Ndërlidhjet

Kosova e Serbia, pak më ndryshe drejt BE-së


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Të mërkurën Komisioni Evropian do të publikojë strategjinë e zgjerimit dhe sfidat kryesore për vitin 2012-2013 bashkë me vlerësimet mbi përparimin e vendeve që synojnë integrimin në Bashkimin Evropian.

Për dallim nga vitet e tjera, kur për Kosovën ishte përpiluar një Raport i Progresit, kësaj radhe Komisioni ka hartuar një studim të fizibilitetit për marrëveshjen eventuale për Stabilizim-Asociim.

Zyrtarë të lartë evropianë thanë, një ditë para publikimit të dokumentit, se Marrëveshja për Stabilizim Asociim mund të lidhet me Kosovën edhe në një situatë ku shtetet anëtare të Bashkimit Evropian vazhdojnë të kenë qëndrime të ndryshme karshi statusit të vendit.

Komisioni Evropian pritet të prezantojë para shteteve anëtare të BE-së, pesë prej të cilave nuk e njohin Kosovën, një “mandat” për nisjen e negociatave që do të çonin në nënshkrimin e Marrëveshjes për Stabilizim Asociim.

Fillimi i këtyre negociatave thuhet se do të bëhej në momentin kur Kosova të ketë arritur përparim në një varg “prioritetesh afat-shkurtëra”, ndërsa nënshkrimi i marrëveshjes do të bëhej tek më vonë kur pala kosovare të ketë realizuar “prioritetet afat-gjata”.

Edon Cana, këshilltar për integrime evropiane i kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, i tha Radios Evropa e Lirë se bashkëpunimi me EULEX-in, çështjen që kanë të bëjnë me Kishën Ortodokse Serbe, reformimi i administratës publike dhe përparimi në fushën e tregtisë janë theksuar si prioritete afat-shkurtëra.

Cana tha se zbatimi prioriteteve të përmendura në studimin e fizibilitetit për MSA do të jetë një proces që nuk mund të bëhet “brenda natës”.

Ky është një proces. Pra, nuk kërkohet që t’i zgjidhim të gjitha problemet brenda një periudhe afat-shkurtër, sepse ajo është e pamundur-jo vetëm për Kosovën, por për të gjitha vendet që kanë kaluar nëpër fazën e tranzicionit”, tha ai.

Në situatën kur kriteret të jenë përmbushur por kur nuk ka unitet ligjor në BE lidhur me nënshkrimin e Marrëveshjes për Stabilizim Asociim me Kosovën, sipas ekspertit për integrime evropiane, Avni Mazreku, do të jetë i pamundshëm realizimi i një marrëveshjeje të tillë.

Traktati i Lisbonës, që nuk ka tendenca për të ndryshuar në të ardhmen e afërt, nuk i lejon Kosovës që të konkludojë marrëdhënie kontraktuale. Në këtë rast Kosova nuk mund të nënshkruaje Marrëveshje për Stabilizim-Asociim me Bashkimin Evropian”, tha ai.

Por, burimet e Radios Evropa e Lirë në Bruksel, thanë se BE-ja synon ta mbajë një paralelizëm në procesin integrues të Kosovës dhe Serbisë.

Ju e dini se thuhet që me një Kosovë evropiane është më së miri të gjenden zgjidhje me Serbinë. Pra, më e mira është një Serbi evropiane. Nëse e bllokoni njërin shtet ose tjetrin e mbani peng tërë rajonin dhe perspektivën e normalizimit të raporteve”, tha ky burim.

Edhe në Komisionin Evropian shfaqën shpresën që, në rastin më të mirë, në verën e vitit të ardhshëm Serbia të marrë datën për nisjen e negociatave për anëtarësim në BE, ndërsa Kosova të nis negociatat për nënshkrimin e Marrëveshjes për Stabilizim Asociim.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG