Ndërlidhjet

logo-print
Përfaqësuesit e Institutit Demokratik të Kosovës /Transparency International Kosova, deklaruan të shtunën se Studimi i Fizibilitetit, i publikuar tri ditë më parë nga Komisioni Evropian, thekson shumë qartë se “Kosova ka nevojë për rezultate konkrete në luftë kundër korrupsionit dhe jo vetëm fjalë dhe deklarata boshe”.

KDI-ja theksoi se Studimi i Fizibilitetit duhet të lexohet drejt dhe kjo për të mos u mbyllur sytë qytetarëve duke iu thënë se është ndezur drita e gjelbër për proceset integruese.

Merita Mustafa, menaxhere e programit Transparenca dhe Anti- Korrupsioni në KDI, tha se konsideron që Kosovën e presin sfida dhe detyra të shumta në drejtime të BE-së.

“Për ne, ky studim dhe porosia për ta luftuar korrupsionin, do të thotë se na presin detyra jo të lehta, dhe vështirë për t’u realizuar, për shkak të involvimit të politikanëve në afera korruptive. Rezultatet konkrete në këtë drejtim nuk po arrihen, ngase realiteti tregon se ende ka mungesë të vullnetit politik të bartësve të institucioneve, mungesë të pavarësisë së institucioneve kompetente, si dhe kapacitete të dobëta të institucioneve përgjegjëse për ta luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin”, tha Mustafa.



Mustafa deklaroi se për mungesën e një qasjeje serioze në qeverisjen aktuale për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, flet edhe paaftësia e saj për të draftuar një Strategji gjithëpërfshirëse dhe efektive kundër korrupsionit.

“Po ashtu, rast tjetër që e konstaton se Qeveria nuk ka vullnet të mjaftueshëm për ta luftuar korrupsionin, është edhe procedimi dhe miratimi në parim i projektligjit për kompetencat e zgjeruara për konfiskimin e pasurisë së përfituar me vepër penale, i cili me përmbajtjen aktuale, jo vetëm që nuk e lufton krimin dhe korrupsionin, por e legjitimon atë duke i amnistuar të gjithë ata, të cilët kanë arritur pasuri të mëdha në mënyrë të paligjshme”, u shpreh Mustafa.

Nga ana tjetër, edhe zyrtarët e organizatës joqeveritare “FOL”, thanë se lufta kundër korrupsionit në vend, vazhdon të jetë një nga sfidat më të mëdha.

Drejtori ekzekutiv në Lëvizjen “FOL”, Petrit Zogaj, tha për Radion Evropa e Lirë se, lufta kundër korrupsionit nuk duhet të jetë retorikë dhe spektakël, por kjo dukuri, sipas tij, duhet të luftohet me vepra konkrete.

Ndërsa, sa i takon Studimit të Fizibilitetit, Zogaj shpjegoi se për vite me radhë institucionet e kosovare nuk po arrijnë që t’i plotësojnë disa nga kërkesat kryesore të kërkuar nga BE-ja, e që kanë të bëjnë me dukurinë e korrupsionit.

“Institucionet e Kosovës kanë goxha punë në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Me dinamikën, të cilën e kanë treguar për këto vjet, nuk do të bëjnë asgjë me shumë se sa deklarime, të cilat nuk janë treguar në pak raste se janë deklarime shpresëdhënëse në shikim të parë, mirëpo dëshpëruese pas një kohe . Përpos deklarimeve, angazhimet serioze publike kanë munguar në vazhdimësi”, tha Zogaj për Radion Evropa e Lirë.

Sido që të jetë, zyrtarët e KDI-së në konferencën me gazetarë, thanë se Kosova në shumë raporte kredibile, vendore dhe ndërkombëtare, përshkruhet si një vend me prani të madhe të krimit të organizuar, nivel të lartë të korrupsionit dhe prani të krimit ekonomik.

Kjo organizatë joqeveritare theksoi se nuk mund të flitet për rezultate konkrete dhe adresim të drejtë të problemit të krimit të organizuar dhe korrupsionit, përderisa ka mungesë të transparencës dhe llogaridhënies në vendimmarrje, përderisa vetë zyrtarët e lartë të Qeverisë përfshihen në vepra korruptive.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG