Ndërlidhjet

Gratë boshnjake ankohen në Gjykatën Evropiane për të Drejta të Njeriut


Ilustrim
Ilustrim
Kryetarja e Asociacionit të Grave të Srebrenicës, Munira Subasiq, pastaj kryetarja e Asociacionit të Grave të Podrinjes dhe Bratunacit, Suhra Sinanoviq, si dhe Axel Hagedorn, avokati që po i përfaqëson familjet e viktimave të luftës në Bosnjë, kanë folur sot në Srebrenicë, respektivisht në Amsterdam, lidhur me ankesën e tyre në Gjykatën Evropiane për të Drejta të Njeriut.

Ankesa e tyre kërkon që të hidhet poshtë një vendim i Gjykatës Supreme të Holandës, i cili thotë se Kombet e Bashkuara nuk mund të ndiqen penalisht për shkak të dështimit në parandalimin e gjenocidit kundër myslimanëve boshnjakë në Srebrenicë në vitin 1995.

“Kjo është shumë e rëndësishme, jo vetëm për ne që kemi mbijetuar dhe për ata që janë vrarë, por për fëmijët tanë që do të qëndrojnë këtu pas nesh. Është me rëndësi që drejtësia të fitojë. Krimet dhe gjenocidi kanë ndodhur në vitin 1995 nën mbikqyrjen e Kombeve të Bashkuara dhe para syve të botës”, ka thënë Subasiq.

Nga ana tjetër, avokati Hagedorn tha se shteti holandez, përmes vendimit të Gjykatës Supreme, ka shkelur të drejtat e njeriut dhe për këtë arsye ata kanë vendosur që t’i drejtohen Gjykatës Evropiane, e cila do të vendosë lidhur me këtë rast.

“Ne mendojmë se në këtë rast janë shkelur të drejtat e njeriut sepse nuk duhet të ketë asnjë organizatë në këtë botë që është mbi ligjin dhe dhe që nuk është nën shqyrtimin gjyqësor”, ka thënë avokati Hagedorn.
XS
SM
MD
LG