Ndërlidhjet

Fyle: Dialogu me Beogradin s’është kusht për MSA-në


Stefan Fyle dhe Hashim Thaçi (Foto nga arkivi)
Stefan Fyle dhe Hashim Thaçi (Foto nga arkivi)
Me studimin e Fizibilitetit, Bashkimi Evropian i ka hequr të gjitha pengesat ligjore që në të ardhmen edhe me Kosovën t’i hapë negociatat për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA), deklaroi të premten në Prishtinë, komisionari i BE-së për Zgjerim, Stefan Fyle.

Ai tha se vendet anëtare të BE-së tashmë e kanë futur Kosovën në mesin e vendeve të rajonit që kanë aspirata integruese dhe tani pret që Kosova t’i zbatojë reformat për të ecur përpara në proceset integruese.



Këto komente, Fyle i bëri gjatë një konference të përbashkët për media me kryeministrin Hashim Thaçi.

“Studimi konfirmon se nuk ka pengesa ligjore që të arrihet Marrëveshja për Stabilizim-Asociim ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian”, tha komisionari Fyle.

Hapja e negociatave me BE-në do të ndodhë në momentin kur Kosova t’i plotësojë kriteret e parashtruara si sfida afatshkurta, tha Fyle. Në këto kritere, ai tha se bëjnë pjesë përparimet në fushën e sundimit të ligjit, në rritjen e kapaciteteve administrative, mbrojtjen e pakicave dhe garantimin e tregtisë së lirë.

Nëse Kosova punon shumë dhe me përkushtim, atëherë ajo do të jetë e gatshme që t’i hapë negociatat me BE-në për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit diku nga mesi i vitit tjetër, tha Fyle. Ndërkohë, ai e përjashtoi si opsion kushtëzimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me dialogun me Beogradin.
Dialogu nuk është në listën e kushteve që ka Kosova sa i përket negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit...

“Dialogu nuk është në listën e kushteve që ka Kosova sa i përket negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit, por është me rëndësi që të vazhdojë zbatimi i marrëveshjeve të arritura në Bruksel”, theksoi Fyle.

Ndërkaq, si qëllim afatgjatë, komisionari Fyle i ka rikujtuar, si Qeverinë e Kosovës, ashtu edhe atë të Serbisë, se duhet të punojnë për normalizimin e marrëdhënieve.

Qëllimi final i BE-së, tha Fyle, është që Kosova dhe Serbia të mos e bllokojnë njëra-tjetrën në kuadër të proceseve integruese. Ai tha se BE-ja është e gatshme që të ndihmojë në lehtësimin e dialogut, por kërkoi nga të dyja vendet që të gjejnë zgjidhje për problemet, sidomos për veriun e Kosovës.

“Në fund u takon Prishtinës dhe Beogradit që të gjejnë përgjigje për shumë sfida, përfshi edhe atë për veriun e Kosovës”, tha me këtë rast Fyle.

Në anën tjetër, kryeministri Hashim Thaçi tha se Kosova është e gatshme për dialog dhe normalizim të marrëdhënieve me Serbinë. Evropianizimi dhe normalizimi i marrëdhënieve ndemjet shteteve të rajonit, duhet të ndodhë para se Kosova dhe Serbia të hyjnë në BE, tha Thaçi.

Bruksel...
Bruksel...
“Kosova dhe Serbia duhet të ecin përpara në rrugën evropiane duke ia lehtësuar punën njëra-tjetrës dhe jo duke e penguar njëra-tjetrën. Pra, ne nuk duhet ta mbajmë peng njëra-tjetrën dhe Kosova është e gatshme për të ardhmen evropiane dhe fqinjësi të mirë me të gjitha vendet e rajonit”, u shpreh Thaçi.

Kryeministri i Kosovës e vlerësoi edhe një herë shumë lart lansimin e Studimit të Fizibilitetit nga ana e Komisionit Evropian. Ai tha se reformat e kërkuara nuk janë të lehta, por e ka siguruar komisionarin Fyle se të gjitha kriteret afatshkurta do të zbatohen brenda pak muajsh.

Studimin e Fizibilitetit ai e cilësoi me rëndësi historike për Kosovën, duke vlerësuar se pas tij pason nisja e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, si hapi i parë i Kosovës drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

“Ne jemi të bindur se për pak muaj do t’i përmbushim kriteret afatshkurta apo reformat e shumta demokratike, si lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar e trafikimit, zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik, reforma e administratës publike, mbrojtja dhe kultivimi i trashëgimisë kulturore, të drejtat e komuniteteve, janë fusha në të cilat ne do të vazhdojmë ët punojmë të përqendruar maksimalisht”, tha Thaçi.

Gjatë qëndrimit në Kosovë komisionari Stefan Fyle u takua edhe presidenten Atifete Jahjaga, si dhe kryetarin e Kuvendit, Jakup Krasniqi.

Vizita e tij në Kosovë pason lansimin e studimit të fizibilitetit si hapi i parë që mund ta çojë Kosovën drejt negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit.
XS
SM
MD
LG