Ndërlidhjet

Grubjeshiq: BE s'e ndërron formulimin për integritetin e Kosovës


Suzana Grubjeshiq
Suzana Grubjeshiq
“Nuk është e mundur që Bashkimi Evropian ta ndryshojë formulimin mbi integritetin territorial të Kosovës në strategjinë për zgjerim”, ka thënë nënkryetarja e Qeverisë së Serbisë, Suzana Grubjeshiq.

“Komisionari për Zgjerim i BE-së, Stefan Fyle, ka thënë se Komisioni nuk do të ndryshojë formulimin, por, pasi që është hedhur në momentin e fundit, frikësohem se komisioni as që është pyetur”, ka thënë ajo për gazetën serbe, “Blic”.

E pyetur se kush ka ndikuar që të futet termi integritete territorial, Grubjeshiq ka thënë se kjo është kërkuar nga “një nga vendet anëtare” të BE-së.

Komentet e Suzana Grubjeshiqit vijnë pasi që presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikolliq,
ka thënë se pret nga Bashkimi Evropian që të jetë i paanshëm në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe që ta ndryshojë formulimin “integriteti i Kosovës”.

Ai ka vlerësuar se ndryshimi i këtij formulimi, që qëndron në Strategjinë për Zgjerim të BE-së, do të paraqiste një hap të vogël që do t’i jepte Serbisë fuqi për të zgjidhur të gjitha problemet ekzistuese dhe të vazhdojë dialogun me Kosovën në nivel më të lartë politik.

Ai në një intervistë për “Veçernje Novostin” ka thënë se termi “integriteti i Kosovës” nuk është i pranueshëm për Serbinë.

Nikolliq ka theksuar se për Serbinë, BE-ja është e paalternativë, por nga Brukseli pret një gatishmëri të sinqertë për pranimin e këtij shteti në union.

Bashkimi Evropian ka ndërmjetësuar në dialogun teknik të zhvilluar ndërmjet Prishtinës e Beogradit për rreth një vit, gjatë të cilit janë arritur shtatë marrëveshje. Prishtina akuzon Beogradin për ngecje në zbatimin e tyre.

Ende nuk është caktuar data dhe as formati i bisedimeve të ardhshme, por flitet se ato do të jenë të një niveli më të lartë.(a.i.)
XS
SM
MD
LG