Ndërlidhjet

Koalicioni “Mal i Zi Evropian” drejt fitores në zgjedhjet parlamentare


Millo Gjukanoviq duke hedhur votën gjatë zgjedhjeve të djeshme parlamentare në Mal të Zi

Millo Gjukanoviq duke hedhur votën gjatë zgjedhjeve të djeshme parlamentare në Mal të Zi

Koalicioni në pushtet në Mal të Zi ka shënuar një fitore të lehtë në zgjedhjet e djeshme, por jo të mjaftueshme për të siguruar një shumicë parlamentare.

Një numërim jo zyrtar i votave, i lëshuar nga Qendra e Pavarur për Monitorim tregon se koalicioni “Mal i Zi Evropian” ka marrë rreth 46 % të votave, që i sigurojnë 39 nga 81 ulëset e Parlamentit.

Sipas këtij grupi monitorues, “Fronti Demokratik” i opozitës radhitet në vendin e dytë, duke siguruar 20 ulëse të parlamentit, Partia Popullore Socialiste radhitet e treta me 9 ulëse, ndërsa partia “Positive Montenegro” ka siguruar shtatë ulëse.

Deri më tani janë numëruar 70 % të votave.

Fitorja e koalicionit qeveritar hapë mundësinë për një kthim të mundshëm të Millo Gjukanoviqit, i cili shërbeu si president dhe kryeministër i Malit të Zi gjatë dy dekadave të fundit.

“Të dashur miq, ashtu siç kemi premtuar, ne fituam. Mali i Zi është duke shkuar përpara. Ne i kemi të gjitha kushtet që duke filluar nga nesër, të punojmë në formimin e qeverisë, e cila do ta vazhdojë me sukses rrugën e Malit të Zi drejt rrugës për në BE dhe në NATO”, ka thënë Ghukanoviq, pas shpalljes së fitores së koalicionit “Mal i Zi Evropian”.

Gjukanoviqi e përkrahë antarësimin e Malit të Zi në Bashkimin Evropian dhe në NATO.
XS
SM
MD
LG