Ndërlidhjet

Limaj: Nëse PDK nuk demokratizohet, do ta humb primatin


Fatmir Limaj

Fatmir Limaj

"Mendoj që në PDK kanë munguar vendimet, kanë munguar debatet, dhe mungesa e debateve dhe mendimeve është reflektuar edhe në qëndrimet në Parlament. Partia Demokratike e Kosovës nuk ka debat në këto tema të rëndësishme", thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Fatmir Limaj, nënkryetar i PDK-së.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Limaj, për shumë vëzhgues, seanca e fundit në Kuvendin e Kosovës dëshmoi një çarje jo pak serioze brenda Partisë Demokratike të Kosovës. Sa në fakt janë të thella ndarjet dhe cila mendoni se është rrugëdalja?

FATMIR LIMAJ
Në fakt, seanca e fundit në Parlamentin e Kosovës, më tepër besoj ka reflektuar gjendjen aktuale në të cilën gjendet vendi, në proceset e ndryshme të ndjeshme në të cilat po kalon vendi dhe që për zgjidhjet ose për zhvillimet e mëtutjeshme ka mendime të ndryshme. Ju e dini se një nga temat kryesore ka qenë privatizimi, besoj që është e qartë që kjo që ka ndodhur deri më tani në procesin e privatizimit, ka lënë shumë për të dëshiruar dhe probleme të ndryshme. Nuk ka arritur të realizohet ashtu siç është pritur, jemi ballafaquar me fenomene të ndryshme në procesin e privatizimit dhe fatkeqësisht jo në pak ndërmarrje, procesi i privatizimit ka qenë i pasuksesshme në të kaluarën.

Besoj se në Parlament është biseduar që këtu e tutje duhet të jemi të kujdesshëm që të mos shkojmë tutje me të njëjtën logjikë, me të njëjtën formë dhe me shpejtësi, por duhet paraprakisht të bëhen analiza të qarta dhe transparente dhe vendimi për privatizim tani e tutje të jetë vendim në kuadër të ligjit dhe nën mbikëqyrjen e plotë të Parlamentit, do të thotë me vendim të Parlamentit. Unë besoj se kështu duhet të shikohet, sepse në seancën e fundi ka pasur probleme të cilat janë në interes të vendit dhe janë diskutuar shumë hapur. Aty është konstatuar gjendja e deritanishme dhe rrugëzgjidhja se si duhet të shkohet më tutje. Këto janë mendime të ndryshme, qëndrime të ndryshme.

Dikush mendon që të shkohet në rrugën që është shkuar deri më tani, dikush mendon të ndalohet, dhe duhet të behet një analizë, bilanc i gjertanishëm, duhet të bëhet një hetim i përgjithshëm i asaj që ka ndodhur, dhe si duhet të shkohet më tutje. Natyrisht që është parë që ka mendime të ndryshme dhe nuk ka çka të fshihet, përkundrazi kjo duhet të shtyhet edhe më tutje dhe të pasqyrohen deri në fund mendimet e ndryshme, sepse po flasim për diçka që është çështje konceptuale. Privatizimi është një temë shumë e rëndësishme dhe e domosdoshme për procesin e zhvillimit ekonomik të vendit.

Mirëpo, ne i dallojmë format dhe mënyrat se si të shkohet në rrugën e privatizimit. Mendoj që në PDK kanë munguar vendimet, kanë munguar debatet, dhe mungesa e debateve dhe mendimeve është reflektuar edhe në qëndrimet në Parlament. Partia Demokratike e Kosovës nuk ka debat në këto tema të rëndësishme. Në mungesë të debatit të brendshëm(PDK), kjo debatohet aty ku mund të debatohet, në këtë rast në Parlamentin e Kosovës, dhe kështu do të vazhdojë, deri sa Partia Demokratike e Kosovës të fillojë t’i debatojë gjerat përbrenda saj.

RADIO EVROPA E LIRË
Ku e shihni ju veten në PDK?

FATMIR LIMAJ
Së pari, Partinë Demokratike të Kosovës e shoh si një parti e cila është e gatshme të hyjë në një reforme të thellë demokratike, dhe unë të jap kontributin tim në ndryshimin dhe reformën e thellë të brendshme të PDK-së dhe zhvillimin e demokracisë. Këtu e shoh kontributin që unë dhe gjithë kolegët e mi duhet ta japim për reforma të thella në Partinë Demokratike të Kosovës. Kthimin e vendimmarrjes në Partinë Demokratike të Kosovës.

Thellimin e demokracisë në PDK dhe përgatitjen e partisë për të marrë përgjegjësitë që i takojnë, qoftë para anëtarëve të saj, qoftë para qytetarëve me votën që e merr. Dhe është imperativ, është e domosdoshme, që Partia Demokratike e Kosovës të shikojë në këtë drejtim. Çdo variant tjetër është i destinuar për të përcjellë fatin që e kanë pasur partitë tjera që kanë stagnuar në demokraci, ju kanë frikësuar demokratizimit, ju kanë frikësuar reformës dhe nuk kanë bërë hapin e domosdoshëm.

RADIO EVROPA E LIRË
Por, partitë e tjera edhe janë ndarë...

FATMIR LIMAJ
Unë nuk e di për te tjerët, por jam i sigurt që Partia Demokratike e Kosovës, nëse nuk hyn në procesin e formimit dhe demokratizimit kjo parti do të humbas primatin në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Do të ndahet ?

FATMIR LIMAJ
Nuk mendoj që është tema të ndahet apo të mos ndahet, e rëndësishme është që të ruhet dhe të fuqizohet Partia Demokratike e Kosovës. Në qoftë se një parti nuk reformohet-fuqizohet, realisht ajo parti humb primatin dhe tani është pak i rëndësishëm fati saj.

RADIO EVROPA E LIRË
Bisedimet me Serbinë, privatizimi i ndërmarrjeve publike, janë vetëm disa nga çështjet rreth të cilave po thyhen shtizat jo vetëm në PDK, por në mbarë spektrin politik. Mendoni se ky spektër duhet të ulet bashkërisht dhe të gjejë një qasje konsensusi karshi këtyre çështjeve?

FATMIR LIMAJ
Unë mendoj se janë temat më të rëndësishme për ketë vend, dhe është më se normale të ketë ballafaqim idesh, mendimesh, konceptesh, rreth këtyre temave të mëdha. Të shtrohet çështja e dialogut me Serbinë dhe të mos ketë debat, qëndrime e përplasje të mendimeve, kjo është jo serioze.

Unë jam ithtar që debati i të zhvillohet dhe në fund të arrihet një konsensus i të gjithë spektrit politik, sepse po flasim për interesa nacionale të këtij vendi. Duhet të ndërtohet një koncept i përbashkët, një konsensus politik dhe procesin ta karakterizojë një transparencë me gjithë hapat që duhet të vihen më tutje.

Nuk mund të futemi në procese të tilla të ndjeshme, qoftë të bisedimeve, qoftë të privatizimit, pa e shteruar gjithë debatin, dhe pa i dëgjuar të gjitha palët e interesuara në ketë vend, sepse të gjithë janë të interesuar për të gjetur zgjidhjen më të mirë dhe unë këtë e shoh në ketë mënyrë. Çdo gjë tjetër do të ishte e keqe, mos pasja e debatit ose një konformizëm, jam i bindur që do ta dëmtonte interesin nacional.
RADIO EVROPA E LIRË
Duke marrë parasysh zhvillimet politike, a mendoni se mund të arrihet lehtë ky konsensus?

FATMIR LIMAJ
Politika është rregull, politika është art i kompromisit. Në situata të tilla duhet të bëhen kompromise, marrëveshjet bëhen më kompromise dhe gjendet konsensusi. Konsensusi nuk gjendet duke qëndruar në pozicione të secilit, por ndërtohet kompromisi nga ajo që është më e mira, në këtë rast, interesi nacional i Kosovës.

Unë jam i bindur që ka hapësirë dhe mundësi që, për shembull, në bisedime me Serbinë, të kemi konsensus, të dihen vijat e qarta, të krijohen parakushte, të dihet agjenda e qartë, pastaj mund të shkohet, nëse analizohet a duhet apo nuk duhet.

Do të thotë, duhet të bisedohet nga fillimi. Çështja e privatizimit, po ashtu, mendoj se në qoftë se debatojmë seriozisht, mund të gjendet rruga drejt vazhdimit të privatizimit të ndërmarrjeve, të cilat do t’i shërbenin zhvillimit ekonomik të këtij vendi.

RADIO EVROPA E LIRË
Si do ta vlerësonit ju qeverisjen e vendit nga forcat politike në pushtet?

FATMIR LIMAJ
Mendoj që duhen shumë ndryshime. Ajo që mendoj unë, është që kryeministri i Republikës së Kosovës duhet të mbajë qëndrim mbi zhvillimet e fundit; ne ende nuk e kemi dëgjuar qëndrimin e tij rreth aferës së Grandit, dhe duhet të presim qëndrimin e kryeministrit.

Ne nuk mund të heshtim për këtë çështje, që besoj që është në interes të vendit. Nuk tejkalohet kjo aferë në heshtje, pres qëndrimin e tij, dhe pastaj do të shihet. Me analizat se si është qeverisja, besoj që së pari duhet të bisedojmë në Partinë Demokratike të Kosovës, të bëhet një analizë dhe pastaj mund t’i paraqesim publikisht qëndrimet tona.

RADIO EVROPA E LIRË
Megjithatë ju keni një mendim...

FATMIR LIMAJ
Natyrisht, secili e ka një opinion, por unë jam ithtar i asaj që, pasi që ende nuk e kemi biseduar, dhe po pres që të bëhet një analizë për qeverisjen e deritanishme, brenda në parti, dhe më pas t’i bëjmë publike këto qëndrime.

RADIO EVROPA E LIRË
Keni mospajtime me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi?

FATMIR LIMAJ
Mospajtime konceptuale, për çështjet për të cilat po bisedojmë kemi mendime të ndryshme që është më se normale. Edhe kështu do të vazhdojnë.

Besoj se do të ulemi dhe të bisedojmë për të gjetur rrugën, e cila është më e mirë për çështje të caktuara. Natyrisht që është e qartë që ne kemi mendime të ndryshme në këto çështje, si për bisedimet me Serbinë, privatizimin dhe për çështje të tjera.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG