Ndërlidhjet

Mentaliteti “paraburgues” i prokurorëve e gjyqtarëve


Ilustrim

Ilustrim

Trajtimi i rasteve kur një person dyshohet të jetë përgjegjës apo i përfshirë në një vepër penale, po u shkakton telashe qendrave që duhet t’i akomodojnë personat, të cilëve kryesisht u caktohet masa e paraburgimit.

Autoritetet përgjegjëse thonë se mbi 400 persona më shumë se sa në vitin e kaluar, janë duke vuajtur dënimin e tyre në qendrat korrektuese në Kosovë.

Prej mbi 1800 të burgosurve, 785 mësohet se janë të paraburgosur dhe në pritje të procedimit të rasteve të tyre.

Drejtori i Shërbimit Korrektues të Dubravës, Resmi Hoxha, thotë se nga të gjitha gjashtë qendrat e paraburgimit në pjesë të ndryshme të Kosovës kanë ardhur vërejtje për numrin e madh të rasteve të paraburgimit.



Stërzgjatja e procedurave të paraburgimit dhe vendosjes, sipas tij, janë shkaku kryesor i privimit nga liria për njerëz të dyshuar.

“Ne kemi ankesa të shumta nga të paraburgosurit vetëm në pritje të marrjes së vendimit nga organet kompetente të drejtësisë”, thotë Hoxha.

Neni 279 i Kodit të Procedurës Penale parasheh që “Paraburgimi të reduktohet në kohën sa më të shkurtër të mundshme. Kur i pandehuri mbahet në paraburgim, të gjitha organet që marrin pjesë në procedurën penale dhe organet që ofrojnë ndihmën juridike detyrohen të veprojnë me nguti të posaçme”.

Shkaku kryesor për numrin e madh të rasteve të paraburgimit, sipas Betim Musliut, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, është mentaliteti i prokurorëve dhe gjyqtarëve.

“Kjo është, në fakt si pasojë e mentalitetit të prokurorëve që vazhdojnë të kërkojnë gjatë gjithë kohës, masën e paraburgimit, por në të njëjtën kohë edhe e gjyqtarëve që në shumicën e rasteve veç e aprovojnë”, thekson Musliu.

Ai thotë se shqyrtimi i masave alternative si paraqitja në polici apo arresti shtëpiak, do të ishin në favor jo vetëm për personat e dyshuar, të cilëve u caktohet paraburgimi, por edhe për vetë buxhetin e institucioneve përgjegjëse.

“Ne në çdo natë harxhojmë nga 27- 28 euro për secilin të burgosur nëpër qendrat e paraburgimit ose nëpër burgje”, bën të ditur Musliu.

Paraburgimet e personave që, pas një kohe shpeshherë kthehen në arrest shtëpiak, apo ndonjë masë tjetër, cilësohen të dëmshme për reputacionin dhe imazhin e personave në fjalë, sidomos kur procesi rezulton me pafajësinë e tyre.

Masa e paraburgimit që caktohet në shumicën e rasteve në Kosovë është ajo e 30-ditëshit, e cila jo rrallë herë vazhdohet.

Ekzistojnë, madje, raste kur paraburgimet e personave të dyshuar kanë vazhduar me vite të tëra për shkak të zvarritjes së procedurave apo pamundësisë së gjyqtarëve për të marrë vendim për një rast të caktuar.
XS
SM
MD
LG