Ndërlidhjet

Fuele: BE nuk do ndarje të Kosovës


Komisionari për zgjerim i Bashkimit Evropian, Stefan Fuele.
Komisionari për zgjerim i Bashkimit Evropian, Stefan Fuele.
Përmendja e integritetit territorial nuk ka të bëjë asgjë me statusin e Kosovës dhe Komisioni Evropian, në raportin e tij, e ka bërë të qartë se mbetet neutral ndaj statusit, ka thënë komisionari për zgjerim i Bashkimit Evropian, Stefan Fuele.

“Kërkesa jonë do të thotë se nuk duam ndarje të Kosovës”, ka sqaruar diplomati evropian për mediat serbe.

Komentet e tij pasojnë deklaratat e kryeministrit të Serbisë, Ivica Daçiq, i cili ka thënë se kërkesa e dokumentit të Komisionit Evropian, që Serbia të respektojë integritetin territorial të Kosovës, kërcënon dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

Fuele ka thënë se përmendja e integritetit territorial nuk do të duhej të ishte befasi, sepse parimin e mosndryshimit të kufijve, sipas tij, e ka theksuar Grupi i Kontaktit qysh në negociatat për statusin e Kosovës në vitin 2005.

Komisionari evropian po ashtu ka theksuar se përkufizimi për normalizimin e marrëdhënieve nënkupton sigurimin e mundësisë që të dyja palët të lëvizin drejt Bashkimit Evropian, pa bllokuar njëra-tjetrën në këtë rrugë.

Brukseli ka publikuar të mërkurën raportin për përparimin e Serbisë drejt BE-së, duke mos i rekomanduar Beogradit datën për fillimin e negociatave për anëtarësim, por normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.
XS
SM
MD
LG