Ndërlidhjet

Xhamia në Prishtinë - simbol i tolerancës fetare


Vendoset gurëthemeli për ndërtimin e xhamisë
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:59 0:00

Vendoset gurëthemeli për ndërtimin e xhamisë

Është vendosur në Prishtinë gurëthemeli për ndërtimin e xhamisë, e cila pritet të jetë një nga objektet më të mëdha fetare të besimit islam në rajon.

Gurëthemelin për ndërtimin e projektit diku 20 milion eurosh e vendosën përfaqësues të Bashkësisë Islame të Kosovës dhe krerët e institucioneve ekzekutive dhe legjislative të vendit.

Xhamia që do të ndërtohet disa qindra metra larg Katedralës së qytetit, sipas tyre, do të jetë simbol i tolerancës ndër-fetare në Kosovë.

Kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava, tha se xhamia qendrore nuk do të shërbejë vetëm si faltore por se do të ketë edhe rol edukativ.

Kjo xhami do të shërbejë për edukimin e popullatës në përgjithësi; do të jetë në shërbim të ardhmërisë së popullit dhe vendit tonë. Do të jetë një vend ku do të mësohet, shpjegohet e kultivohet mirëkuptimi, humaniteti, toleranca, respekti, dashuria e sinqeriteti-ku do të avancohen vlerat qytetëruese e përparimtare”, u shpreh ai.

Xhamia do të ndërtohet shumë afër objektit të Postë Telekomit të Kosovës ku, për të marrë pjesë në vendosjen e gurëthemelit të këtij objekti fetar, ishin mbledhur dhjetëra qindra qytetarë-kryesisht të besimit islam.

Të pranishëm në ceremoninë e vënies së gurëthemelit ishin edhe përfaqësues të Kishës Ortodokse dhe asaj Katolike në Kosovë.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, theksoi se Kosova është shtet multi-kulturor e multi-fetar dhe shtet gjithëpërfshirës, që respekton vullnetin e qytetarëve të tij.

Feja në Kosovë sot është promotor i paqes dhe urtësisë, i bashkëjetesës dhe i solidaritetit në mes të njerëzve. Është urë lidhëse në mes të gjitha komuniteteve. Ajo mund të ndërtojë të sotmen e përbashkët duke hapur rrugë të së ardhmes për shtetin tonë gjithëpërfshirës”, u shpreh Jahjaga gjatë fjalimit të saj, i cili nisi nën fishkëllimat protestues të disa pjesëmarrësve në ceremoni që mbanin në duar pankarta me mbishkrimin “Atifetja e ka harruar Kur’anin” dhe “Poshtë qeveritarët që helmojnë islamin”.

Personat në fjalë, megjithatë, nuk arritën të ndërprejnë ceremoninë meqë u larguan nga pjesëtarë të mekanizmave të sigurisë.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, foli për rëndësinë e bashkëjetesës dhe respektimit ndër-fetar, ndërsa dënoi tendencat për praktika fundamentaliste.

Tendencat për praktika fondamentale apo politike nuk i duhen askujt. Ato i kanë sjellë dëm jo vetëm besimeve dhe politikave por edhe mbarë shoqërisë njerëzore”, theksoi ai.

Çështja e bashkëjetesës së feve dhe kulturave, sipas kryeministrit Hashim Thaçi, është bërë një nga sfidat më të mëdha për shumë shtete.

Duke theksuar karakterin laik të Kosovës Thaçi tha se kushtetuta dhe ligjet e vendit garantojnë liritë fetare.

Republika e Kosovës është një shtet sekular me Kushtetutën, ligjet dhe politikat e tjera që janë ndër më të avancuarat në rajon dhe Evropë”, u shpreh kreu i ekzekutivit kosovar
XS
SM
MD
LG