Ndërlidhjet

Bugajski: Serbia mund ta bllokojë vetëm veten


Janusz Bugajski
Janusz Bugajski

Serbia mund ta bllokojë vetëm vetveten. Me fjalë të tjera, Serbia nuk do të lëvizë drejt negociatave për pranim, derisa t’i plotësojë disa kushte të caktuara, që përmenden në raport, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Janusz Bugajski, nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, me seli në Uashington.


RADIO EVROPA E LIRË
Komisioni Evropian e ka miratuar dokumentin për studimin e fizibilitetit, për Marrëveshjen për Stabilizim-Asociim (MSA) me Kosovën. Si e shihni ju këtë zhvillim?

JANUSZ BUGAJSKI
Mendoj se ky është një hap shumë pozitiv për rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Do të duhen shumë vjet, por kjo me të vërtetë është ngjitja e parë në shkallën drejt BE-së. Ajo që është e jashtëzakonshme duket se është marrëveshja e të gjitha vendeve anëtare të BE-së, përfshirë edhe ato që ende nuk e njohin Kosovën si shtet të pavarur. Pra, mendoj se ky është lajm i mirë për Kosovën, por tash duhet të bëhet shumë punë për të siguruar se Qeveria në Prishtinë, do të arrijë të zhvillojë negociata për Marrëveshje të Stabilizim Asocimit, që mund të realizohet. Me fjalë të tjera, një që mund të implementohet në praktikë.

RADIO EVROPA E LIRË
Qeveria e Kosovës e ka mirëpritur vendimin e Komisionit Evropian dhe tha se do t’i realizojë të gjitha reformat e nevojshme. Nga pikëpamja juaj, a do të ketë sukses?


JANUSZ BUGAJSKI
Nuk jam profet dhe nuk mund t’ju them se çka do të ndodhë gjatë pak viteve të ardhshme. Ky është proces. Kjo nuk është diçka që do të ndodhë brenda natës. Por, mendoj se tash i takon Qeverisë, Kuvendit, t’i bëjnë të gjitha gjërat e domosdoshme për kualifikim.

Është një listë e tërë e kushteve, që edhe vendet e tjera duhet t’i plotësojnë, për t’u kualifikuar për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit. Pra, është shumë thjesht: Qeveria duhet t’i bëjë detyrat e shtëpisë, duhet ta implementojë legjislacionin, e të tjera. Pra, duhet ta bëjë punën për plotësimin e kushteve për të lëvizur kah hyrja në BE.

RADIO EVROPA E LIRË
Përsëri lidhur me këtë studim... U tha se ai e konfirmon atë që Marrëveshja për Stabilizim-Asociim mund të përfundojë ndërmjet BE-së dhe Kosovës, në situatën ku shtetet anëtare të BE-së mbajnë pikëpamje të ndryshme për status. Pra, situata, në të cilën 5 vende nuk e njohin Kosovën. Si e lexoni këtë deklaratë të Komisionit Evropian?

JANUSZ BUGAJSKI
Mendoj se janë dy mesazhe. Njëri është inkurajim për Kosovën, për Qeverinë në Prishtinë, që të ecë përpara me reforma. I dyti është mesazhi për Serbinë, që pavarësisht nga kundërshtimi që i bën njohjes ndërkombëtare të Kosovës dhe anëtarësimit ndërkombëtar të saj, Bashkimi Evropian do të vazhdojë ta trajtoj Kosovën si shtet të pavarur, pavarësisht që disa shtete anëtare nuk e kanë njohur Kosovën.

Prandaj, Serbia duhet të krijojë raporte të mira bilaterale me Kosovën dhe ta pranojë integritetin e saj territorial. Pra, kemi të bëjmë me dy mesazhe të fuqishme këtu.

RADIO EVROPA E LIRË
Por, pyetja është se çka do të bëjnë ato pesë vendet që nuk e njohin Kosovën?

JANUSZ BUGAJSKI
Natyrisht, pyetja është se çka do të bëhet me këto pesë vende, derisa Kosovë lëviz drejt Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Deri në një pikë, që Kosova të pranohet si kandidate për BE, duhet të ketë unanimitet se është shtet. Pra, deri në një pikë, këto 5 vende duhet ta pranojnë pavarësinë e Kosovës, pasi në të kundërtën rruga e Kosovës është e bllokuar. Por, ky nuk është problem për Kosovën... ky është problem për Bashkimin Evropian, që duhet të zgjidhet.

RADIO EVROPA E LIRË
Duket se procesi i integrimit evropian për Kosovën dhe Serbinë është i ndërlidhur. Komisionari për Zgjerim, Stefan Fyle, tha se ekziston nevoja për përmirësim të dukshëm dhe të qëndrueshëm ndërmjet tyre, në mënyrë që të dyjat të mund ta vazhdojnë rrugën e tyre përkatëse drejt BE-së, duke evituar bllokimin e njëra-tjetrës. Sipash jush, kush është në situatë që të bllokojë, kur Serbia është shumë para Kosovës në këtë proces?

JANUSZ BUGAJSKI
Serbia mund ta bllokojë vetëm vetveten. Me fjalë të tjera, Serbia nuk do të lëvizë drejt negociatave për pranim, derisa t’i plotësojë disa kushte të caktuara, që përmenden në raport. Mendoj se komisionari Fyle e ka paraqitur këtë në mënyrë më të detajuar. Ai ishte në Beograd për t’ua shpjeguar serbëve se duhet ta pranojnë integritetin territorial të Kosovë, duhet ta ndalin mbështetjen për strukturat paralele, duhet të ndërtojnë raporte më të afërta me Prishtinën.

Serbia duhet t’i ndërmarrë disa hapa, edhe pa e pranuar Kosovën. E vetmja gjë që do ta bllokojë rrugën e Serbisë drejt BE-së do të jetë vetë Serbia, nëse refuzon t’iu nënshtrohet kushteve të BE-së.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Bugajski, ka pritje për vazhdimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Tash në pushtet në Beograd janë liderët e rinj, që përshkruhen si nacionalistë, dhe partitë e reja. Në këtë situatë, çfarë lloj perspektive ka ky dialog?

JANUSZ BUGAJSKI
Unë do të thosha se pavarësisht nga e kaluara e figurave, siç janë presidenti dhe kryeministri, nëse ata janë të përkushtuar për euro-integrim, nëse ata janë të përkushtuar për raporte të mira ndërfiqnjësore në gjithë rajonin, ata duhet ta vazhdojnë dialogun dhe aktualisht ta thellojnë dialogun me Kosovën. Në anën tjetër, ekziston problemi se Serbia, në këtë moment, ka vështirësi të jashtëzakonshme ekonomike, probleme buxhetore...

Nëse ata nuk janë në gjendje ta mbulojnë deficitin buxhetor dhe t’i paguajë rrogat, pensionet dhe gjërat e tjera, që shteti duhet t’i bëjë, unë kam shqetësim se disa figura qeveritare, përfshirë kryeministrin, mund t’i kthehen nacionalizmit. Në këtë aspekt, ata së pari mund t’i qasen çështjes së Kosovës.

Por, për momentin ekziston balanca në kuptimin se në cilin drejtim po lëvizë Serbia. Për këtë arsye, mendoj se në Serbi, në qeverinë e re, është shumë e fokusuar vëmendja. Por, nuk mund të parashikoj se në cilin drejtim do të shkojë.

RADIO EVROPA E LIRË
Në Shtetet e Bashkuara i kemi javët finale të fushatës presidenciale. A mund të presim angazhim të njëjtë në Ballkan dhe veçanërisht në Kosovë, pas zgjedhjeve?

JANUSZ BUGAJSKI
Po. Mendoj se pavarësisht se kush fiton, Obama, që do ta kishte mandatin e dytë, apo Romney, nuk konsideroj se do të ndryshojë shumë politika ndaj Ballkanit, kuptohet nëse nuk ka ndonjë krizë madhore në rajon. Mendoj se politika e jashtme amerikane nuk do të ndryshojë në mënyrë dramatike.

Ndoshta do të ketë ndryshim në retorikë, nëse zgjedhet administrata e re, për shmbull, raportet me Rusinë me gjasë do të përkeqësoheshin pak, pasi Romney, do të jetë më i ashpër se sa që ishte Obama ndaj Moskës. Por, unë nuk shoh dallime të mëdha ndërmjet të dyve. Megjithatë, ende është herët, pasi para nesh është afro një muaj dhe kjo është kohë e gjatë në politikë.
XS
SM
MD
LG