Ndërlidhjet

Turqi, Siri: Bllokim reciprok i aeroplanëve


Video amatore tregon një avion të rrëzuar në Siri
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:04 0:00

Video amatore tregon një avion të rrëzuar në Siri

Turqia tha të dielën se po i bllokon të gjithë avionët sirianë në hapësirën ajrore turke.

Lëvizja vjen disa orë pasi Damasku ndaloi fluturimet civile turke në hapësirën ajrore siriane.

Njoftimi nga agjencia shtetërore e lajmeve e Sirisë, SANA, erdhi tri ditë pasi Turqia e detyroi një aeroplan sirian pasagjerësh që udhëtonte nga Moska në Damask, të ateronte në Turqi, për shkak se dyshonte se në bord kishte pajisje ushtarake.

Rusia ka thënë se nuk ka pasur armë në aeroplan dhe se ngarkesa ishte e ligjshme.

Tensionet ndërmjet Turqisë dhe Sirisë fqinje janë rritur ndjeshëm kohët e fundit, pas vrasjes së pesë civilëve turq nga granatimet e Sirisë më 3 tetor.

Turqia, e cila i mbështet kryengritësit sirianë, është kundërpërgjigjur me zjarr ndaj Sirisë sa herë që është qëlluar toka turke, duke rritur shqetësimet për një përshkallëzim të mundshëm rajonal të konfliktit.

I dërguari i Kombeve të Bashkuara dhe i Ligës Arabe për krizën siriane, Lakhdar Brahimi, të shtunën e vizitoi Stambollin për të biseduar me udhëheqësit turq në lidhje me situatën.

Brahimi pritet të udhëtojë edhe në Iran, që është aleati i Sirisë, dhe në Irak në ditët e ardhshme.

Ministri i Jashtëm turk, Ahmet Davutoglu, i cili u takua me Brahimin, ka përsëritur se Turqia nuk do të tolerojë incidentet e mëtejme ndërkufitare me Sirinë.

"Kundërpërgjigja e Turqisë ka qenë e pashmangshme në kuptimin e vetëmbrojtjes. Prandaj jemi kundërpërgjigjur. Këtë do ta bëjmë sërish nëse kufiri i Turqisë me Sirinë shkelet sërish dhe ndjejmë se siguria kombëtare e Turqisë është në rrezik”, ka thënë kryediplomati turk.

Ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle, që gjithashtu është takuar me Davutoglun, ka apeluar për përmbajtje, por gjithashtu e ka mbështetur Turqinë, që është aleate e Gjermanisë në NATO.

Westerwelle i ka ofruar mbështetjen Turqisë në lidhje me konfliktin me aeroplanin sirian, që ka fluturuar nga Rusia duke thënë:

“Sipas ligjit ndërkombëtar, Turqia nuk duhet të tolerojë që armët dhe materialet relevante të transportohen në Siri përmes hapësirës së saj ajrore”.

Një ditë më parë, kryeministri i Turqisë kritikoi ashpër Këshillin e Sigurimit të OKB-së për dështimin e tij në dhënien fund të luftës civile 19 mujore në Siri.

Rexhep Tajip Erdogan tha në një konferencë ndërkombëtare në Stamboll se bota është dëshmitare e një “tragjedie humanitare” në Siri.

Ai e ka krahasuar situatën në Siri me atë të Bosnjë e Hercegovinës në vitet ’90, kur OKB-ja nuk bëri pothuajse asgjë për të ndaluar gjakderdhjen në luftën civile, përfshirë edhe masakrën e 8 mijë burrave dhe djemve myslimanë në Srebrenicë.

Rusia, një aleate tradicionale e regjimit sirian të presidentit Bashar al Assad, në mënyrë kategorike ka përjashtuar ndërhyrjen e jashtme në zgjidhjen e konfliktit, që tashmë ka hyrë në muajin e 19-të. Kina thotë se konflikti duhet të zgjidhet nga vetë sirianët.

Turqia dhe fuqitë tjera të myslimanëve sunitë në rajon, përfshirë Arabinë Saudite dhe Katarin, janë mbështetës të fuqishëm të kryengritësve, që po kërkojnë rrëzimin e regjimit të minoritetit alavit në Siri.

Regjimi shiit i Iranit dhe lëvizja shiite libaneze Hezbollah janë aleatet rajonale të Qeverisë së Asadit.

Më shumë se 30 mijë njerëz - civilë, kryengritës dhe pjesëtarë të forcave të sigurisë - vlerësohet të jenë vrarë që nga fillimi i konfliktit sirian.(a.i.)
XS
SM
MD
LG