Ndërlidhjet

Privatizimi vazhdon, mocioni i opozitës nuk kalon


Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës me shumicë votash ka refuzuar të miratojë mocionin e Lëvizjes Vetëvendosje dhe pjesës tjetër të opozitës për pezullimin e procesit të privatizimit të ndërmarrjeve publike dhe atyre ish-shoqërore. Mocioni i Vetëvendosjes mori 45 vota për, 53 deputetë ishin kundër dhe 3 abstenuan.

Seanca ka filluar me debate e polemika në lidhje me procedurat dhe rendin e përcaktuar të ditës pasi që debatet në lidhje me privatizimin ishin shpallur të mbyllura nga seanca e kaluar.

Ngatërrimi i procedurave erdhi si pasojë e vendosjes në rend të ditës të Mocionit për pezullimin e procesit të privatizimit në Kosovë, i propozuar nga grupet parlamentare të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lëvizjes Vetëvendosje dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës si dhe i Rezolutës për vazhdimin e procesit të privatizimit, i propozuar nga PDK-ja dhe partitë partnere të koalicionit.

Deputeti i Vetëvendosjes Visar Ymeri tha se futja në rend dite e mocionit bashkë me rezolutën e PDK-së ishte në kundërshtim me rregulloren e punës.

Nuk ka të drejtë asnjë person tjetër të shtroj mocion këtu përveç kërkuesit të debatit dhe rrjedhimisht kërkoj që sot të votohet vetëm mocioni i cili është paraqitur në Kuvend nga parashtruesi i debatit, e që jam unë së bashku me deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe i dakorduar edhe me dy grupet tjera parlamentare LDK-në dhe AAK-në”, ka thënë Ymeri.

Ndaj deputetit Ymeri kanë reaguar disa herë shefi I Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci si dhe zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi. Ky i fundit tha se Vetëvendosje nuk ka kapacitete të mjaftueshme juridike përbrenda që të vlerësojnë procedurat e parapara juridike.

Ju keni pas një mungesë të juristëve, sepse juristët e mirë ju kishin mësuar e ju kishin thënë bashkëngjitjani mocionin dhe ne kishim diskutuar në bazë të saj. Po e them edhe një, rregullorja dhe ligji nuk lexohen si filmat ose romanet veç parathënia ose pasthënia, lexoni krejt nenet dhe e shihni që s’i keni respektuar procedurat”, iu drejtua deputetëve të Vetëvendosjes, Hajredin Kuçi.

Se rendi i ditës ishte pak sa i ngatërruar dhe i paqartë, këtë e ka pranuar edhe kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi.

Unë nuk e di në se është në praktikën parlamentare që prej një kërkese të një grupi parlamentar të dalin dy dokumente. Realisht jemi në dileme”, u shpreh Krasniqi.

Në fund u vendos që të hidhet për votim vetëm Mocioni i opozitës, pasi që Rezoluta e partive në pushtet edhe ashtu u vlerësua se ishte e panevojshme, duke qenë se ishte e kundërta e kërkesës së Vetëvendosjes dhe me refuzimin e mocionit nënkuptohej se privatizimi mund të vazhdonte.

Votimi solli si rezultat 45 vota për, 53 kundër dhe 3 abstenime me çka mocioni i opozitës për pezullimin e privatizimit dështoi.

Mediat më pas kanë raportuar se pro mocionit të opozitës kanë votuar edhe dy deputetë të PDK-së, përkatësisht kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi dhe deputeti Fatmir Limaj.

Debati për privatizimin ishte iniciuar nga Vetëvendosje dhe përkrahur nga opozita duke aluduar në atë që partitë opozitare e konsideruan si proces të deformuar dhe kërkonin suspendimin deri në krijimin e kushteve tjera për vazhdimin e këtij procesi.

Sidoqoftë, me vendimin e të enjtes nga Kuvendi, procesi u tha se mund të vazhdojë siç ka qenë edhe më herët.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG