Ndërlidhjet

S'ka datë ende për vazhdimin e dialogut


Ilustrim
Ilustrim
Në vazhdën e takimeve në nivel ekspertësh për zbatimin e marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut teknik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, është zhvilluar sot në Bruksel takimi që në qendër të diskutimit pati realizimin në terren të marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit.

Lajmin ia kumtoi Radios Evropa e Lirë, Maja Kocijançiq, zëdhënëse e shefes së diplomacisë evropiane, Catherine Ashton.

Kocijançiq, megjithatë, qartësoi se takimi në fjalë nuk nënkupton vazhdimin e dialogut, por se hyn në radhën e takimeve të zakonshme që ekspertët e të dyja palëve kanë mbajtur përgjatë muajve të kaluar rreth zbatimit të marrëveshjeve.

“Këto janë palë të përziera ekspertësh, por kjo punë ka vazhduar në muajt e kaluar për të gjitha marrëveshjet, sepse e dini që ka pasur progres në zbatimin e marrëveshjeve”, u shpreh ajo.

E pyetur nëse është caktuar data për vazhdimin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian në mes të Kosovës e Serbisë, Kocijançiq tha:

“Ne jemi duke punuar në vazhdimin e dialogut, por nuk ka ndonjë datë të caktuar. Aktualisht janë duke vazhduar konsultimet rreth modaliteteve”.

Dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Prishtinës e Beogradit kishte nisur në mars të vitit 2011, ndërsa ishte ndërprerë në prag të zgjedhjeve që u mbajtën këtë pranverë në Serbi.

Deri atëherë, palët kishin zhvilluar nëntë raunde të takimeve për të arritur në gjithsejtë shtatë marrëveshje.

Zbatimi i këtyre marrëveshjeve, me theks tek ajo për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, ishte theksuar si parakusht për vazhdimin e dialogut.

Procesi në fjalë pritet të hyjë në një fazë më politike me takimet në nivel më të lartë të palëve të përfshira. (edona peci)
XS
SM
MD
LG