Ndërlidhjet

Dita e dinjitetit të vajzërisë


Fotografi e dy vajzave të martuara në Jemen
Fotografi e dy vajzave të martuara në Jemen
Më 19 dhjetor të vitit 2011, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi Rezolutën 66/170, për ta shpallur 11 tetorin si Ditën Ndërkombëtare e Fëmijëve Vajzave, për t’u njohur me të drejtat dhe sfidat unike të cilat i kanë vajzat në mbarë botën.

Në faqen zyrtare të OKB-së thuhet se këtë vit, që është përvjetori i parë i kësaj dite, tema kryesore do të jetë martesa e fëmijëve, që konsiderohet shkelje fundamentale e të drejtave të njeriut dhe ka ndikim në të gjitha aspektet e jetës së një vajze.

Pasojat e martesës së fëmijëve

“Martesa e fëmijëve e privon një vajzë nga fëmijëria e saj, ndërpret shkollimin e saj, kufizon mundësitë e saja, rrit gjasat që të jetë viktimë e dhunës dhe abuzimit, rrezikon shëndetin e saj, dhe për këtë arsye përbën një pengesë për arritjen e gati çdo Qëllimi të Zhvillimit të Mijëvjeçarit (MDG) dhe zhvillimin e komuniteteve të shëndetshme”, thuhet në publikimin e OKB-së.

Sipas statistikave të OKB-së, globalisht, një në tri vajza të moshës 20-24 vjeçe, ishin martuar para se t’i mbushnin 18 vjet.

Një e treta e tyre u martua para se t’i mbushte 15 vjet.

Martesa te fëmijët rezulton me shtatzëni të hershme dhe të padëshiruara, duke shtuar, po ashtu, rrezikun e jetës së një vajze.

Në vendet në zhvillim, 90 për qind e lindjeve të adoleshenteve të moshës 15-19 vjeçare, janë raste kur ato janë të martuara, dhe vdekjet e lidhura me komplikimet e shtatzënisë janë shumë të përhapura në këtë grup moshë.

Shkollimi - arma më e fuqishme

“Vajzat që kanë nivel të ulët të shkollimit është më e mundur të jenë të martuara në moshë të re, dhe martesa e fëmijëve tregon shumë për ndalimin e shkollimit të vajzave. Në anën tjetër, vajzat me arsimim sekondar, kanë të ngjarë që deri në 6 herë më pak të martohen si fëmijë, dhe kjo bën që shkollimi të jetë strategjia më e mirë për t’i mbrojtur vajzat dhe për të luftuar martesën e fëmijëve”, shkruan OKB-ja.

Ndalimi i martesës së fëmijëve do të mbronte të drejtat e vajzave dhe do të ndihmonte në uljen e dhunës ndaj tyre, shtatzëninë e parakohshme dhe infeksionet me HIV.

Siç thotë OKB-ja, kur vajzat janë në gjendje të rrinë në shkollë dhe t’i shmangen martesës së hershme, ato mund të krijojnë një jetë më të mirë për veten, familjen dhe shtetin e tyre.

Masat për t'i dhënë fund

Qeveritë në partneritet me shoqëritë civile dhe komunitetin ndërkombëtar janë thirrur nga OKB-ja të marrim masa urgjente për t'i dhënë fund praktikës dëmshme e martesës së fëmijëve dhe:

- Për të miratuar dhe zbatuar legjislacionin e duhur për të rritur moshën minimale të martesës për vajzat në 18 vjet, dhe për të rritur vetëdijen e publikut në lidhje me martesën e fëmijëve, si një shkelje e të drejtave të njeriut.

- Për të përmirësuar qasje në shkollim me cilësi të mirë fillor dhe të mesëm, duke u siguruar që mangësitë gjinore në shkollim të eliminohen.

- Për të angazhuar vajza, djem, prindër, liderë dhe figura publike për të ndryshuar normat e rrezikshme sociale dhe të promovojnë të drejtat e vajzave dhe të krijojnë kushte për to.

- Për të mbështetur vajzat që tashmë janë martuar, duke u ofruar atyre opsione për shkollim, shërbime shëndetësore seksuale dhe riprodhuese dhe mundësi për ikje nga dhuna në shtëpi.

- Për të adresuar shkaqet e martesës së hershme të fëmijëve, duke përfshirë diskriminimin gjinor, vlerën e ulët të vajzave, varfërinë, apo justifikime fetare dhe kulturore.

Të dhënat mbi martesat e fëmijëve në Kosovë

Në fokus të këtij fenomeni në Kosovë janë komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptian, por nuk përjashtohen as komunitetet tjera.

Raporti i Fondit për Popullsi i Kombeve të Bashkuara (UNFPA) e fton qeverinë, shoqërinë civile dhe akterët tjerë relevantë të ndërmarrin veprime të menjëhershme për të ndaluar praktikën e dëmshme të martesës së fëmijëve dhe të miratohet e fuqizohet legjislacioni i përshtatshëm, të rritet vetëdija shoqërore mbi martesën e fëmijëve si shkelje drastike e të drejtave njerëzore të vajzave dhe të adresohet thelbi i shkaqeve që shpijnë në martesën e fëmijëve, përfshirë diskriminimin gjinor, vlerën e ulët të vajzave, varfërinë dhe justifikimet kulturore.

Fakte mbi martesën e fëmijëve, të bëra nga një hulumtim i Qendrës Ndërkombëtare e Hulumtimeve për Gratë (ICRW):

- Nëse trendet e tashme vazhdojnë, 100 milionë vajza do të martohen gjatë kësaj dekade. Do të thotë, një numër prej 25 mijë vajzave do të martohen çdo ditë, për 10 vjetët e ardhshme.

- Vajzat që jetojnë në kushte të vështira, kanë më tepër të ngjarë të martohen para moshës 18 vjeçare, se sa vajzat që jetojnë në kushte më të mira.

- Më shumë se gjysma e vajzave në Bangladesh, Mali, Mozambik dhe Niger, martohen para moshës 18 vjeçare. Në po këto vende, më shumë se 75 për qind e popullsisë jetojnë me më pak se dy dollarë në ditë.

- Vajzat që shkojnë në nivele më të larta shkollore, shumë më rrallë martohen në fëmijëri.

- Edukimi i vajzave ka qenë faktor kryesor në rritjen e moshës së martesës, në një numër të shteteve në zhvillim, përfshi Sri Lankën, Taiëanin dhe Tailandën.

- Vajzat më të reja se 15 vjet, janë pesë herë më të rrezikuara të vdesin gjatë lindjes, se sa femrat në të 20-at. Shtatzënia është shkaku kryesor i vdekjes së femrave të moshës 15-19 vjeçare.

- Vajzat e martuara, shumë shpesh shfaqin simptomat e abuzimit seksual dhe stresit post-traumatik, si dhe njenja të pafuqisë dhe depresionit.

Përgatiti: Gresa Kraja
XS
SM
MD
LG