Ndërlidhjet

Malala, zëri i Luginës së Suatit


Në mbështetje të Malalas
Në mbështetje të Malalas
Derisa Malala Yousafzai po lufton për jetë, pasi që u qëllua nga talibanët pakistanezë, njerëzit në tërë globin po nderojnë guximin e 14-vjeçares në fushatën e saj për mbrojtjen e të drejtave për arsimim. Njëri nga ta është Abdul Hai Kakar, ish-gazetar i BBC-së, shërbimit urdu, dhe aktualisht gazetar i Radio Mashaal të Radios Evropa e Lirë, i cili ndihmoi që mesazhi i Malalas të fitojë vëmendje ndërkombëtare.

RADIO EVROPA E LIRË
Kur e keni takuar për herë të parë Malalan?

ABDUL HAI KAKAR
Në vitin 2008, talebanët morën kontrollin ndaj Luginës Suat në veriperëndim të Pakistanit. Ata imponuan një ndalim për arsimin e vajzave. Unë kam qenë duke punuar për BBC-në dhe më qarkulloi një ide mbi një ditar nga Suati, që do të ishte i vërtetë, do të thotë nga një vajzë e Suatit. Doja t’i jepja një qasje humane situatës nga dëshmitarët e dorës së parë të konfliktit, i cili ishte një konflikt shumë humanitar. Babai i Malala Yousafzait ishte miku im dhe drejtonte një shkollë në Luginën Suat.

Kam biseduar me të, sepse (unë shpresoja) ai mund të gjente një nxënëse për mua. Ai u përpoq për disa ditë dhe më thirri përsëri dhe tha se askush nuk ishte i gatshëm për të biseduar, sepse të gjithë kishin frikë nga talebanët. Por, ai duke hezituar më tha se në qoftë se unë pajtohem, atëherë vajza e tij mund të punonte me mua. Pastaj e kam kontaktuar atë dhe kam filluar ditarin.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë rreziku ndërmori Malala në shkrimin e ditarit online për BBC-në, një projekt që ajo e filloi në moshën 11-vjeçare? Çfarë masash u ndërmorën për ta siguruar atë?

ABDUL HAI KAKAR
Çdokush në Pakistan që flet kundër ushtrisë pakistaneze dhe talebanëve pakistanezë është një shënjestër, sepse atje ekziston një paradigmë xhihadiste, mentalitet xhihadist. Çdokush në Pakistan që e kundërshton një gjë të tillë shndërrohet në shënjestër.

Kam menduar se (Malala) do të jetë njëra nga ta, për shkak se ajo na jepte informata të dorës së parë, nga perspektiva e saj, dhe ajo e përfaqësonte Suatin. Kjo do të paraqiste problem edhe për talebanët edhe për ushtrinë.

Ekzistonte një përshtypje se talebanët dhe ushtria pakistaneze ishin dhe janë fytyrat e monedhës së njëjtë. Për këtë arsye kemi vendosur që pseudonimi i saj të jetë Gul Makki. Gul Makki në tregimet tona popullore, është një heroinë.

RADIO EVROPA E LIRË
Keni thënë se Malala ka qenë shumë e afërt me ju dhe familjen tuaj. Mund ta përshkruani atë?

ABDUL HAI KAKAR
Janë dy apo tri gjëra që më kanë pëlqyer tek ajo. Ajo ishte shumë e sigurt. Kurdo që fliste, ajo nuk ishte asnjëherë e trembur. Ajo i takon një zone fisnore, dhe në rajonin tonë është e vështirë për fëmijën të bisedojë me të moshuarit. Ata janë të turpshëm, por ajo nuk ishte.

Gjëja e dytë është se ajo e kuptonte shumë mirë politikën e zonës së saj. Ajo u ndikua nga i ati i saj, natyrisht, sepse ai ishte një aktivist politik dhe përpiqej t’i fliste dhe t’i tregonte për mjedisin përreth. Pra, ajo kishte njohuri të mirë mbi zonën dhe ishte trajnuar nga i ati se si të fliste për mediat.

Së treti, ajo ishte një vëzhguese shumë e mprehtë. Kur ajo shkruante ditarin e saj, ajo ishte si të thuash zëri i Luginës së Suatit. Secilin që takova, do të thoshte pastaj, “ky është një ditar shumë i mirë”. Dhe, përmbajtja e ditarit është e gjitha e vërtetë.

RADIO EVROPA E LIRË
Cili ishte roli juaj në procesin e shkrimit dhe botimit të ditarit të saj?

ABDUL HAI KAKAR
Kam biseduar me të dhe i kam thënë: “Ti mund të thuash në telefon atë çka ke bërë gjatë ditës, çfarë ke menduar, cilat ishin ndjenjat tuaja, dhe atë që ke pare”. Pra, i thashë asaj, që thjesht t’i ndajë këto gjëra me mua dhe unë do të merrja shënime. Unë do ta thërrisja Malalën nga telefoni i bashkëshortes sime, sepse ai ishte i sigurt. Pra, ne kemi biseduar me njëri-tjetrin nga 30 minuta çdo natë për pesë apo shtatë ditë rresht. Pastaj, pas kësaj, unë e kam dërguar atë në BBC anglisht dhe shërbimin urdu për ta publikuar.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa i rëndësishëm ishte publikimi i ditarit të Malalas? Çfarë lloj efekti pati në Pakistan?


ABDUL HAI KAKAR

Kur njerëzit e panë ditarin e Malalas, ai ishte tërheqës nga ana gazetareske dhe gjithashtu për mediat ndërkombëtare. Mediat pakistaneze nuk i theksonin çështjet humanitare, por përpiqeshin t’i tregonin botës se kishim të bëjmë me një problem të sigurisë. Por, ky ditar i dha një fytyrë humanitare tragjedisë. Të gjitha mediat ndërkombëtare e dhanë këtë rrëfim.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë efekti ka sulmin ndaj Malalas në Pakistan? A ka çuar në dënimin më të madh të talebanëve apo ushtrisë pakistaneze, e cila sipas shumë pakistanezëve, mbështet grupet militante?

ABDUL HAI KAKAR
Ditari është e vetmja gjë që ka inkurajuar njerëzit që të urrejnë talebanët dhe ata e kanë dënuar njëzëri sulmin. Të gjithë njerëzit janë me Malalan. Unë do të thosha 180 milionë njerëzit (gjithë popullsia e Pakistanit) janë me Malalan. Pra, kjo thekson atë çka ajo ka nënkuptuar për popullin. Ajo ishte një lloj e famshme për ta dhe ajo i bëri për vete ata.

Ajo simbolizonte të drejtat për arsimimin e vajzave. Ajo tronditi të gjithë vendin dhe vetëm tani njerëzit janë duke debatuar dhe duke folur se si të rregullohen problemet me talebanët, me ushtrinë dhe mendësinë xhihadiste e militantët. (a.i.)
XS
SM
MD
LG