Ndërlidhjet

Shkup: Kërkohet ri-konstruktimi i qeverisë


Pamje nga Shkupi

Pamje nga Shkupi

Mocioni i votëbesimit të qeverisë që nuk mori shumicën e votave të nevojshme, nuk ka ndryshuar raportet mes partnerëve të koalicionit qeveritar.

Dëshmi për këtë është seanca maratonike e komisionit parlamentar të punës dhe politikës sociale, e cila, që nga 5 shtatori është bllokuar nga kryetari i grupit parlamentar të BDI-së, Talat Xhaferi.

Ai, duke u thirrur në rregulloren mbi punën e Kuvendit, përdorë forma të ndryshme, si fjalime të gjata, heshtje, e gjëra tjera për të mos i dhënë fjalën deputetëve tjerë me qëllim të zvarritjes së seancës lidhur me propozim-ligjin për zhdëmtimin e forcave maqedonase të sigurimit nga viti 2001.

Nga partia e kryeministrit Gruevski, thonë se mbeten në qëndrimin se nga ky ligj nuk duhet të përfitojnë edhe ish-pjesëtarët e UÇK-së, ndërsa shprehen edhe kundër ndërrimit të emrave të personaliteteve maqedonase të disa shkolla në Shkup.

Nga BDI-ja thonë se edhe ata nuk tërhiqen nga pozicioni i tyre, dhe me çdo kusht të pamundësojnë miratimin e ligjit, i cili, sipas tyre, është në kundërshtim me përcaktimet e Marrëveshjes së Ohrit.

Njohësit e zhvillimeve politike thotë se situatë e këtillë nuk do të ndryshojë edhe për një kohë të gjatë, pasi nga kjo ato vetëm sa mund të përfitojnë.

Vlladimir Misev nga instituti për demokraci, thotë se edhe mocioni i votëbesimit të qeverisë ishte në funksion të rritjes së rejtingut të partive politike para zgjedhjeve lokale.

Mendoj se këto çështje nuk do të zgjidhen në një të ardhme të afërt. Në vend të zgjidhjes së krizës e cila për momentin është e pranishme në qeveri, partitë politike do të tentojnë që ta nxisin edhe më tej dhe kontestet të thellohen edhe më shumë, pa arritjen e ndonjë zgjidhjeje për to”, thotë Misev.

Edhe analisti Mersel Bilalli thotë se situata e tanishme do të vazhdojë ndoshta deri në zgjedhjet lokale të muajit mars, ndërsa quan të palogjikshme veprimet e partnerëve qeveritarë të cilët vetëm kur është në pyetje mbijetesa e qeverisë kanë qëndrime të njëjta.

Gjendja është kontradiktore, në njërën anë kemi partnerë të koalicionit të cilët diametralisht ndeshen për çështjet kruciale, kurse në anën tjetër kemi qëndrim të njëjtë të tyre për vazhdimin e qeverisjes. Mendoj se ky proces i ndeshjes së tyre do të vazhdojë, pra realisht ndonjë zgjidhje fatlume dhe të shëndoshë nuk mund të presim për një kohë të shkurtër. Mendoj se ky tempo do të vazhdojë deri në zgjedhjet lokale”, thotë analisti Mersel Bilalli.

Burime jozyrtare të partive politike nuk përjashtojnë mundësinë që zhbllokimi i gjendjes së tanishme të kërkohet një riformim i qeverisë me atë që partisë shqiptare në qeveri BDI-së, do t’i jepej drejtimi i Ministrisë së Arsimit për të kaluar më lehtë vendimet për ndërrimin e emrave të shkollave nga maqedonas në shqiptarë.

Në anën tjetër VMRO-së do t’i jepej Ministria e Mbrojtjes që drejtohet nga kuadër i BDI-së, për të zbutur reagimet lidhur me homazhet që bëri ministri Fatmir Besimi pranë varrezave të ish-pjesëtarëve të rënë të UÇK-së.

Edhe Bashkim Bakiu nga Instituti për Hulumtimin e Politikave dhe Qeverisje të mirë, ri-konstruktimin e qeverisë apo mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, e sheh si mundësi për dalje nga kriza.

Bëhet fjalë për një krizë institucionale dhe unë mendoj se kjo do të vazhdojë edhe më tej ndërsa mundësia e vetme për zhbllokimin e kësaj situate është rikonstruksioni i qeverisë, tërheqja e propozim ligjit për forcat e sigurisë apo mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare së bashku me ato lokale”, thotë Bakiu.
XS
SM
MD
LG