Ndërlidhjet

Shtypi britanik tallet me Çmimin Nobel për BE-në

  • RFE /RL

Ilustrim (Foto nga arkivi)

Ilustrim (Foto nga arkivi)

Gazetat britanike kanë shprehur përbuzje për dhënien e Çmimit Nobel për Paqe Bashkimit Evropian, duke reflektuar kundërthënien e vendit kundrejt fqinjëve të tij në “kontinent”, shkruan agjencia e lajmeve AFP.

“BE-ja duket të jetë tallur!” ka shkruar tabloidi “Sun”, duke e cituar ish-ministrin konservator të financave Norman Lamont, i cili e ka quajtur çmimin e së premtes si “qesharak dhe absurd”.

Çmimi Nobel i Paqes për idiotësi,” ka shkruar krahu i së djathtës “Daily Mail”, pranë një foto të protestuesve në Athinë të veshur si nazistët, ndërsa protestonin kundër masave të imponuara të kursimit të BE-së, gjatë kohës sa Athinën e vizitonte kancelarja gjermane Angela Merkel.

Komentatori i gazetës, Max Hastings tha se çmimi i dhënë në kohën e krizës së eurozonës, shkon “përtej satirës”.

“Gjykatësit e Nobelit kanë vendosur mbi ne një shaka të madhe e mizore”, ka shkruar ai.

Gazeta e krahut të majtë “Independent”, ngjashëm ka përdorur një imazh të protestuesve grekë, të rrethuar nga mbeturinat dhe gazi lotsjellës, në ballinë, me një citim nga komiteti i Nobelit me seli në Norvegji: “Një projekt unik që zëvendësoi luftën me paqen.”

“The Times” e quajti çmimin të “pavlerë” dhe tha se projekti evropian është shndërruar në "një skemë utopike për ribërjen e kontinentit të Evropës “.

Komentatorët e tij kritikuan rritjen e së djathtës ekstreme dhe krizën e borxheve.

Konservatorja “Daily Telegraph” shkruante në një editorial se vendimi “mbi të gjitha, ngre një pyetje: A është tepër vonë për trashëgimtarët e Alfred Nobelit që të tërheqin paratë e tyre?".

“Shërbimi më i madh nuk i është bërë për diplomaci, por për komedi.”

Por, thuhet në gazetë, “ende ka kohë për Evropën ... për të rizbuluar dhe riafirmuar lirinë e përbashkët dhe prosperitetin e përbashkët që e bëri atë një fener të tillë për kombet e varfëra apo të burgosura në kufijtë e saj “.

“Financial Times” ishte një zë i vetmuar që mbështeti çmimin, duke thënë se “ai me të drejtë njeh një të arritur historike”.

Kryeministri David Cameron është nën presion nga krahu i djathtë në partinë e tij Konservatore për të mbajtur një referendum nëse Britania duhet të ndryshojë marrëdhëniet e saj me BE-në, ose të largohet tërësisht nga unioni.

Përgatiti: Albana Isufi

Trego komentet

XS
SM
MD
LG