Ndërlidhjet

logo-print

Opozita nuk i ka “numrat” për rrëzimin e Qeverisë Thaçi


Ligjvënësit kosovarë (Foto nga arkivi)

Ligjvënësit kosovarë (Foto nga arkivi)

Nisma e Lëvizjes Vetëvendosje për unifikim dhe thirrjen në votëbesim të Qeverisë aktuale para Kuvendit, nuk po gjen mbështetjen e spektrit tjetër opozitar.

Ndërkohë që Partia Demokratike e Kosovës e cila udhëheqë me Qeverinë dhe ka shumicën në Kuvend, thotë se i ka numrat e mjaftueshëm që i garantojnë Qeverisë së saj se nuk mund të sfidohet nga çfarëdo mocioni i opozitës.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, beson se koalicioni qeverisës ka shumicën në Kuvend dhe se, sipas tij, shumë shpejt do të ketë edhe aderime të deputetëve nga partitë tjera te Grupi Parlamentar i PDK-së.

“Absolutisht nuk kemi kurrfarë shqetësimi. Jemi shumë stabil dhe ne po i përmbushim të gjitha obligimet që na i jep Kushtetuta. Ajo që është me rëndësi, ne si koalicion i kemi mbi 63 deputetë. Por, nuk e përjashtoj si mundësi që të ketë lëvizje të reja të deputetëve drejt koalicionit”, shprehet Grabovci.

Në anën tjetër, deputeti i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, thotë se opozita në Kosovë është e çuditshme për faktin se nuk unifikohet për t’ia hequr mandatin një qeverie, e cila sipas tij, po qeveris keq dhe në dëm të interesave të Kosovës dhe qytetarëve të saj.
Na duhen njerëz të vullnetit prej subjekteve opozitare për ta rrëzuar këtë Qeveri.

“Mocioni ynë për rrëzimin e Qeverisë është i hapur. Na duhen njerëz të vullnetit prej subjekteve opozitare për ta rrëzuar këtë Qeveri. Deri më tani nuk kemi parë një qëndrim shumë të qartë të LDK-së dhe kemi parë një qëndrim të kundër të AAK-së. Nuk ka askund në botë që subjektet opozitare e justifikojnë shtyrjen e mandatit të qeverisë, veç në Kosovë ndodh kjo”, thekson Konjufca.

Me qeverisjen aktuale nuk është e kënaqur as partia më e madhe opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës. Por, se a do të iniciohet tani apo më vonë votëbesimi i kësaj Qeverie, kjo është çështje që u takon strukturave dhe vendimeve të partisë, thotë deputeti i LDK-së, Lutfi Haziri.

LDK

LDK

“Natyrisht që LDK-ja do të ulet dhe do ta shqyrtojë nevojën e koordinimit më të mirë ndëropozitar, sepse ne kemi qenë të hapur që nga fillimi. Si iniciativat tona karshi kësaj keq-qeverisjeje, edhe angazhimet e partive tjera opozitare ne i kemi shqyrtuar seriozisht dhe jemi munduar të koordinohemi maksimalisht në të mirë të interesit të ruajtjes së funksionalitetit të institucioneve dhe të definimit të rolit tonë opozitar”, thotë Haziri.

Përjashtuar Vetëvendosjen, e cila kërkon një mocion të shpejtë votëbesimi për të rrëzuar Qeverinë Thaçi, pjesa tjetër e spektrit opozitar ende mbështet përfundimin e reformave zgjedhore dhe më pas gjetjen e formave për të çuar Kosovën në zgjedhje të reja.

Sipas Kushtetutës, Qeveria humb besimin në momentin kur nuk arrin të sigurojë shumicën e votave në Kuvend, që për Kosovën përbëjnë 61 vota të deputetëve. Aktualisht, koalicioni pretendon se i ka 63 deputetë në Kuvend.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG