Ndërlidhjet

SHBA: Akuza të ndërsjella për sulmin në Bengazi


Libi...

Libi...

Ish-kreu i një ekipi ushtarak të Shteteve të Bashkuara në Libi ka deklaruar para një komiteti të Kongresit Amerikan se siguria në Konsullatën e SHBA-së në Bengazi ka qenë “e dobët” para se të ndodhte sulmi i 11 shtatorit.

Në sulm kanë pësuar për vdekje ambasadori amerikan, Chris Stevens, dhe tre bashkëpunëtorë të tij.

Koloneli Andrew Wood u ka thënë anëtarëve të Komitetit për Mbikëqyrje dhe Reforma Qeveritare se objekti nuk është ruajtur në mënyrë adekuate.

Siguria në Bengazi ka qenë luftë dhe ka mbetur luftë gjatë kohës sime atje. Situata ka mbetur e pasigurt dhe raportet e disa libianëve kanë treguar se është duke u përkeqësuar. Siguria diplomatike ka mbetur e dobët. Në muajin prill ka qenë vetëm një agjent diplomatik i sigurisë amerikane, i stacionuar atje”, ka thënë Wood.

Vlerësimi është kundërshtuar nga zyrtarët e Departamentit të Shtetit, përgjegjës për sigurinë në ambasadat e Shteteve të Bashkuara në botë.

Zëvendëssekretarja e Shtetit, Charlene Lamb, u ka thënë ligjvënësve se SHBA-ja ka pasur numrin e duhur të agjentëve të sigurisë, kur ka ndodhur sulmi.

Ajo ka thënë se sulmuesit kanë qenë në gjendje të thyejnë mbrojtjet e kompleksit, sepse “sulmi ishte pa precedent në madhësinë dhe intensitetin e tij”.

Të tjerë zyrtarë të Departamentit të Shtetit, të cilët kanë dëshmuar në seancë, kanë thënë po ashtu se numri i personelit amerikan të sigurisë dhe rojeve lokale ka qenë në përputhje me kërkesat e zyrtarëve të konsullatës.

Seanca është thirrur nga kryetari republikan i Komitetit për Mbikëqyrje dhe Reforma Qeveritare, Darrell Issa, me qëllim që të hetohen pohimet e disa anëtarëve të Kongresit se ka pasur gabime të sigurisë në konsullatë. Por, takimi është shoqëruar me tone të rënda politike, që kanë reflektuar tensionet në prag të zgjedhjeve presidenciale të 6 nëntorit.

Republikanët, përfshirë kandidatin presidencial, Mitt Romney, kanë akuzuar Shtëpinë e Bardhë se ka dështuar të mbrojë diplomatët amerikanë jashtë vendit, duke minimizuar natyrën e sulmit dhe duke keqpërdorur raportet e inteligjencës.

Sulmuesit e konsullatës thuhet se kanë qenë të zemëruar me një film anti-islamik të prodhuar në Shtetet e Bashkuara.

Por, demokrati i Komitetit, Elijah Cummings, ka akuzuar Issan se po bën politikë me çështjen, duke lënë demokratët jashtë hetimeve dhe duke mos treguar për një udhëtim në Libi.

Është turp që republikanët bëjnë abuzime të tilla në atë që duhet të jetë një hetim serioz dhe i përgjegjshëm i sulmit fatal”, ka thënë Cummings.

Erik Nordstrom, zyrtar i Departamentit të Shtetit i ngarkuar me mbikëqyrjen e sigurisë së zyrtarëve amerikanë në Libi, u ka thënë ligjvënësve se eprorët në Uashington janë sjellë profesionalisht në ofrimin e sigurisë për misionin në Bengazi.

Nënsekretari për Menaxhim, Patrick Kennedy, është pyetur në lidhje me deklaratat e shpejta të ambasadores së SHBA-së në Kombet e Bashkuara, Susan Rice, e cila ka përshkruar sulmin si “reagim spontan” ndaj filmit anti-islamik.

Nëse unë, apo cilido zyrtar i lartë i administratës, do të ishim në atë program televiziv, do të thoshim të njëjtën gjë si Susan Rice, sepse jemi bazuar në informacionet e inteligjencës, që atëherë kanë qenë në dispozicion”, ka thënë Kennedy.

Shtëpia e Bardhë, së fundmi, ka shfaqur besimin se militantët e lidhur me Al Kaidën kanë kryer sulmin.

Në ndërkohë, këshilltari për anti-terrorizëm i presidentit Obama, John Brennan, ka qenë në Tripoli në kuadër të hetimeve për ngjarjen.

Një deklaratë e Shtëpisë së Bardhë ka bërë të ditur se ai është takuar me presidentin e Libisë, Mohamed Magariaf, për të diskutuar hetimet dhe kërkimin e autorëve.(v.t.)
XS
SM
MD
LG