Ndërlidhjet

Shqiptarët e veriut: EULEX-i të jetë i drejtë


Mahalla e Boshnjakëve, Mitrovicë, foto nga arkivi

Mahalla e Boshnjakëve, Mitrovicë, foto nga arkivi

Banorët shqiptarë të lagjeve të banuara me popullatë të përzier në veri të Kosovës, thonë se aktualisht gjendja në këtë pjesë të vendit është e qetë, por tensionet janë të pranishme.

Në dy muajt e fundit, sipas banorëve të veriut, janë shënuar disa incidente, ku rreth 7 shqiptarë janë rrahur nga grupe të ndryshme serbësh dhe askush nuk është arrestuar.

Anëtari i Këshillit të Veriut, dhe përfaqësues i banorëve të lagjes “Kroi i Vitakut”, Nazmi Ismaili, tha për Radion Evropa e Lirë, se këshilli, veç tjerash së fundi ka vërejtje ndaj misionit të EULEX-it.

Sipas tij, misioni i Bashkimit Evropian, këto ditë në lagjen e tyre ka punuar në mënyrë "të pabalancuar duke bastisur vetëm shtëpitë e shqiptarëve, e jo edhe të serbëve".

“Ne e kemi bërë një reagim përmes Këshillit të Veriut. Reagimi ka qenë që bastisjet kanë qenë të njëanshme, nuk janë duke u bastisur edhe serbët. Do të thotë se ne kemi reaguar për atë edhe pse është arrestuar edhe një anëtar i këshillit pa bazë. Ne kërkojmë që në mënyrë proporcionale të shkojnë punët, jo të jenë të njëanshme”, tha Ismaili.

Siç u shpreh Ismaili, në pjesën veriore të Kosovës", ka shumë kriminelë të cilët lëvizin lirshëm dhe nuk pengohen e as arrestohen nga policia e EULEX-it e të tjerët".

“Të gjithë i njohin ata shumë mirë, dhe kërkesa jonë ka qenë që nese nuk shuhen strukturat paralele, ne nuk do të kemi qetësi aty”, u shpreh Ismaili.

Ndryshe në lagjen “Kroi i Vitakut” janë ende duke vazhduar punimet për ndërtimin e shtëpive të shqiptarëve.

Ismaili tregon se herë pas here, ka pengesa në ndërprerjen e punimeve nga ana e serbëve.

"Pengesat janë nga ana e disa serbëve që nuk kanë kurrfarë përgjegjësie për atë punë vetëm që i pengojnë ndërtime që bëhen”, tha ai.
XS
SM
MD
LG