Ndërlidhjet

Raport pozitiv, por me përsëritje të ngecjeve


Prishtinë...
Prishtinë...
Raporti i fundit i Komisionit Evropian për Studimin e Fizibilitetit përmban aspektet e saj pozitive, por edhe i rithekson fushat, në të cilat institucionet e Kosovës duhet të punojnë shumë më tepër, në mënyrë që t’i përmbushin kriteret që i janë vënë si parakushte për të marrë dritën e gjelbër për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit në të ardhmen, vlerësojnë njohësit e rrethanave integruese dhe atyre politike në Kosovë.

Shenoll Muharremi, ekspert për çështjet e integrimeve evropiane, thotë se raporti i Komisionit Evropian, ndër të tjera, përmban edhe dy çështje, të cilat, sipas tij, janë shumë të rëndësishme dhe pozitive për Kosovën.

“Bashkimi Evropian dhe Komisioni Evropian, në këtë rast, ia ka bërë shumë të qartë Serbisë se duhet ta respektojë integritetin territorial të Kosovës dhe kjo është çështja më e rëndësishme në këtë pako zgjerimi. Çështja e dytë është se është konstatuar që nuk ka pengesa ligjore, legale, që Kosova të ketë marrëdhënie kontraktuale me BE-në”.

“Kjo është një kornizë e mirë për ta çimentuar edhe më shumë të ardhmen evropiane të Kosovës. Në anën tjetër, u tha që ne mund të fillojmë negociatat për Marrëveshje për Stabilizim-Asociim posa të plotësohen disa kushte. Nuk jam i kënaqur dhe jam i dëshpëruar pse Qeveria e Kosovës nuk ka qenë më syçelur, në mënyrë që t’i zbatojë këto parakushte”, shprehet Muharremi.

Ardian Arifaj nga Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillimin e Politikave-KIPRED, vlerëson se raporti i fundit i Komisionit Evropian për Studimin e Fizibilitetit, ka treguar potencialet dhe fuqitë e Kosovës për të ecur përpara drejt integrimeve evropiane, por edhe që i numëron mangësitë. Një nga më të rëndësishmet, sipas Arifajt, është sundimi i ligjit.

“Duhet veçuar, për shembull, pjesën ku flitet për sundimin e ligjit në Kosovë dhe ku për dallim prej herëve tjera kur raportet e progresit flisnin se në Kosovë nuk ka mbrojtje të dëshmitarëve, sivjet flitet që jo vetëm se nuk ka mbrojtje të dëshmitarëve, por duhet të ketë mbrojtje tash edhe të gjyqtarëve, prokurorëve dhe zyrtarëve tjerë që merren me sundimin e ligjit. Pra, nuk është një raport që e jep një imazh krejt të bardhë apo krejt të bukur për Kosovën”, thotë Arifaj.

Ndryshe, Komisioni Evropian ka identifikuar katër fusha, në të cilat Kosova duhet të shënojë progres të menjëhershëm me qëllim të fillimit të negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit. Ato janë: sundimi i ligjit, reforma e administratës publike, trashëgimia kulturore dhe tregtia.

Por, Muharremi thotë se Kosova nuk duhet të fokusohet vetëm në këto parakushtet, të cilat i ka përmendur Komisioni Evropian.

“Kosova ka edhe shumë sfida më të mëdha dhe ajo duhet të bëhet më strategjike për të menduar se çfarë ka për të fituar nga një marrëveshje e tillë eventuale me Bashkimin Evropian. Kjo marrëveshje ka karakter tregtar, andaj edhe ne duhet të fokusohemi në përkrahjen e sektorit privat, në zhvillim të bizneseve tona, në mënyrë që ato ta rrisin konkurrencën dhe në të ardhmen, kur ne ta nënshkruajmë këtë marrëveshje, ato të mund të përfitojnë”.

“Përndryshe, nuk ka kurrfarë logjike që ne të vazhdojmë të bëjmë marrëveshje tregtare ku ne nuk kemi kapacitete që të përfitojmë nga ajo”, vlerëson Muharremi.

Mendim të ngjashëm jep edhe Arifaj, i cili, gjithashtu thekson se angazhimin për integrimet evropiane nuk duhet ta mbajë mbi supe vetëm Qeveria e Kosovës, por e gjithë shoqëria kosovare.

“Synimi për të hyrë në BE po shikohet si një formë për ta përmirësuar jetën në Kosovë. Në fakt, duhet të përmirësohet jeta në Kosovë, kualiteti i jetës në Kosovë dhe për qytetarët e saj, që atëherë Kosova të mund të hyjë në BE. Pra, është një pritje, do të thosha, e kundërt me atë që e kanë qytetarët e Kosovës, të cilët presin që të hyjmë në BE, e pastaj t’iu përmirësohet jeta”.

“Pra, duhet që qysh tash, jo vetëm Qeveria, por të gjithë qytetarët, e tërë shoqëria, t’i përvjelin mëngët dhe të fillojë punojë në zbatimin e të gjitha kritereve që janë përmendur edhe më herët nga BE-ja, nëse vërtet kjo shoqëri synon që të hyjë në BE”,
thekson Arifaj.

Sidoqoftë, njohësit e rrethanave integruese, vlerësojnë se raporti i fundit i Komisionit Evropian për Studimin e Fizibilitetit, ka qenë më pozitiv për Kosovën, se sa raportet e mëparshme.
XS
SM
MD
LG