Ndërlidhjet

logo-print

“Xhihadi” - gabim i përvjedhur apo leksion shkollor?


Libri "Historia 6", faqe 109, botimi i vitit 2005

Libri "Historia 6", faqe 109, botimi i vitit 2005

Ajo që është paraqitur si fakt historik dhe shpjegim i tij, në librin e historisë për klasën e 6 të shkollës fillore, botimi i vitit 2005, të bashkautorëve Fehmi Rexhepi dhe Frashër Demaj, ka ngjallur reagime dhe debate të ashpra të bashkësisë më të madhe fetare në Kosovë - Bashkësisë Islame, autorëve të librit, sociologëve të religjionit, si dhe zyrtarëve qeveritarë përgjegjës për arsimin në Kosovë.



Në leksionin për “Lindjen dhe përhapjen e islamizmit”, në faqen 109 të këtij botimi, në përshkrimin e pesë detyrave kryesore (e që sipas fesë islame njihen si shtylla të këtij besimi), sipas mësimit të profetit Muhamed, thuhet se detyra e pestë për çdo mysliman është, “të marrë pjesë në luftë kundër të pafeve (atyre që besonin në shumë zotëra)”.

Në anën tjetër, sipas zyrtarëve të Bashkësisë Islame të Kosovës, në shpjegimet e këtij leksioni nuk është përfshirë fare, “Dëshmia për besimin në një Zot dhe se Muhamedi është profet i tij”, që siç thonë ata, është shtylla e parë e besimit islam, si dhe nuk është bërë renditja e këtyre shtyllave.
Me këto mësime, nxënësi, faktikisht, nuk merr një pasqyrë reale rreth besimit islam, mirëpo e ka një pasqyrë të devijuar të besimit.

Kryeimami i Kosovës, Sabri Bajgora, thotë se ky është shtrembërim dhe paraqitje joreale e shtyllave të besimit islam, dhe se në këtë mënyrë nxënësve të shtatë gjeneratave, u është mësuar gabimisht se e ashtuquajtura “Lufta e shenjtë” apo “Xhihadi” është një nga shtyllat e islamit.

Kjo sipas tij është krejtësisht në kundërshtim me parimet e islamit.

Me këto mësime, nxënësi, faktikisht, nuk merr një pasqyrë reale rreth besimit islam, mirëpo e ka një pasqyrë të devijuar të besimit. T’ia mësosh një nxënësi në klasën e 6-të se lufta e shenjtë është luftë kundër të pafeve, që në këtë rast nënkupton të gjithë të tjerët përveç myslimanëve, ky është një absurditet dhe nuk përkon me frymën e paqes dhe tolerancës, që islami i ngërthen në thelbin e tij. Prandaj, kjo është një fyerje e madhe për neve”, tha Bajgora, për Radion Evropa e Lirë.

Bashkë-autori i librit të historisë për klasën e 6-të të arsimit fillor, prof. dr. Fehmi Rexhepi, thotë se ato që janë shkruar në pasusin ku përshkruhen detyrimet e myslimanëve, sipas profetit Muhamed, u përmbahen kontekstit kohor dhe janë fakte të sakta.

Ne historinë e klasës së gjashtë mësohet historia e mesjetës e jo historia e sotme, jo islami i sotëm.
Kjo është për kohën kur ka lindur dhe është zhvilluar islami. Kur ka lindur, do të thotë në shekullin e shtatë, atëherë ajo ka qenë luftë kundër të pafeve, të atyre që kanë besuar në shumë zotëra, për t’u përhapur".

"Në historinë e klasës së gjashtë mësohet historia e mesjetës e jo historia e sotme, jo islami i sotëm. Qëllimi është zhvillimi historik i islamit, lindja dhe zhvillimi i islamit dhe islamizmit. Tash, ata, çka donë? Kujtojnë se tash historinë duhet ta bëjmë krejt me islamizëm dhe të mësohet në detaje
”, thotë Rexhepi për Radion Evropa e Lirë.

Por, kryemami Bajgora, thotë se ashtuquajtura “lufta kundër të pafeve” nuk ka qenë kurrë dhe në asnjë kontekst kohor shtyllë e islamit.

Me kompetencë të plotë e them se këtu është fjala për ‘luftën e shenjtë’ që e quajnë ‘xhihad’, e cila nuk ka të bëjë fare me të, sepse ‘xhihadi’ apo lufta askund nuk përmendet në kushtet e islamit. Mirëpo, kjo është një pjellë e njerëzve dashakeq, që dëshirojnë që islamin ta përdhosin dhe ta paraqesin në atë formë që nuk është, ta stërkeqin”, thekson Bajgora.

Ndryshe, Rexhepi, këmbëngulë se ajo që është shkruar është e saktë dhe ju referohet rezultateve deri në kohën kur është botuar libri.

Ajo që është shkruar në vitin 2005, do me thënë, ka qenë e shkruar në rrethana të caktuara dhe në bazë të rezultateve të deriatëhershme. Kështu është interpretuar në të gjitha tekstet e historisë, të periudhës, gati se, pothuaj, në tërë botën”.

Por, prof. dr. Ismail Hasani, ekspert i sociologjisë së religjioneve, thotë për Radion Evropa e Lirë, se në asnjë material apo literaturë që mbështetet në faktet shkencore, nuk i ka rastisur të gjejë që e ashtuquajtura “lufta kundër të pafeve” të jetë ndër shtyllat e besimit islam.

Ajo që në këtë kontekst është thënë në librin e historisë të klasës së 6-të, ai e quan gabim.

Asnjë prej religjioneve monoteiste, në rastin konkret islami, në shtyllat e veta fundamentale të besimit, nuk e përfshijnë ‘luftën kundër të pafeve’, përkatësisht të atyre që nuk janë të fesë së njëjtë. Formulimet e tilla, nëse ky tekst ka vazhduar të qëndrojë dhe të jetë në përdorim në nivelin e shkollimit në Kosovë, është gabim".

"Prandaj, është i natyrshëm edhe reagimi edhe i bashkësisë fetare islame dhe është i arsyeshëm edhe reagimi i qarqeve të ndryshme studiuese, sepse kjo automatikisht nënkupton shtrembërim të fakteve historike
”, shprehet Hasani.

Ndryshe, libri “Historia 6”, është ribotuar në vitin 2012.

Në ribotimin e fundit, pasusi i kontestuar lidhur me 5 detyrat e myslimanëve, sipas profetit Muhamed, janë hequr tërësisht nga leksioni.

Zyrtarët e Bashkësisë Islame vlerësojnë se heqja e këtij pasusi mbase është bërë për shkak se është kuptuar gabimi.


Përgjegjësia dhe heshtja

Por, si e shohin këtë problematikë zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, përgjegjës për arsimin?

Selvije Halimi, këshilltare e ministrit për Arsim, Shkencë dhe Teknologjisë, Ramë Buja, thotë për Radion Evropa e Lirë se ajo që ka qenë e publikuar në botimin e vitit 2005 në librin “Historia 6”, nuk hyn në përgjegjësinë e mandatarit të tashëm.

Ky mandatar në Ministrinë e Arsimit nuk mban përgjegjësi për këtë, por nuk do të thotë se duhet të heshtet, pavarësisht përgjegjësisë. Kurse, për heqjen tash të këtij pasusi, unë mendoj se për këtë mund të merrni prononcim më mirë nga autori i librit, se pse është hequr ky pasus”, thotë Halimi.

Ne e kemi hequr për shkak të reagimeve të tyre dhe nuk e kemi parë, fundi i fundit, të domosdoshme që të ekzistojë.
Fehmi Rexhepi, bashkë-autor i librit, thotë se ajo pjesë e mësimit është larguar për shkak të reagimeve.

Ne e kemi hequr për shkak të reagimeve të tyre dhe nuk e kemi parë, fundi i fundit, të domosdoshme që të ekzistojë. Unë nuk mendoj se kanë pasur ata të drejtë, por nuk kemi dashur që tash ne të hapim front të ri, sepse ata, fundi i fundit, edhe atje ka rrymë të shumta, të cilat po mundohen me çdo kusht që ta islamizojnë historinë, popullin dhe të gjitha”.

Në anën tjetër, zyrtarët e Bashkësisë Islame të Kosovës kanë shfaqur drojën se pasqyrimi, siç thonë ata, joreal i shtyllave të besimit islam, por edhe gabime të tjera, sipas tyre, tashmë ka mundur të krijojë efekte negative te vet nxënësit.

Droja e tyre, gjithashtu është se nxënësit që i përkasin besimit islam, këtë gabim mund ta kenë marrë si detyrim të vërtetë.

Por, Rexhepi vlerëson se mbase nxënësit nuk e kanë mbajtur mend atë që është shkruar.

Ne kemi shumë gjëra, shumë më të rëndësishme, që duhet t’i dinë nxënësit tanë e lëre më ato se, kush mërzitet se çka janë ato. Bile, tash le t’i pyesin ata që i kanë kryer, ato gjeneratat që i kanë kryer... Thuaja atyre që e kanë kryer klasën e gjashtë. Asnjëri nuk dinë as t’i numërojnë”, thotë Rexhepi.

Por, ndryshe mendon zonja Halimi.

Obligim i nxënësve është që të mbajnë në mend sa më shumë që është e shkruar në libër dhe nga ajo që shpjegohet nga mësimdhënësi.
Obligim i nxënësve është që të mbajnë në mend sa më shumë që është e shkruar në libër dhe nga ajo që shpjegohet nga mësimdhënësi. Mirëpo, unë mendoj, që nuk është mirë që ka ndodhur kjo, por mendoj se nuk do të lejojmë që të shkaktojë ndonjë efekt anësor”.

Ndërkaq, sociologu Hasani thotë se efektet eventuale mund të minimizohen për faktin se libri i ribotuar është pa pasusin kontestues.

Është normale që efektet mund të jenë ushtruar. Por, nëse teksti është reviduar dhe ribotimi nënkupton heqjen e atij formulimi, që për mua është non-sens, atëherë pasojat janë më të vogla”.

Megjithatë, sociologu Hasani ka shtuar se librat shkollorë duhet t’i nënshtrohen
recensionit dhe vlerësimit të natyrshëm në aspektin metodologjik dhe në aspektin e ofrimit të burimeve dhe fakteve shkencore dhe qasjes.

Zyrtarët e Bashkësisë Islame kanë theksuar se tashmë kanë biseduar edhe kolegët e tyre nga Ipeshkvia e Kosovës, siç ka thënë ai, rreth “pastrimit” të teksteve shkollore sepse, sipas tyre, edhe ata kanë vërejtjet e tyre lidhur me disa gabime në tekstet shkollore, ku flitet rreth jetës së profetit Jezu Krishti dhe krishterimit në përgjithësi.

Ata kanë thënë se nuk do të kërkojnë që tekstet të shkruhen bazuar në aspektin fetar, por nga perspektiva historike e bazuar në fakte të pamohueshme.

Kërkesat e tyre të përbashkëta, siç kanë thënë ata, do t’ia dërgojnë Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë.

Ndryshe, zyrtarët e Ministrisë së Arsimit kanë deklaruar se janë në pritje që kushdo që vëren gabime, në cilat do tekste shkollore, t’i paraqes ato pranë kësaj ministrie duke i mbështetur me dëshmi dhe fakte, në mënyrë që ekspertët t’i korrigjojnë ato gabime.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG