Ndërlidhjet

logo-print

IHT: A mund ta shpëtojë Gjermania euron?


Ilustrim

Ilustrim


Kancelarja gjermane, Angela Merkel, është mirëpritur këtë javë në Athinë me mesazhin: “Angela mos qaj! Nuk ka mbetur asgjë në depo”.

Kjo është një mënyrë e ashpër e trajtimit të problemit, ndonëse mund të ketë keqardhje për grekët e zakonshëm, që vuajnë recesionin e rëndë dhe papunësinë në nivele dyshifrore. Merkel nuk ka qenë atje për të plaçkitur, por për të ndihmuar grekët, shkruan gazeta International Herald Tribune.

Për të mbijetuar euro, sipas saj, politikë-bërësit gjermanë duhet të luajnë një rol më vendimtar në qeverisjen e Eurozonës. Për më tepër, vendet e tjera të zonës euro duhet të mësojnë të punojnë së bashku dhe të shmangin idenë e Gjermanisë si fuqi kuazi-koloniale. Vendet evropiane duhet të mësojnë të vlerësojnë vlerën e përgjegjësisë fiskale dhe të trajtojnë seriozisht problemet e tyre strukturore, shkruan gazeta.

Sipas saj, ka arsye të mira përse jo të gjitha vendet evropiane nuk mund të jenë si Gjermania. Grekët nuk do të fillojnë të paguajnë taksat vetëm pse Merkel ka shfaqur dëshirën. Grupet e interesit, që parandalojnë reformat strukturore në periferi të Eurozonës, nuk do të zhduken brenda natës. Është po ashtu e pamundur të ndërtohen institucione të besueshme për përparimin ekonomik me anë të dekreteve.

Kjo, vijon artikulli, do të thotë se Eurozonës i duhen kritere më të rrepta për pranimin e anëtarëve të rinj, së bashku me një mekanizëm që lejon sanksione të vërteta kundër anëtarëve që sillen keq.

Gjermania është vendi i vetëm që ka kapitalin politik për të nxitur Evropën që të krijojë mekanizma të tillë qeverisës. Me peshën e tij ekonomike, Berlini ka pozitë unike për të marrë një qëndrim më të fortë udhëheqës në riorganizimin e qeverisjes në Eurozonë.

Për të pasur sukses, gazeta thotë se gjermanët duhet të ngjallin idetë që çuan në mrekullinë e tyre ekonomike pas luftës. Idetë e tilla kanë balancuar buxhetet, politikën e pavarur monetare dhe tregjet konkurruese. Të tria janë të sulmuara në Eurozonën e tanishme.

Sipas gazetës, gjermanët duhet të mësojnë t’iu besojnë instinkteve të tyre. Ata kanë pasur të drejtë kur kanë qenë të gatshëm për t’i dhënë Greqisë paketën e parë të ndihmës, në maj të vitit 2010. Dy vjet më vonë, nëse grekët nuk marrin këstin e ardhshëm, ata mund të mbeten pa para në muajin nëntor.

Për hir të shpëtimit të euros, gjermanët, shkruan International Herald Tribune, duhet të marrin kontrollin e Bankës Qendrore Evropiane. Në vend se të ndihmojë me blerjen e bonove, Banka Qendrore Evropiane duhet të kthehet në rrënjët e saj monetare dhe të stabilizojë shpenzimet në Eurozonë.

Kjo do të thotë politikë më agresive monetare nga ajo që është ndjekur deri më tani.

Sipas gazetës, po ashtu vlen të theksohet se asnjëra nga këto nuk nënkupton integrim më të thellë politik të kontinentit. Bashkimi bankar nuk është prerazi zgjidhje për sëmundjen e tanishme. Nuk është, madje, as bashkimi fiskal.

Siç ka thënë Otmar Issing, ish-anëtar i bordit ekzekutiv të Bankës Qendrore Evropiane, të dyja idetë janë “të denja për satirë”, pasi “paraqesin rreziqe financiare për disa vende anëtare”.

Evropa nuk ka nevojë për një bashkim të ngushtë politik; asaj i duhet vetëm një union që funksionon.

Nuk është vonë të bëhen gjërat e duhura. Nëse aplikohen në vazhdimësi dhe me energji, idetë gjermane mund të shpëtojnë euron dhe të hedhin themelet për përparim ekonomik në kontinent. Nëse Merkelit i mungon dritarja e mundësisë, perspektiva ekonomike e Evropës do të jetë e zymtë, shkruan International Herald Tribune.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG