Ndërlidhjet

VOX

Fjalori i politikanëve, i pakuptueshëm për të rinjtë


Fjalimet e politikanëve të Kosovës, që iu drejtohen qytetarëve, thonë të rinjtë, janë aq të komplikuara sa që nuk arrin t’i zbërthesh.

Fjalimet e politikanëve të Kosovës, që iu drejtohen qytetarëve, thonë të rinjtë, janë aq të komplikuara sa që nuk arrin t’i zbërthesh.

Fjalori politik i udhëheqësve të institucioneve të Kosovës mbetet shumë i pakuptueshëm për të rinjtë kosovarë. Ata thonë se shumë fjalë nuk arrijnë t’i gjejnë as në fjalorët shqip - shqip, e as në fjalorët e ndonjë gjuhe tjetër. Fjalimet e politikanëve të Kosovës, që iu drejtohen qytetarëve, thonë ata, janë aq shumë të komplikuara sa që nuk arrin t’i zbërthesh.

Shumë të rinj thonë se përdorimi i barbarizmave në politikë, në të shumtën e rasteve, është krejtësisht i panevojshëm dhe i paarsyeshëm.



Në rubrikën VOX të Radios Evropa e Lirë sjellim mendimet e disa të rinjve rreth fjalorit të udhëheqësve të shtetit.

“Gjendja në veri po vazhdon të mbetet në status-quo”, “In-putet tona ndikojnë dhe në out-putet e vendit”, “Presim një studim pozitiv të Fizibilitetit drejt marrëveshjes për Stabilizim-Asociim”, “Një qeveri teknokrate nuk është domosdoshmërisht më e mira”, “Nevoja që në veri të mbizotërojë ligji, është intermediate”, “Jam shumë konfident që kjo të ndodhë” janë vetëm disa nga fjalitë e dëgjuara në debate apo fjalime të ndryshme të politikanëve.

Nita Ndrecaj thotë se nuk e kupton fjalën fizibilitet, edhe pse që kjo fjalë përdoret gati nga të gjithë udhëheqësit e institucioneve të Kosovës.

“Nuk e kuptoj fare fjalorin e udhëheqësve tanë, nuk e di ku i kanë marrë këto fjalë ata. Fizibilitetin, për shembull, që nuk e kam kuptuar dhe nuk kam arritur ta kuptoj deri tani. Këtë fjalë e kemi shndërruar në humor, çka mendon për fizibilitein, nuk të përgjigjet askush, se nuk e dinë së çfarë është”, thotë Nita.

Fjala “fizibilitet” vjen nga fusha e menaxhimit të projekteve dhe nënkupton kontrollimin e zbatueshmërisë të projekteve, posaçërisht kur nuk mund të paramendohen rreziqet, apo nëse vihet në pikëpyetje plotësimi i qëllimeve.

Për Merita Nuredinin, gati në çdo fjalim të politikanëve ka dëgjuar fjalë të huazuara nga gjuhë të ndryshme të botës, e në veçanti nga gjuha angleze.

“Ka shprehje në fjalorin politik që nuk janë të kuptueshme për shumicën e qytetarëve. Për mua ka shumë fjalë që nuk i kuptoj, ka shprehje që janë të huazuara dhe nuk janë në gjuhën shqipe. Këto mund të jenë për secilin të pakuptueshme”, thotë Merita.

Edhe Nita Simnica thotë se ka rastisur që shumë herë në fjalimet e politikanëve të Kosovës të dëgjojë fjalë të huazuara, të cilat fjalë nëse nuk e njeh atë gjuhë të huaj, prej nga e marrin ata, nuk arrin ta kuptosh.

“Më ka rastisur t’i dëgjoj fjalimet e politikanëve, nuk më pëlqejnë sepse përdorin shumë fjalë të huazuara që shumica e popullsisë nuk i kupton”, shprehet Nita Simnica.

Terminologjia që ata përdorin në fjalimet e tyre, thotë i riu Besim Nimani, nuk ka të bëjë ndoshta fare me atë fjalim që ata e mbajnë në një rast të veçantë. Nimani mendon se fjalori i politikanëve shpesh e shpërqendron atë.

Ka shumë fjalë që nuk kuptohen, janë terminologji që ne nuk e kuptojnë mirë domethënien e tyre”, thotë Besimi.

Edhe për Arian Zenelin, shumë fjalë të politikanëve mbeten të pakuptueshme:

“Nuk i kuptoj shumë fjalë, mundohem t’i gjej në fjalorin shqip- shqip, por as aty nuk gjenden fjalët që i përdorin ata. Ndodh të mos i gjej as në ndonjë fjalor terminologjik. Në fund shfletoj fjalor të gjuhëve të huaja, e aty gjendet”.

Të rinjtë kërkojnë nga politikanët që të flasin një gjuhë të pastër shqipe, dhe si të tillë ata do të jenë në gjendje ta kuptojnë.

Faiku thotë që politikanët duhet ta flasin gjuhën e popullit, në mënyrë që të kuptohen drejt.

“Unë mendoj që fjalori politik duhet të zbërthehet në gjuhën e qytetarëve, në mënyrë që secili qytetar t’i ketë të njohura termet që i përdorin sot politikanët tanë. Kjo do t’i kontribuonte edhe të kuptuarit më të drejtë të politikave që i zbaton Qeveria dhe institucionet e vendit. Gjuha e politikanit që i drejtohet qytetarit duhet të jetë gjuha që e kupton qytetari dhe jo politikani”, thekson Faiku.

Ngjashëm shprehet edhe Ilir Morina:

“Duhet të ndryshohet gjuha që po e përdorin, të jetë më e thjeshtësuar. Nuk arrij t’i kuptoj shumë fjalë të tyre”.

Studiuesit e gjuhëve vazhdimisht theksojnë se gjuhët standarde janë një detyrim i shenjtë për popujt, pasi kultura e gjuhës është shprehje qytetërimi për çdo popull.

Ajo që sipas të rinjve të bie më së shumti në sy, është mosrespektimi i normës
kulturore të shqipes dhe një thyerje e madhe e normave të gjuhës shqipe në të gjitha rrafshet e saj, siç janë: fonetika, morfologjia, sintaksa, drejtshkrimi dhe leksiku.

I riu Leutrim Berisha shprehet:

“Gjuhën që e përdorin si politikanët, si dhe shumë qytetarë, është gjuhë që nuk ka të bëjë aspak me gjuhën standarde”.

Për disa të rinj, politikanët nuk arrijnë as vetë ta kuptojnë atë që e flasin.

“Është shumë e vështirë për ta kuptuar fjalorin e politikanëve, ata nuk dinë të flasin mirë gjuhën shqipe, dhe për të mos u vërejtur kjo, përdorin ndonjë fjalë të huaja, në mënyrë që të krijojnë habi te qytetarët”, thekson Liridon Rusinovci.

Ngjashëm mendon edhe Mentor Riza:

“Të gjithë flasin sa për të menduar që dikush po thotë diçka të mirë, e në fakt ata nuk i kupton askush , e as unë nuk i kuptoj. Në të gjitha fjalimet, si në Qeveri, në Kuvend apo diku tjetër, fjalimet janë të pakuptimta”.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG