Ndërlidhjet

Qeveri e re - pastaj dialog politik


Ndërtesa e Qeverisë së Kosovës (Foto nga arkivi)

Ndërtesa e Qeverisë së Kosovës (Foto nga arkivi)

“Edhe pse mbikëqyrja e pavarësisë së Kosovës ka përfunduar, shteti përballet me një legjitimitet të kufizuar në nivelin ndërkombëtar, dhe me një legjitimitet të 'hendikepuar' në rajon dhe Bashkim Evropian”, thuhet, ndër të tjera, në analizën Në kërkim të legjitimitetit ndërkombëtar”, të cilën e publikoi Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave-KIPRED.

Përfaqësuesit e KIPRED-it thanë se politika e BE-së që Serbisë e Kosovës “t’u hapet dera për më shumë BE”, është e mbivlerësuar për shtetin serb, ndërsa e pavlefshme për Kosovën.

Kërkesa për forcimin e legjitimitetit ndërkombëtar të Kosovës, sipas organizatës, nuk mund të ndërtohet në një dialog ku kompromiset që i bën pala kosovare kanë për bazë “potencialin shantazhues të lidershipit të diskredituar në Kosovë”

Drejtori i institutit KIPRED, Ilir Deda, tha se Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës kanë deficit të madh të legjitimitetit dhe se për këtë arsye nuk shihen si palë serioze në dialogun me Beogradin.

Deda theksoi rëndësinë që me shtetin serb të bisedohet vetëm pas krijimit të një qeverie me legjitimitet të plotë - gjë që, sipas tij, i mungon ekzekutivit aktual të dalë nga zgjedhjet e dhjetorit të 2010-s.

Ilir Deda

Ilir Deda

“Situata më e mirë për Kosovën do të ishte sikur partitë politike të ulen, të kryejnë reformën zgjedhore; të hyhet në zgjedhje të parakohshme, del një Qeveri me legjitimitet të vërtetë dhe hyn në dialog me Serbinë me kushte (të cilat po i cekim) dhe natyrisht pa biseduar për veriun”, u shpreh Deda.

Brukseli, si ndërmjetësues i dialogut Prishtinë-Beograd, insiston në vazhdimin e procesit me qëllim normalizimin e raporteve ndërmjet të dyja palëve.

Por, në KIPRED thanë se hyrja në një dialog politik me qeverinë serbe duhet të kushtëzohet me heqjen e strukturave paralele serbe nga pjesa veriore e Kosovës, me zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani dhe me heqjen e pengesave diplomatike nga Serbia.

“Kosova duhet t’ua bëjë të qartë partnerëve të saj ndërkombëtarë që normalizimi për Kosovën është kërkesë dhe se Kosova e sheh këtë normalizim me një ulëse në OKB. Pra, ku Serbia i ndal kërcënimet e veta në territorin e Kosovës dhe ku Serbia e ndalon luftën e saj diplomatike kundër Kosovës”, theksoi hulumtuesi i lartë në KIPRED, Shpend Kursani.

Organizata theksoi se veprimet e deritashme të Serbisë ndaj Kosovës, në vend se të shkojnë drejt përmirësimit të raporteve, vetëm se kanë ngurtësuar rezistencën e pesë shteteve evropiane për ta njohur vendin.

KIPRED shfaqi nevojën që Kosova të kërkojë garanci nga BE-ja që dialogu me palën serbe të rezultojë me njohjen nga Spanja, Greqia, Qiproja, Sllovakia dhe Rumania.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG