Ndërlidhjet

logo-print

NYT: Një debat me qartësi dhe ngrohtësi


Joe Biden dhe Paul Ryan gjatë debatit në Kentucky

Joe Biden dhe Paul Ryan gjatë debatit në Kentucky

Debati i së enjtës ndërmjet nënpresidentit të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, dhe kandidatit për këtë post, Paul Ryan, ka qenë njëra nga bisedat më të mira politike në shumë vjet, e cila ka treguar se dallimet e vërteta politike mund të diskutohen me ngrohtësi, zemërim, të qeshura dhe përmbajtje.

Për dallim nga takimi i javës së kaluar ndërmjet Barack Obamas dhe Mitt Romenyt, debati i mbrëmshëm u ka dhënë votuesve shansin të vlerësojnë pozicionet e dy burrave, shkruan në numrin e së premtes gazeta “New York Times”.

Sipas saj, zoti Ryan ka refuzuar të pranojë përmirësimet në ekonomi, duke injoruar zvogëlimin e shkallës kombëtare të papunësisë në 7.8 për qind, muajin e kaluar.

Biden nuk ka hezituar ta ndërpresë, duke thënë se “ai nuk i ka lexuar statistikat”. Biden ka thënë se Romney ka kundërshtuar ndihmën federale për industrinë e makinave, e cila është bërë akti më i madh për krijimin e vendeve të reja të punës në katër vjetët e fundit.

Sipas gazetës, Ryan është përgjigjur dobët, duke thënë se Romney ka qenë “djalosh makinash”, por ka ofruar pak në rrugën e propozimeve ekonomike, përtej shkurtimit të taksave dhe talljes me programin stimulues të administratës Obama.

Performanca e Ryanit në politikën e jashtme dhe çështjet ushtarake ka qenë e dyfishtë, shkruan “New York Times”. Ryan ka thënë se ai dhe zoti Romney janë pajtuar me planet e administratës për tërheqje nga Afganistani në vitin 2014, por vazhdon të mendojë se është një ide e keqe - një përgjigje kjo që, sipas gazetës, ka ngatërruar votuesit.

Ryan nuk ka thënë se çfarë do të bënte tjetër administrata e Romneyt për Sirinë, nga ajo që po bëhet tani. Për Iranin, ai thjesht ka përsëritur fjalët e republikanëve për “dobësinë” e Obamës, por nuk ka thënë se çfarë do të bënte Romeny ndryshe, për të ndikuar programin bërthamor të Iranit, duke lënë mënjanë luftën.

Ryan, sipas gazetës, nuk ka pasur përgjigje kur moderatorja ka pyetur se sa i efektshëm do të ishte aksioni ushtarak.

Biden, në anën tjetër, nuk ka injoruar deklaratat e Romneyt dhe të Ryanait, që flasin për “amerikanët e varur nga qeveria”. Ky propozim reflektohet në planin tatimor të republikanëve, i cili favorizon të pasurit, citon gazeta nënpresidentin amerikan.

“Ju keni thënë se stimujt do të rregullojnë gjithë ekonominë, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur”, ka qenë përgjigjja e parashikueshme e zotit Ryan.

Të dy kandidatët, megjithatë, kanë treguar angazhim të vërtetë për çështjet e rëndësishme. Ka qenë një ndryshim real për votuesit e etur për përmbajtje, shkruan “New York Times”.
Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG