme të akteve të tilla agresive kundër aleatit të saj”. (f. b.)

Trego komentet

XS
SM
MD
LG