Ndërlidhjet

Kosova zotohet t’i përmbushë kriteret evropiane në afatin rekord


Ilustrim

Ilustrim

Qeveria e Kosovës u zotua se do t’i përmbushë të gjitha obligimet afatshkurta, por edhe ato afatgjata, të parapara me studimin e fizibilitetit të lansuar të mërkurën nga Komisioni Evropian.

Kryeministri Hashim Thaçi tha se studimi i fizibilitetit i hap Kosovës dritën jeshile për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit në të ardhmen. Sipas tij, Brukseli është pajtuar që Kosova të jetë partnere e barabartë me të gjitha vendet tjera që aspirojnë integrimet, duke i hequr të gjitha pengesat që kanë mundur të ekzistojnë.

Lansimi i studimit të fizibilitetit, sipas Thaçit, për Kosovën ka domethënien e fillimit të procesit, edhe pse jo të shkurtër të integrimit të saj në Bashkimin Evropian.

Hashim Thaçi

Hashim Thaçi

“Fillimi i negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit shënon hapin më të rëndësishëm në kuadër të avancimit të procesit integrues të shtetit të Kosovës në Bashkimin Evropian dhe të faktorizimit të Kosovës në pozitën ndërkombëtare të Republikës së Kosovës”, vlerësoi Thaçi.

Kryeministri Thaçi rikujtoi në vijim edhe katër fushat kryesore, në të cilat Komisioni Evropian kërkon nga Kosova të arritura e përparime konkrete. Nisur nga këto sfida, kryeministri u ka kërkuar ministrave të kabinetit të tij që t’i rrisin angazhimet dhe punojnë në plotësimin e agjendës evropiane.

“Komisioni Evropian ka identifikuar katër fusha, në të cilat Kosova duhet të shënojë progres të menjëhershëm me qëllim të fillimit të negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit. Ato janë: sundimi i ligjit, reforma e administratës publike, trashëgimia kulturore dhe tregtia. Unë dua që ta bëj të qartë qëndrimin e Qeverisë së Kosovës se kriteret teknike të mbetura do të përmbushen në afatin rekord”, theksoi kryeministri Thaçi.

Kriteret e parashtruara për Kosovën në studimin e fizibilitetit janë të përballueshme dhe të zbatueshme, tha në anën tjetër ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku.

Ajo e vlerësoi si shumë të rëndësishme ujdinë e Komisionit Evropian që pavarësisht mosnjohjes së saj nga pesë vende anëtare të BE-së, Kosova të mund të firmosë Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit sapo që të jetë gati.

Vlora Çitaku

Vlora Çitaku

“Janë dy palë kriteresh, ato afatshkurta, të cilat ne duhet t’i përmbushim në mënyrë që edhe zyrtarisht të fillojë negocimi i MSA-së (Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim). Janë kritere të arritshme dhe shumë të matshme, të cilat ne mund t’i përmbushim brenda fare pak muajsh, për tre katër muaj të gjitha këto kritere mund të realizohen”, tha Çitaku.

Ajo rikujtoi se studimi parasheh edhe kriteret afatgjata, të cilat mbeten sfida për të ardhmen.

Nisur nga roli konstruktiv i Prishtinës në procesin e bisedimeve me Beogradin, Komisioni Evropian i kishte mundësuar Kosovës që të avancojë përpara me lansimin e studimit të fizibilitetit si hapi i parë drejt Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.

Po ashtu, në janar të këtij viti patën nisur edhe negociatat në lidhje me liberalizimin e vizave. Kurse në qershor Brukseli i pati ofruar Kosovës edhe udhërrëfyesin që do të çojë përfundimisht deri te heqja e vizave edhe për qytetarët e Kosovës në të ardhmen.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG