Ndërlidhjet

Maqedoni: Diaspora, shpëtimtare e ekonomisë


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Banka Popullore e Maqedonisë ka bërë të ditur se në shtatë muajt e parë të vitit, transferet e mjeteve të kryera nga mërgata në Maqedoni, arrijnë vlerën prej 897,4 milionë euro.

Duke komentuar këto të dhëna, ekspertët shqiptarë për çështje ekonomike në Maqedoni, theksojnë se në kushte ku investimet e huaja janë dyfish më të ulëta nga ato të vitit të kaluar, gjegjësisht mezi arrijnë 99.2 milionë euro, thonë se mos të ishin mërgimtarët shqiptarq, ekonomia e Maqedonisë do të kishte falimentuar me kohë.

Po edhe BPM publikisht më në fund pranoi se transferet private që vijnë nga mërgata, paraqesin zërin e parë që ngushton deficitin tregtar që ka Maqedonia me shtetet tjera, do të thotë nuk janë investimet e huaja, por janë pikërisht këto transfere të mërgatës, këto remitenca të cilat kryesisht janë të diasporës shqiptare, që e mbajnë gjallë akoma ekonominë e këtij shteti dhe njëkohësisht ngushtojnë deficitin tregtar që Maqedonia e ka në bilanc negativ me të gjitha shtetet fqinje, përpos Kosovës”, thotë Visar Ademi, ekspert i ekonomisë.

Duke komentuar të dhënat e Bankës Popullore, Izet Zeqiri, ligjërues në UEJL, njëherësh dhe deputet i opozitës shqiptare nga RDK, konsideron se është koha e fundit për të kërkuar përgjegjësi prej Qeverisë së Maqedonisë, e cila nuk ka hartuar për këto dhjetë vjetët e fundit asnjë projekt konkret, që një pjesë të këtyre remitencave t’ua kthejë përmes investimeve në zonat e banuara me shumicë të popullatës shqiptare.

Ajo që është një pikëpyetje e madhe është se çfar bën Maqedonia për diasporën shqiptare, e cila mbush buxhetin e Maqedonisë. E dhembshme është se Maqedonia deri më tani, asgjë nuk ka ndërmarrë për ri-integrimin ekonomik të asaj diaspore dhe njëherazi të krijojë kushte që ajo diasporë, mjetet e akumuluara financiare në vendet e huaja t’i kanalizojë në atdhe”.

Mendoj se është koha e fundit që ne shqiptarët të kërkojmë llogari për të gjitha këto remitenca ku dhe si investohen nga shteti, sepse prej projekteve kapitale që kishte paraparë Maqedonia, asnjë projekt nuk është për shqiptarët. Tani jemi në muajin e 10-të, dhe akoma nuk është realizuar asnjëri prej projekteve të premtuara për shqiptarët”, thotë Zeqiri, duke shtuar se projekti ku shpenzohen më shumë para edhe më tej mbetet Shkupit 2014.

Ndërkohë, Visar Ademi, thotë se elita politike shqiptare, bashkë me diasporën, duhet të hartojë një strategji të re të veprimit të Maqedonisë kundrejt përvetësimit të investitorëve të huajë.

Tani, çka mund të bëjë shteti, në vend se të kërkojë investime të huaja në Indi, Amerikë, etj. atje ku nuk ka diasporë, të shkojë në ato vende ku vërtetë është diaspora, qoftë ajo shqiptare ose maqedonase, dhe të krijojë kusht, gjegjësisht favore, subvencone dhe lehtësime të ndryshme, që këta persona, pos që të dërgojnë remitenca përmes transfereve, të angazhohen, të kthehen këtu, me njohuritë që kanë marrë nga vendet e zhvilluara ekonomike, duke i kthyer në një vlerë, apo sipërmarrësi, duke hapur edhe vende të reja pune”, thekson Ademi.

Ai thotë se diaspora është burimi i vetëm ekzistencial për një numër të madh të familjeve shqiptare, ngase edhe të dhënat statistikore flasin se një e treta e popullatës së Maqedonisë është e papunë, dhe kjo shifër është më e lartë kur bëhet fjalë për shqiptarët.

Ndryshe, Qeveria e Maqedonisë, në drejtim të tërheqjes së investimeve të huaja, në pajtim me planin aksional, në mbledhjen e saj të fundit (javën e kaluar) ka sjellë vendim që në mënyrë aktive të zbatohen procedurat për hapjen e zonave teknologjike-industriale në Kërçovë, Tetovë, Prilep, Gjevgjeli, Rankovc, Strugë dhe Radovishku, ku do të përfshihen dhe lehtësime për përvetësimit të kapitalit të diasporës së Maqedonisë.
XS
SM
MD
LG