Ndërlidhjet

Daçiq: Kërkesat e Brukselit kërcënojnë dialogun


Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq.

Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq.

Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se kërkesa e një dokumenti të Komisionit Evropian, që Serbia të respektojë integritetin territorial të Kosovës, kërcënon dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

Komisionari për zgjerim i Bashkimit Evropian, Stefan Fuele, ka thënë se formulimi për ruajtjen e integritetit territorial të Kosovës në raportin vjetor të Komisionit Evropian nuk paragjykon statusin e Kosovës, por thekson se Komisioni Evropian kundërshton ndarjen e Kosovës, raportojnë mediat serbe.

“Jam shumë i shqetësuar me këtë deklaratë, sepse në vend që të ndihmojë fillimin e dialogut, ajo mund ta mbyllë atë”, ka thënë Daçiq para gazetarëve në Beograd.

“Serbia ka qenë e gatshme për dialog politik, por kjo shtron pyetjen nëse një gjë e tillë është alternativë më e butë e pranimit të pavarësisë së Kosovës, sepse unë nuk kam parë integritet territorial pa sovranitet”, ka thënë Daçiq.

Ai po ashtu ka thënë se do të kërkojë nga komisionari Fyle të sqarojë nëse formulimi për integritetin territorial të Kosovës është kusht i ri për Serbinë.

Ky formulim thuhet se ndodhet në dokumentin “Strategjia e zgjerimit dhe sfidat kryesore 2012-2013”, që është publikuar sot në Bruksel.

Ky i fundit po ashtu ka publikuar raportin për përparimin e Serbisë drejt BE-së, duke mos i rekomanduar Beogradit datën për fillimin e negociatave për anëtarësim, por normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.
XS
SM
MD
LG