Ndërlidhjet

logo-print

CSM: Përse Evropës i duhej Çmimi Nobel për Paqe?


Flamuri i BE-së

Flamuri i BE-së

Mund të duket e rastësishme koha e dhënies së Çmimit Nobel për Paqe për Bashkimin Evropian. Dikush mund të pyetet se çka është këtu për admirim në këtë moment, shkruan në fillim të editorialit të saj, e përditshmja Christian Science Monitor”.

Pjesa më e madhe e kontinentit është në recesion. Eurozona mund të ndahet. Gjermania ka dyshime lidhur me rolin e saj udhëheqës. Britania, gjithmonë me qëndrim të çuditshëm, ndihet edhe më tepër jashtë loje. Spanja dhe Greqia janë të përgatitura për më tepër trazira lidhur me imponimin e kursimit. Turqia po bën çdo gjë të mundshme për anëtarësim në këtë eksperiment të madh, shkruan e përditshmja “Christian Science Monitor”.

Saktësisht për shkak të këtyre vështirësive, Komiteti Norvegjez i Nobelit ishte i mençur për t’i përkujtuar evropianët për forcën e nderimit të njohjes së sukseseve të kaluara, si mënyrë për ta ndihmuar mbylljen e plagëve dhe ndarjeve aktuale.

Sipas gazetës, çmimi i këtij viti është mbështetje dhe stimulim për të arriturat.

Këto të arritura shpeshherë harrohen lehtë.

Bashkimi Evropian i ka parandaluar luftërat sikur ato në shekullin XIX dhe XX në mesin e 27 anëtarëve sovranë, që e rrethojnë njëri-tjetrin. Duke i integruar hap pas hapi; ai po ashtu, e ka zgjeruar demokracinë, të drejtat e njeriut dhe prosperitetin, dhe aftësinë për të ndikuar te të tjerët për ta imituar ose për t’iu bashkuar këtij progresi.

Evropa, po ashtu, e ka ekonominë më të madhe, shumicën e medaljeve në lojërat e fundit Olimpike, dhe pjesën më të madhe të destinimeve të dëshiruara turistike.

Këto të arritura, nuk duhet të neglizhohen, derisa BE-ja tundet nga përplasja e madhe në rrugë - dobësimi i monedhës së përbashkët dhe problemet me kredi.

Është diçka tejet e shkathtë të bashkohen aq shumë popuj, shumë kultura në vetëm gjashtë dekada. Azia, Afrika, Amerika Latine dhe Lindja e Mesme, kanë filluar me vështirësi, konstaton gazeta.

“Mesazhi kryesor është ai se ne duhet ta kemi parasysh se çka kemi arritur në këtë kontinent, dhe të mos lejohet që kontinenti të dezintegrohet përsëri”, tha Thorbjorn Jagland, kryesues i Komitetit Nobel, gjatë shpalljes së çmimit të paqes.

Liderët e vendeve në krizë shpeshherë i citojnë të arriturat e së kaluarës, por pak prej tyre bëjnë thirrje për shfaqje publike të falënderimit.

Shembulli më i mirë në histori ishte deklarata e Abraham Lincolnit për Ditën e Falënderimeve. Ai e bëri këtë gjatë ditëve më të zeza të Luftës Civile, si mënyrë për ta ngritur idenë e bashkimit mbi dhunën, për idealet e përjetshme, për të cilat qëndroi dhe për Zotin e përbashkët, shkruan “Christian Science Monitor”.

Çmimi për paqe i këtij viti mund t’i shërbejë edhe një qëllimi tjetër. Për një kohë shumë të gjatë, BE-ja ka qëndruar së bashku ndaj asaj që e kundërshtoi - kërcënimin sovjetik, kthimin e fashizmit ose të një Gjermanie agresive, e madje edhe atë të dominimit global të Amerikës.

Ato që e bashkojnë Evropën janë, në masë të madhe, parimet e përbashkëta të lirisë, të drejtave dhe paqja.

Komiteti i Nobelit, i përbërë nga njerëzit e një vendi (Norvegjia), që është jashtë BE-së, e krijoi një “falënderim” të madh për Evropën, duke i dhënë një dritë mirënjohjeje për ta ndihmuar BE-në që të dalë nga kjo gjendje e vështirë e përkohshme, shkruan në fund të artikullit e përditshmja “Christian Science Monitor”, me seli në Boston të Shteteve të Bashkuara.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG