Ndërlidhjet

Veriu kundër Menaxhimit të Integruar të Kufirit


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Zbatimi i marrëveshjes së arritur, në dialogun teknik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për menaxhimin e integruar të kufirit, mund të ngritë tensione të reja në veri të Kosovës, vlerësojnë politikanët serbë të kësaj pjese të vendit.

Ata thonë se përfaqësuesit e serbëve të veriut edhe më parë e kanë bërë të qartë qëndrimin e tyre refuzues ndaj zbatimit të marrëveshjeve të dala nga dialogu teknik, por me theks të veçantë për marrëveshjen për menaxhimin e integruar të kufirit.

Politikani serb nga veriu, Marko Jakshiq, aktualisht edhe deputet në Kuvendin e Serbisë nga radhët e Partisë Demokratike Serbe të Vojisllav Koshtunicës, thotë se autoritetet e reja në Beograd e kanë ndryshuar qëndrimet, të cilat i kishin shpërfaqur para zgjedhjeve, se do të shqyrtojnë marrëveshjet e arritura ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit dhe se do t’i anulojnë ato.

Por, sipas tij, autoritetet e reja tash kanë deklaruar se janë të gatshëm t’i zbatojnë marrëveshjet.

Jakshiq thekson se marrëveshja për menaxhimin e integruar të kufirit, do të jetë një nyje, për shkak se kjo marrëveshje vështirë se do të mund të zbatohet.

Ajo që unë personalisht e di, bazuar në disponimin e qytetarëve këtu dhe bazuar në atë se si mendojnë njerëzit në terren, mendoj se ata vështirë se do të mund ta realizojnë këtë marrëveshje. Mendoj se ekziston një klimë që është absolutisht kundër asaj që kjo marrëveshje të zbatohet në praktikë. Serbët e këtushëm, të kësaj hapësire, paralajmërojnë protesta, si dhe shkuarjen në Beograd”, thotë Jakshiq.

Ai thotë se Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë, ka kërkuar nga përfaqësuesit e serbëve të komunave në veri që të sqarohen se a pajtohen që marrëveshja për menaxhimin e integruar të kufirit të zbatohet.



Sipas Jakshiqit, përgjigja ka qenë negative.

Politikani serb nga veriu i vendit, Oliver Ivanoviq, ish-sekretar i Ministrisë për Kosovën në Qeverinë paraprake serbe, gjatë mandatit të së cilës edhe janë arritur marrëveshjet me Kosovën, thotë se problemi kryesor për zbatimin e marrëveshjeve, përfshirë edhe menaxhimin e integruar të kufirit, është interpretimi i ndryshëm që u bëjnë marrëveshjeve të dyja palët.

Por, sidoqoftë, ai pret që serbët e veriut do të reagojnë.

Jam i sigurt që reagimi i serbëve të veriut do të jetë negativ, sepse ata nuk dëshirojnë të jenë të ndarë nga Republika e Serbisë. Në anën tjetër, këtë e vërteton edhe kushtetuta serbe, mbi të cilën janë betuar të gjithë ata që e përfaqësojnë Republikën e Serbisë dhe me këtë, atyre ju mbetet hapësirë e vogël për të manovruar”, shprehet Ivanoviq.

Ajo që është e dhembshme për serbët, sipas Jakshiqit, është fakti se në pikat e kontrollit në kufi, sipas marrëveshjes, do të duhej të qëndroni policët dhe doganierët shqiptarë dhe serbë.

Siç thotë ai, për cilindo pushtet në Serbi, do të ishte poshtërues fakti nëse serbët që jetojnë në Kosovë dhe që kanë dokumente dhe tabela serbe në vetura, do t’u pamundësohej hyrja në Serbi.

Jakshiq vlerëson se megjithatë duhet pritur një vendim i Gjykatës Kushtetuese të Serbisë lidhur me marrëveshjet.

Unë mendoj se pushteti i tanishëm nuk do të duhej të shkojë aq larg, për shkak se një numër i madh i organizatave dhe institucioneve kanë paralajmëruar të ankohen në Gjykatën Kushtetuese të Serbisë”, thotë Jakshiq.

Por, sipas Ivanoviqit, marrëveshja për menaxhimin e integruar të kufirit mund të zbatohet në të gjitha vendkalimet kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përveç në pikat kufitare 1 dhe 31, në veri të Kosovës.

Ivanoviq thotë se kjo nuk është e paraparë as në marrëveshje.

Ajo që ne kemi marrë si interpretim ose sqarim nga negociatori ynë është se Beogradit i është garantuar se pikat 1 dhe 31 nuk do të jenë të përfshira me këtë marrëveshje dhe se do të ketë një marrëveshje të veçantë, e cila do të ketë lidhje të drejtpërdrejta ose jo të drejtpërdrejta me bisedimet që ndërlidhen me atë se çfarë në fakt është veriu dhe cili është statusi i tij”, thekson Ivanoviq.

Ndryshe, më 10 tetor, në Bruksel, është zhvilluar takimi në nivel ekspertësh për zbatimin e marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut teknik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Ky takim, në qendër të diskutimit pati realizimin në terren të marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit.

Zyrtarët evropianë kanë sqaruar se takimi në fjalë nuk nënkupton vazhdimin e dialogut, por se hyn në radhën e takimeve të zakonshme që ekspertët e të dyja palëve kanë mbajtur përgjatë muajve të kaluar rreth zbatimit të marrëveshjeve.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG