Ndërlidhjet

Siguria në punë: Për 9 muaj humbin jetën 12 punëtorë


Ilustrim
Ilustrim

Vetëm në nëntëmujorin e parë të vitit 2012, në Kosovë kanë humbur jetën 12 persona në vendin e punës, kjo si pasojë e nivelit të ulët të sigurisë në ambientin ku ata kanë punuar. Këto të dhëna janë të Inspektoratit të Punës, i cili funksionon në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale në Kosovë.

Personat, të cilët kanë humbur jetën në vendet e tyre të punës, kanë punuar në sektorin privat në ndërtimtari.



Në një konferencë për media, përfaqësues të Inspektoratit të Punës kanë bërë të ditur se gjatë inspektimit të ndërmarrjeve në sektorin privat kanë hasur në parregullsi të mëdha në zbatimin e dispozitave ligjore të Ligjit të punës.

Kontratat e punës, siguria në punë, mbrojtja e shëndetit të punëtorëve dhe mbrojtja e ambientit të punës, janë vetëm disa dispozita të Ligjit të punës, të cilat nuk respektohen nga punëdhënësit në sektorin privat.
...në tre vjetët e fundit kemi pasur inspektime në këto kompani, mirëpo kemi vërejtur që këto kompani nuk janë vetëdijesuar dhe ne kemi shqiptuar masa ndëshkuese.

“Ne kemi inspektuar 109 kompani prej tyre 24 janë gjobitur. Në këtë rast kemi shkuar me masa më të ashpra - arsyeja është se në tre vjetët e fundit kemi pasur inspektime në këto kompani, mirëpo kemi vërejtur që këto kompani nuk janë vetëdijesuar dhe ne kemi shqiptuar masa ndëshkuese”, ka thënë kryeinspektori Basri Ibrahimi.

Shuma e gjobave që Inspektorati i Punës iu ka shqiptuar kompanive është 62 mijë e 900 euro.

Gjobat që u janë shqiptuar kompanive, sipas kryeinspektorit Basri Ibrahimi, janë nga 500 deri në 19 mijë euro, varësisht nga shkeljet që janë konstatuar.

“Mundësia e Inspektoratit të Punës është shqiptimi i gjobave. Ne kemi bërë ndërprerjen e punës, përkohësisht, të dy kompanive për shkak të kushteve jo të mira të punëtorëve dhe rrezikshmërisë së lartë. Ne ua kemi ndërprerë punën atyre kompanive derisa kanë krijuar kushte më të volitshme për punëtorë”, ka shtuar Ibrahimi.

Siguria në punë në aspektin legjislativ në Kosovë rregullohet me dy ligje në fuqi: Ligjin e punës dhe me Ligjin për siguri në punë, mbrojtjen e shëndetit të të punësuarve dhe ambientin e punës.

Ndërkohë, përfaqësues të punëtorëve kërkojnë që të bëhen përpjekje më të mëdha nga institucionet kompetente në përmirësimin e kësaj gjendjeje.

Nënkryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Hasan Abazi, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se siguria e punëtorëve në sektorin privat është nën nivelin e duhur.

Ambienti ku ata punojnë, në veçanti në sektorin e ndërtimtarisë, është i pasigurt dhe me shumë rreziqe.
Përveç kontratave të punës që nuk zbatohen, punëtorët kosovarë punojnë në ambient të pasigurt të punës...

“Përveç kontratave të punës që nuk zbatohen, punëtorët kosovarë punojnë në ambient të pasigurt të punës. Në vendin ku ata punojnë, ka shumë rreziqe, që disa prej tyre edhe kanë pësuar vdekjen dhe kanë humbur gjymtyrë të trupit”, ka theksuar Abazi.

Ligji i punës është miratuar nga Kuvendi i Kosovës në muajin nëntor të vitit 2010, ndërsa zbatimi i tij ka filluar që nga 1 janari i vitit 2011.

Dënimet për punëdhënësit, sipas Ligjit për siguri në punë, mbrojtje të shëndetit të të punësuarve dhe ambientit të punës, janë nga 100 deri në 20 mijë euro.
XS
SM
MD
LG