Ndërlidhjet

Daçiq: Nuk u ik përgjegjësive të dialogut


Ivica Daçiq (Foto nga Arkivi)
Ivica Daçiq (Foto nga Arkivi)
Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se nuk u ik përgjegjësive kur bëhet fjalë për vazhdimin e dialogut me Kosovën, por, sipas tij, është me rëndësi të caktohet qëllimi i dialogut.

Duke komentuar paralajmërimin e presidentit të Serbisë, Tomisllav Nikolliq, se do ta propozojë atë për kryenegociator të ekipit serb, Daçiq ka thënë se nuk është definuar ende vendimi për vazhdimin e dialogut.

“Edhe në fushatën parazgjedhore, kam thënë se do të marr përgjegjësinë. Por, duhet të dimë se çfarë bisedimesh do të udhëheqim, me çfarë qëllimi dhe a e kanë miratimin e të gjithëve në Qeverinë e Serbisë”, ka thënë Daçiq, raportojnë mediat serbe.

Sipas tij, Serbia është e përcaktuar për zgjidhje paqësore të problemeve.

Prishtina dhe Beogradi kanë arritur shtatë marrëveshje në kuadër të dialogut teknik, por zbatimi i tyre ka ngecur.

Së fundmi, janë shtuar gjithnjë e më shumë zërat për shndërrimin e bisedimeve nga teknike, në politike.
XS
SM
MD
LG