Ndërlidhjet

Jahjaga: Isa Boletini – prijës i kryengritjeve shqiptare për liri


Atifete Jahjaga
Atifete Jahjaga
Presidentja e Kosovës, Atifiete Jahjaga, vlerësoi sot se “Isa Boletini ishte prijës i kryengritjeve shqiptare për liri dhe pavarësi dhe për ta bërë Shqipërinë shtet të përparuar dhe demokratik”.

Këto komente ajo i bëri me rastin e zbulimit të shtatores së Isa Boletinit, në Isniq të Deçanit, njoftoi presidenca e Kosovës.

Në këtë ceremoni morën pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha.

“Eshtë nderim për brezin tonë që po i respektojmë të parët tanë, që po e vlerësojmë sakrificën e bërë ndër shekuj për ruajtjen dhe zhvillimin e kombit tonë, për mbrojtjen e tërësisë territoriale”, tha mëtutje Atifete Jahjaga.

Sipas saj, Isa Boletini, “së bashku me ideologun e pavarësisë, Hasan Prishtina, dhe me babanë e shtetit, Ismail Qemajli, dhe me shumë atdhetarë dhe intelektualë të brumosur dhe me idetë atdhetare dhe me idetë përparimtare të Evropës, e vunë në lëvizje historinë, i kthyen sytë e botës kah shqiptarët”.

Në një zhvillim tjetër, sot në Gjakovë është zbuluar shtatorja e Ali Ibër Nezajt, njëri nga komandantët legjendarë të lidhjes shqiptare.

Shtatoren e zbuluan kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, dhe presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.

Zoti Berisha theksoi se “nderimi u takon atyre burrave, që u mblodhën në Prizren në shenjë të bashkimit kombëtar” dhe shtoi se “ata e nisën luftën e shqiptarëve për liri dhe dhanë dritën për bashkimin kombëtar”.

Mëtutje, ai theksoi se “është detyrë e çdo shqiptari që të punoj me atë frymëzim, drejt integrimit të përbashkët në BE. Kemi qenë dhe jemi një komb”.
XS
SM
MD
LG