Ndërlidhjet

logo-print

Guardian: Mesazhi grek për Angela Merkelin


Greqi...

Greqi...

Kancelarja Angela Merkel ka gjetur Greqinë në vitin e pestë të recesionit. Më 2008 dhe 2009, recesioni ishte përhapje e krizës globale financiare. Që atëherë, ai është shkaktuar dhe thelluar nga politikat shtrënguese ndaj Greqisë, të imponuara nga treshja e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bashkimit Evropian dhe Bankës Qendrore Evropiane, si dhe nga Qeveria e Greqisë.

Kështu shkruan udhëheqësi i partisë greke Syriza, Alexis Tsipras, për të përditshmen britanike Guardian.

Këto politika, sipas tij, janë shkatërruese për grekët, sidomos për punëtorët, pensionistët, bizneset e vogla, gratë dhe të rinjtë.

Ekonomia greke është tkurrur për më shumë se 22 për qind, punëtorët dhe pensionistët kanë humbur 32 për qind të të ardhurave të tyre dhe papunësia ka arritur në 24 për qind.

Politikat shtrënguese kanë çuar në shkurtime të përfitimeve, çrregullim të tregut të punës dhe përkeqësim të mëtejshëm të mirëqenies së shtetit, shkruan Tsipras, i cili muaj më parë ka humbur zgjedhjet parlamentare.

Sipas tij, qeveria argumenton se agjenda shtrënguese mund ta bëjë borxhin publik grek më praktik, por e kundërta është më e vërtetë. Politikat shtrënguese, thotë Tsipras, ndalojnë ekonominë që t’i kthehet rritjes. Shtrëngimi krijon një spirale vicioze të recesionit dhe rritje të borxheve.

E gjithë kjo është e njohur për politikë-bërësit evropianë dhe grekë, përfshirë edhe Merkelin, të cilët synojnë të zbatojnë programe të ngjashme në të gjitha vendet evropiane që përballen me borxhe, të tilla si Spanja, Portugalia dhe Italia.

Po përse insistojnë në këtë rrugë shkatërrimtare ekonomike dhe politike, pyet Tsipras. Ne besojmë se qëllimi i tyre nuk është për të zgjidhur krizën e borxheve, por për të krijuar një sistem të ri rregullator në Evropë, që bazohet në punë të lirë, shpenzime më të vogla publike dhe lirim të taksave për kapitalin, thotë politikani grek.

Angela Merkel dhe kryeministri i Greqisë, Antonis Samaras

Angela Merkel dhe kryeministri i Greqisë, Antonis Samaras

Që të ketë sukses, kjo strategji përdor një formë të shantazhit politik dhe financiar, që synon të bindë ose detyrojë evropianët të pranojnë paketat shtrënguese pa rezistencë. Politikat e frikës dhe shantazhit, të përdorura në Greqi, janë ilustrimi më i mirë i kësaj strategjie, shkruan Tsipras.

Qytetarët grekë duhet të dinë se kreditë për Greqinë paguhen në një llogari të kushtëzuar dhe përdoren ekskluzivisht për të shlyer kreditë e kaluara. Paratë, vijon Tsipras, nuk mund të përdoren për të paguar rrogat dhe pensionet apo për të blerë ilaçet bazë për spitalet dhe qumështin për shkollat.

Parakushte për këto kredi janë masat më të mëdha shtrënguese, që paralizojnë ekonominë greke dhe rrisin mundësinë e falimentimit. Nëse ka rrezik që taksapaguesit evropianë të humbasin paratë e tyre, ai shkaktohet nga masat shtrënguese, thotë Tsipras.

Sipas tij, kjo duhet të ndalojë. Evropa ka nevojë për një plan të ri për të thelluar integrimin evropian. Një plan i tillë duhet të sfidojë neoliberalizimin dhe të çojë ekonomitë evropiane drejt rimëkëmbjes. Partia jonë, thotë Tsipras, e di se kjo është rrugë e vështirë, porse është plani i vetëm që mund të rivendosë vizionin evropian të drejtësisë sociale, paqes dhe solidaritetit.

Ky plan do të ketë sukses vetëm nëse luftërat popullore ndryshojnë rrënjësisht balancën e forcave. Këto luftëra tashmë kanë nisur dhe kanë çuar në rritjen dhe rezistencën e lëvizjeve të majta në mbarë Evropën.

Sipas Tsipras, ato mbajnë të gjallë demokracinë, barazinë, lirinë, dhe solidaritetin, që janë vlerat më të rëndësishme të traditës politike të Evropës.

Këto vlera duhet të mbizotërojnë, përndryshe Evropa do të zmbrapset në të kaluarën e errët, për të cilën kemi menduar se ka marrë fund përgjithmonë, shkruan Tsipras për gazetën britanike Guardian.
Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG